Back

Avokatët e djallit

Shkruan: Kim Mehmeti

Një shoqëri që ka më shumë avokatë të djallit se sa të Zotit, ajo detyrimisht bëhet peng i shumë të këqijave, si edhe i destruktivitetit politikë. Një shoqëri ku zhvendosen kufijtë vlerësues mes të mirës e të keqes, ku dyfytyrëshi bëhet pasqyrë e ndershmërisë, ku rrugaçi dhe bardi hanë në të njëjtën tavolinë, ajo shoqëri ka probleme ma të mëdha se ato që shihen në sipërfaqe. Andaj, shoqëritë e këtillë vonë e kuptojnë atë që u ndodh sot, u duhen vite të zbardhin të vërtetat që kanë përjetuar, që do të thotë se këto shoqëri janë të përbëra nga popuj të vonuar, që nuk e lexojnë drejtë kalendarin e zhvillimit të vetë shoqërorë. E shoqëritë e këtilla më së lehti njihen nëpërmjet grindjeve publike, të cilat marrin përmasat e britmave, nga të cilat nuk dëgjohet asgjë, ku më të zëshëm janë ata që nuk i përmbahen parimit se, tjetrin mund ta shpallësh gënjeshtar, por vetëm pasi të jesh dëshmuar si shërbëtor besnik i së vërtetës dhe i parimeve të cilat i mbron. 

Pas tragjedisë së Brodecit, ku nga policia maqedonase u vranë gjashtë shqiptarë dhe u burgosën dhjetëra të tjerë, debati mes avokatëve të djallit dhe atyre të njerëzores është bërë edhe më i ashpër. Kuptohet, edhe ata që përkrahin qeverinë, si edhe ata që e sulmojnë atë, mbështeten në bindjen se pala tjetër është ajo që është vënë në shërbim të së keqes. Pra, edhe ata që thonë se kjo qeveri është në thelb antishqiptare (ku bënë pjesë autori i këtij teksti), që mbrojnë parimin se vetë votuesi shqiptarë duhet të vendosin se cila parti e tyre do i përfaqësojë në organet më të larta shtetërore, njësoj si edhe ata që mbrojnë qëndrimin se kjo qeveri është më proshqiptarja që ndonjëherë ka pasur Maqedonia, dhe se mandatari (lexo: partia ma e madhe maqedonas) duhet të vendosë se cilët shqiptarë do jenë pjesë e kabinetit qeveritarë, pra të dy palët njësojë besojnë se janë vënë në shërbim të së mirës së shqiptarëve të këtushëm. E në ndërkohë, edhe njëra edhe tjetra palë, nuk arrijnë të shohin, se në fytyrat e deformuara nga goditjet policore e të rinjve të burgosur nga Brodeci, ka shenja edhe të debatit të kotë që zhvillojnë “opinionistët” e këtushëm, e të cilët mbase nuk e kanë kuptuar se atdheu të arreston, por nuk të ekzekuton.   

 
Kur bëhet fjalë për debatin publikë më se njëvjeçarë, mes shqiptarët që përkrahin qeverinë aktuale dhe atyre që kërkojnë që edhe koalicionet qeveritare t’i nënshtrohen parimit të Badintetrit (partia më e madhe shqiptare të bëhet pjesë e qeverisë), “opinionistët” e këtushëm bënë një mëkat që mbase shumë nga ata do i vendosë në grupin e avokatëve të djallit. Në mos më shumë, shkaku se diskutimin publik e zhvendosën nga çështja  thelbësore dhe e vendosën në rrafshin e luftës mes “PDSH-istëve” dhe “BDI-stëve”. Me çka dëshmuan se nuk e kanë kuptuar se të përkrahësh BDI-në është pak dhe nuk përfshin tërë fatin kolektiv, e të mbash anën e PDSH-së së sotme, mbase është edhe mëkat. Apo, u bënë shërbim atyre që e nxisnin dhe e dëshironin këtë përçarje mes shqiptarëve të këtushëm. Pra, nga diskutimi parimorë se pse do votonin shqiptarët për partitë e tyre, nëse mandatari është ai që mund të korrigjojë vullnetin e tyre shumicë politik, ata e shtrembëruan debatin ashtu si u ka hije atyre që nuk kanë bosht kurrizorë që pa mbështetjen partiake t’i bartin mbi shpinë mëkatet dhe të mirat e veta. U bënë mbrojtës të kryeministrit aktual Gruevski, të cilin mbase dhe do e mësojnë të flet shqip, por kurrë nuk do arrijnë ta largojnë nga koncepti i tij antishqiptarë e prorus. Pra, u bënë përkrahës të një koncepti politikë anti perëndimorë, por i cili nuk shpallet publikisht si i tillë nga frika, e jo nga dëshira. U bënë përkrahës të një qeverie, e cila më me dëshirë do e fuste Maqedoninë nën ombrellën e Moskës, se sa nën atë perëndimore, dhe se këtë qëllim të vetin dëshiron ta arrijë nëpërmjet acarimit të marrëdhëniet ndëretnike dhe duke i shpallur shqiptarët e këtushëm si faktorë destabilizues.

