Shkruan:Kim Mehmeti
Edhe kur je i "jashtëligjshëm", edhe kur bën veprime që janë të shpallura si destruktive, shteti mund të të dënojë, të të burgosë, por jo edhe të ta marrë të drejtën të jetosh. Si shkak i së drejtës së shenjtë njerëzore, që të jetosh me gjitha të mirat e të këqijat që ke, shtetet e civilizuara kanë ndaluar dënimin me vdekje. Si shkak i kësaj të drejte ka gjyqe (si ai në Spanjë, për shembull) që të dënojnë edhe me mijëra vjet burg, por nuk ta marrin të drejtën të jetosh me barrën e mëkatit që ke bërë. Pra, Atdheu të arreston, të nxjerr përpara gjyqit, të akuzon, ta jep të drejtën të mbrohesh, ta dëshmon fajësinë, të burgos, por kurrë nuk të vret. Sepse, nga individi mund të pritet të gabojë, të ketë prirje destruktive, por Atdheut nuk i lejohet të bëjë gabim, shteti nuk ka të drejtë të marrë atë që nuk ta ka dhënë – jetën!
Por, për shqiptarët e Maqedonisë thuajse kurrë nuk ka pasur peshë e vërteta se Atdheu nuk të vret. As parimi se shteti më parë lejon të jetojë i lirë një individ i "jashtëligjshëm", se sa të rrezikojë jetën e një të pafajshmi. Maqedonia është shtet ku – sa u përket shqiptarëve – më së shpeshti është përdorur parimi: Vrite, e pastaj dëshmoje fajësinë e tij. Mbase për shkak se pushteti maqedonas ende nuk i ndjen shqiptarët si qytetarë të Atdheut që u takon të gjithëve. Apo, ndoshta edhe për shkak se vetë shqiptarët e këtushëm lejuan diçka shumë të dëmshme për vetveten: Të mos jenë qytetarë të Atdheut ku jetojnë, por vetëm votues që përcaktojnë "vasalët" që do marrin pjesë në qeveri, e me ç‘ka e shpallën vetveten "argatë" në arë të huaj.
Dhe tani, kur ndodhi Brodeci, ku u vranë gjashtë veta, ku u burgosën dhjetëra të tjerë, me të cilët nuk kanë kontakt as familjarët e tyre, ku thuhet se policia ka përdorur si mburojë civilët e fshatit, ku fshatarët thonë se policia "konfiskoi" armatimin që e solli vetë nga Shkupi, ku shumëçka që ka ndodhur do mbetet vetëm në mbamendjen e pjesëmarrësve direkt të kësaj tragjedie, pra, tani kur shqiptarët e këtushëm duhet të shërojnë edhe një varr që ua shkaktoi Atdheu i tyre, ata nuk duhet t‘ia shtrojnë vetvetes pyetjen "kush ua kurdisi këtë tmerr". Ata sot duhet të pyesin veten pse kalendari i demokratizimit të Maqedonisë është aq i zi për ta, pse shumëpartizmi u solli aq shumë data tragjike, duke filluar nga 1992-shi kur në Bit Pazar u vranë nga policia maqedonase katër qytetarë të pafajshëm, e deri te Brodeci, ku u vranë gjashtë veta. Pra, shqiptarët nuk duhet tani të humbasin në mjegullën e dhembjes dhe debatit, nuk duhet të pyesin si dhe pse u ndodhi Brodeci i përgjakur, por duhet të përballen me të vërtetën se mos dikush i llogarit si popull pa Atdhe, se mos vallë me vonesë e panë se pyllin e tyre politik e pushtuan "hienat" partiake, se mos vallë vonë e kuptuan se i dehuri nga rakia e thyen kokën e vet, por i dehuri nga pushteti e merr në qafë popullin që përfaqëson.
Përderisa shqiptarët e këtushëm të japin shpjegim se pse Atdheu me aq lehtësi i privon ata nga e drejta të jetojnë, pushtetarët aktualë të Maqedonisë do duhet të japin një shpjegim tjetër: Sipas cilave parametra strategjikë dhe profesionalë, aksionin e përgjakur në Brodec, e përcaktuan si të suksesshëm? Vallë kanë planifikuar që të ketë më shumë se gjashtë të vrarë, apo kanë parashikuar më shumë të burgosur, numër më të madh shtëpish të djegura dhe xhaminë e rrafshuar me tokë, apo më shumë nëna shqiptare të veshur në të zeza? Sepse vetëm me këto parametra vlerësohet suksesi i një aksioni policorë e ushtarak.
Pas ngjarjeve të Brodecit, ku shteti, duke kërkuar dy-tre të "jashtëligjshëm", sulmoi një fshat të tërë me arsenal që nuk përdoret as në rrethana lufte, ku ranë aq viktima sa do të ishin shumë edhe për vendet ku bëhet luftë qytetare, shqiptarët e këtushëm nuk duhet t‘i shtrojnë shumë pyetje as qeverisë, as përfaqësuesve të tyre shqiptarë në atë qeveri. Sepse, kjo qeveri përgjigjet ua ka dhënë shumë më herët se sa të ndodhte Brodeci. Pra, përgjigjet për ndodhitë e sotme në Maqedoni, shqiptarët i morën qysh atëherë, kur Gruevski – duke mohuar vullnetin e tyre shumicë politikë – ua përcolli lajmin se nuk i llogarit si banorë në Atdheun e tyre, por si qiraxhinj, fatin e të cilëve e përcakton pronari i shtëpisë. Pra, shqiptarët duhej që qëmoti ta kishin të qartë se Gruevski do bëhej gjithnjë e më arrogant ndaj tyre, se atë do e bënte të tillë përkrahja e kryesuesve të PDSH-së, të cilët mbase edhe askush nuk mund t‘i shpëtojë nga dehja për të qenë me çdo kusht pjesë e koalicionit qeveritar.
