Back

Alternativa e tretë më se e nevojshme

Maqedonia e ka më se të nevojshme një alternativë të tretë, siç është “Vetëvendosja” në Kosovë, apo “Aleanca Kuq e Zi” në Shqipëri.  Pa një formacion të ngjashëm partitë politike do të vazhdojnë të tallen me popullin dhe të shkelin mbi dinjitetin e qytetarëve. Analisti Kim Mehmeti thotë se shoqëria demokratike pa mendimin alternative, pa lëvizjet alternative nuk është demokraci, ajo është shoqëri partiake. “Një alternativë të tretë shqiptarët është dash ta kenë që dje, jo sot, mirëpo nuk do ta kenë kurrë, përderisa ata janë bërë pronë e partive politike”, thotë Mehmeti.

Sipas tij shqiptarët e Maqedonisë janë privatizuar nga partitë politike, ata janë bërë argatë të partive dhe se nuk ka mbet hapësirë që të mendohet apo veprohet ndryshe. “Në Maqedoni edhe mendimi është bërë pronë e partive politike, kështu që s’kemi alternativë të të menduarit. Me mbylljen e mediave me  këtë terr informative që po ndodh mund të thuhet se Maqedonia është shumë larg asaj që  ka Kosova dhe Shqipëria, të cila kanë alternativa të tjera dhe korrigjues të politikës”, thotë Mehmeti, duke shtuar se në Maqedoni jetohet në një mendësi të shpërndarë në më shumë parti. Ai thotë se maqedonasit  jetojnë në njëmendësinë e territ të quajtur VMRO, ndërsa shqiptarët në terrin e njëmendësisë së quajtur BDI.

“Shoqëritë demokratike nuk përbëhen vetëm nga mendimet partiake, po ato kanë edhe mendimet shkencore, kulturore, lëvizje të  ndryshme, alternative të ndryshme. Të gjitha këto Maqedonisë i mungojnë sepse në Maqedoni edhe mendimi shkencor, mendimi kulturor është ai që i pëlqen partisë në pushtet. Këtu është budallaki të flitet për një gjë të tillë”, sqaron ai.

(Gazeta Lajm)

http://lajmpress.com/lajme/maqedoni/9916.html