Por, sido që të jetë, ky debat edhe mund të jetë i shëndetshëm për demokratizimin e shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Në mos më shumë, ky debat e qartësoi të vërtetën se shqiptarët e këtushëm ende nuk kanë masë të duhur kritike, e cila ka aq guxim qytetarë sa të del jashtë oborreve partiake. Ky debat shpjegon se partitë e këtushme shqiptare janë të atilla siç janë edhe shkaku i mungesës së mendimit kritik, i cili do u ndihmonte disa partiakëve të kuptojnë se kjo botë ka pa sundues e diktatorë, atdhetarë e tradhtarë, se ka ndodhur që shërbëtori ta gënjejë mbretin se është më i mençuri i botës, por rrallë herë ka ndodhur kjo që sot ndodhë me shqiptarët e Maqedoni: që te ketë aq shumë avokatë të djallit, që e vërteta të mbetet si e akuzuar, por pa të drejtë për tu mbrojtur. Pra, e vërteta të mbetet e pambrojtur, njësoj si të burgosurit nga fshati Brodec i Malësisë së Sharrit, të cilët ende nuk mund t’i vizitojnë as familjarët e tyre, e për të cilët Avokati i Popullit i Maqedonisë – përndryshe shqiptarë – tha  se “ nuk janë ankuar nga sjellja e drejtuesve të burgjeve”. Dhe mbase nuk gënjeu shumë, shkaku se ata ishin aq të shfytyruar, aq të masakruar nga keqtrajtimi i policëve, sa me siguri as që kanë qenë të aftë të flasin e të rrëfejnë se çka u ka ndodhur. E Avokati i Popullit mund ta thoshte këtë sepse e dinte se ka të bëjë me një shoqëri ku ka shumë avokatë të djallit, e ku çdo thënie të tij do e merr era, do e mbulojë heshtja e shqiptarëve. Më në fund, edhe çka mund të pritet nga Avokati i Popullit, të cilin aty ku është e sollën pushtetarët e dikurshëm të BDI-së, dhe aty ku është mund të mbetet vetëm nëse u shërben pushtetarëve të sotëm të PDSH-së.

 
Nuk ka dyshim se debatet publike shprehin shëndetin e demokracisë së një shoqërie. Ato gjithashtu shpalosin edhe sëmundjen akute nga e cila vuan një shoqëri. Debatet që kanë për qëllim të heshtin zërin e atyre që duan ta shpalosin të vërtetën e vet,  debatet që largojnë popullin nga pasqyra ku shihet fytyra e vërtetë e atyre që sundojnë sot duke e helmuar të ardhmen, u kanë hije vetëm “odave të burrave të shurdhtë”. Debatet e atilla pasurohen edhe me “letra lexuesish”, të shkruara nëpër selitë partiake, autorët e të cilave nuk thonë asgjë, por dëshmojnë se shumë nga “opinionistit” e këtushëm shqiptarë nuk e kanë kuptuar se shpata e kritikës, e mprehur nëpër selitë partiake, nuk gjymton të kritikuarin, por atë që kanoset me të. Si e tillë, ajo shumë shpjet ndryshket, bëhet e papërdorshme dhe gjurmët e ndryshkut të saj mbeten në dorën e atij që e ka përdorur. Njësoj siç do mbeten edhe gjurmët e shkruara të atyre që sot thonë se Gruevski është një kopje e varfër dhe e vonuar e Millosheviqit, se kryeministri i sotëm ëndërron një aleancë të fortë sllave dhe ortodokse. Do mbeten pra edhe gjurmët publike të atyre që thonë se PDSH-ja bëri mirë që u bë krahë i partisë së Gruevskit, parti e cila vite me radhë zgjohej dhe binte në gjumë me brengën se si ta shpëtojë Maqedoninë nga fatkeqësia shqiptare. Dhe si e tillë, çdo gjë e filloi me parullat “Vdekje për shqiptarët”, e mbase – nëse vazhdon kësaj rruge –   do e përfundojë me një Maqedoni me fytyrë që do duket si ajo e të keqtrajtuarve të rinj nga Brodeci i Malësisë së Sharrit.

Shqiptarët e Maqedonisë së sotme, herë lënë përshtypjen e të akuzuarit që e mbron avokati i djallit, e herë si i humburi në pragun e shtëpisë së vet. Mbase edhe shkaku se ishin shumë të etur për shqiptari, dhe nga etja e madhe nuk arritën të shohin qartë se kush i valëvit flamujt, e kush i prodhon shtizat. Pra, nga etja e madhe nuk panë me kohë se flamujt valëviteshin edhe nëpër selitë partiake, të cilat lejuan që Maqedonia të ndërtohet si shtëpi e shumë bashkëpronarëve, por ku vetëm njëri – etnitetit maqedonas – e mban çelësin e derës hyrëse. Sepse partiakëve të tillë nuk u interesonte gjithaq pse shqiptarët do mbeteshin pa çelësin e derës hyrëse së shtëpisë së përbashkët. Ata ishin të përqendruar në bravën e dritares nga do ikin atë ditë kur shqiptarët e këtushëm, të përballur edhe me një dështim të vetin kolektiv, do kërkojnë llogari nga të gjithë “opinionistët” dhe flamurbartësit e sotëm partiak.

(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)