Shqiptarët e Maqedonisë tani nuk duhet të merren me atë se çdo bëjë qeveria aktuale më tej. Sepse, pas këtyre ngjarjeve, Gruevski edhe më tej do shkojë nëpër manifestimet shqiptare që i organizon PDSH-ja, ku do belbëzojë shqip. Pastaj, ndoshta ngutazi do të sjellë ndonjë ligj në favor të shqiptarëve. Pra, do veprojë ashtu si edhe gjithë qeveritë e mëparshme: Pas përgjakjes dhe dajakut, shqiptarëve do u japë ndonjë "dhuratë". Sa të dëshmojë se është Kryeministër i Atdheut të përbashkët dhe se shokët e tij shqiptarë në qeveri janë "atdhetarë" të denjë. Se edhe të këqijat që i bën qeveria e tij janë për të mirën e popullit shqiptar.
Pas ndodhive të Brodecit, shqiptarët e këtushëm duhet të jenë më të kujdesshëm se kurdo qoftë më parë. Për shkak se kjo qeveri me çdo kusht dëshiron t‘i bëjë kundërshtarë të Maqedonisë – e kështu ta ndihmojnë Beogradin, i cili thotë se gjitha të këqijat e rajonit vijnë nga Kosova – po aq edhe për shkak se ky shtet ka pushtetarë, të cilët e shpallin kriminel çdo shqiptar të vrarë. Shqiptarët e këtushëm duhet të jenë të kujdesshëm si kurrë më parë, edhe për shkak se kanë subjekte politike që nuk arritën të kuptojnë atë më elementaren: se së pari, duhet shtetin ta bëjnë Atdhe edhe për shqiptarët, e pastaj të luftojnë që ata të bëhen pushtetarë.
Kur bëhet fjalë për partitë e këtushme shqiptare, duhet nënvizuar qëndrimi i dinjitetshëm i partive opozitare shqiptare, të cilat tragjedinë e Brodecit nuk e përdorën për të fituar pikë politike. Pra, mirë është që Ali Ahmeti arriti të vendosë një vijë të qartë se ç‘është lufta kundër kriminelëve, e ç‘është veprim ilegal policor, ç‘është veprim partiak, e ç‘është tragjedi, pas të cilës duhet të heshtë politika. Por, nuk do jetë mirë nëse BDI-ja mendon se me kaq ka shpërlarë hakun ndaj Brodecit dhe atyre që ia besuan ardhmërinë. Sepse, atyre që votuan për këtë parti, nuk u intereson gjithaq me çfarë vështirësish përballet kjo parti më e madhe shqiptare e mbetur në opozitë, por u intereson pse ajo nuk arrin të gjejë mekanizma që Maqedoninë ta bëjë Atdhe të tyre. Votuesit shqiptarë, që i besuan BDI-së, nuk u intereson as presioni që i bëjnë Ahmetit ndërkombëtarët për ta qetësuar situatën, por ata duan të dinë kush janë ata që u kanosen mediave dhe u penguan valët që të përcjellin të vërtetën për këto ngjarje edhe në luginën e Pollogut. Shumica e këtushme e shqiptarëve pret nga BDI-ja që t‘i zbulojë fytyrat e maskuara që vranë e keqtrajtuan fshatarët e pafajshëm të Brodecit. BDI-ja duhet t‘u përgjigjet shqiptarëve të këtushëm pse Atdheu i tyre me aq lehtësi i vret ata, pse Maqedonia nuk përfill marrëveshjet e nënshkruara me shqiptarët.
Dhe kur t‘i marrin përgjigjet, shqiptarët e këtushëm do e kenë më lehtë ta kuptojnë se ata vetë lejuan që Gruevski dhe vëllezërit e tij të PDSH-së të realizojnë detyrën e tyre parësore: Zhbërjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe zhvlerësimin e thuajse të gjitha të arrirave që shqiptarët i paguan me gjakun e vitit 2001. Dhe më në fund, shqiptarët e këtushëm të kuptojnë se kanë punë me një Kryeministër dhe qeveritarë, për të cilët konflikti i 2001-shit ende nuk ka marrë fund. Se tani, pas aq vitesh, Gruevski dëshiron t‘i fitojë betejat e humbura politike dhe luftarake të vitit 2001. Edhe atë, duke keqpërdorur besimin e shqiptarëve se ai konflikt kishte marrë fund me Marrëveshjen e Ohrit dhe duke keqpërdorur ëndrrën e shqiptarëve se Maqedonia mund të jetë Atdhe, ku ata do mund të jetojnë në paqe me vetvete dhe shtetin.
(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)