Back

Ballkani s’ka shtete demokratike, Maqedonia një prej tyre

Maqedonia ka shumë probleme. Ato nuk janë vetëm sociale, por shumë prej tyre janë politike. Njëra nga to është edhe mos zbatimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. 

Madje, edhe dhjetë vjet pas nënshkrimit të saj, realizimi final duket se është shumë larg.

Ky ishte konkluzioni që doli nga tribuna “Ballkani dhe Shqiptarët në të” organizuar nga Qendra për Hulumtime Politike dhe Ekonomike “Liberta”. 

Veton Surroi nga Klubi për Politikë të Jashtme në Kosovë, tha se me Marrëveshjen e Ohrit u arrit që shqiptarët të bëhen hisedarë me kontratë në shtetin e ri.

“Sot kur festohet 10 vjetori i kësaj marrëveshje, nuk kemi një klasë politike, e cila do të bëjë një llogari të thjeshtë se ku është arritur në zbatimin e marrëveshjes, sa duhet të bëhet më tutje, dhe çka ende duhet të bëjë kapërcimin për të. Por kjo varet jo vetëm nga marrëdhëniet shqiptaro – maqedonase, por nga koncepti evropian ose antievropian i Maqedonisë”, tha  analisti Veton Surroi.

Sipas tij, Maqedonia është e ndarë në bllok populist i cili përjeton ardhmërinë e Maqedonisë në bazë të projekteve regresive, me një përpjekje kontinuale të kërkimit apo të shpikjes të një identiteti. 

“E kemi një bllok të shqiptarëve i cili në gjitha fjalimet e Gallupit demonstron një afinitet pro NATO pro BE, por kjo nuk reflektohet në sfidën e vet parlamentare dhe kemi një bllok i cili vazhdon në një ‘status quo’ Maqedonia duke mos ecur përpara në integrimin në NATO dhe BE, por shënon regres”, u shpreh Surroi. 

Çështjen e emrit të Maqedonisë, problem ky shumë i vështirë për t’u kaluar  ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë,  Surroi tha se duhet të zgjidhet me përfshirjen e dy bashkësive më të mëdha etnike të saj, shqiptare dhe maqedonase. 

Edhe më i ashpër në diskutimin e tij ishte publicisti Kim Mehmeti i cili tha se në rajonin e Ballkanit,  nuk ka shtete demokratike. Sipas tij, në Ballkan jetojnë popuj që brenda imagjinatës së tyre kanë kufijtë e tyre imagjinar e jo ata shtetërorë. 

“Problemi i Maqedonisë është zgjidhja e problemeve etnike e jo çështja e emrit. Ëndrra e maqedonasve është interesi i tyre, ndërsa ëndrra e shqiptarëve të Maqedonisë është një Shqipëri e vogël brenda saj, që nuk do të del jashtë standardit të përbashkët”, ka deklaruar Mehmeti. Sipas tij, këtu dështoi MO-ja. 

Si ilustrim për problemet e mëdha që ka ky shtet, Mehmeti mori pikërisht tryezën për çfarë janë mbledhur të flasin. 

“Edhe dhjetë vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit ne flasim për të, kjo do të thotë se në këtë shtet s’ka kapacitete demokratike, s’ka vullnet politik, s’ka forca politike që atë do ta zbatonin deri në fund”, tha Kim Mehmeti. 

Ai tha se me shumë shembuj mund të dëshmojë se kryeministri i këtij sillet sikur nuk ka shqiptarë në Maqedoni. 

“Ai ndërton brenda natës kishë në Kalanë e Shkupit. A do ta kishte bërë këtë një kryeministër serioz, një kryeministër që ndjehet edhe kryeministër i shqiptarëve”, pyeti  analisti Mehmeti në formë komenti.

Teksti u shkeput nga ueb faqja: http://zhurnal.mk/MKD/content/?id=201145183935