Back

BDI-ja, mundësi e harxhuar

Nga Kim Mehmeti

Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore e mirë dhe grupi i dytë, që është dukshëm më i madh, e të cilët nuk e kanë kuptuar se po të hyri në gjak, politika të verbëron e të bën shërbëtor të dëgjueshëm të saj. Përpos këtyre, ka edhe një grup politikanësh, që janë më të rrezikshëm se gjithë të tjerët: ata që i janë rikthyer grazhdit të pushtetit, pasi një herë e kanë humbur atë, e të cilët ngjajnë në narkomanë që rishtas u janë kthyer narkotikëve, narkomanë të cilëve sa më shumë u shpjegon për dëmin që ia bëjnë vetvetes dhe familjes që i takojnë, ata aq më besnik i bëhen injorancës së vet. Sa i përket kallaballëkut të politikanëve shqiptarë të Maqedonisë, pjesa më e madhe e tyre e kanë shijuar begatinë e sofrës së pushtetit, andaj kot e ke t’u flasësh për koncepte e programe politike, ngaqë kanë vetëm një synim: të shijojnë edhe një herë privilegjet e humbura. Me çka, shqiptarët e këtushëm erdhën në pozitë që partitë e tyre të ngjajnë në hotel, ku nuk dihet kush hyn e kush del, por saktësisht dihet se kush përfiton nga bujtina ku bëjnë gjumë shpresat e kësaj popullate, se një ditë do jenë të përfaqësuar nga politikanë që nuk janë fukarenj as materialisht, as mendërisht.

Kur bëhet fjalë për partitë e shqiptarëve të Maqedonisë, sa herë që shpallen zgjedhjet parlamentare, ato u drejtohen votuesve shqiptarë, por duke e ditur se fati i tyre i mëtejmë do varet nga partia maqedonase që do t’i fitojë zgjedhjet. E tillë është edhe BDI-ja e Ali Ahmetit, e cila e përkrahur masovikisht nga shqiptarët e këtushëm në të gjitha zgjedhjet parlamentare të paskonfliktit të vitit 2001, tani është duke ecur pjesën e rrugës së zhbërjes së saj dhe mbase, nga një lëvizje gjithëpopullore, do përfundojë në një parti me një autobus përkrahësish. Dhe kjo do t’i ndodhë ngaqë kryesuesit e BDI-së, që u rikthyen në qeverinë e VMRO-DPMNE-së pas dy viteve të kaluara në opozitë, dikush i kishte gënjyer ashtu si edhe gjithë partiakët e mëparshëm shqiptarë se për t’u bërë politikan i shkathtë, mjafton të kesh kollare të shtrenjtë dhe të kaluar të begatë atdhetare. Apo, për shkak se aq u verbëruan nga privilegjet dhe përfitimet personale, sa nuk e panë se besimi që morën nga populli, bartte në vetvete dëshirën kolektive të shqiptarëve të këtushëm për të pasur një parti më ndryshe se ato të mëparshmet dhe një përfaqësim më dinjitoz nëpër institucionet më të larta të shtetit.

Por mbase shqiptarët e Maqedonisë ende sillen rreth boshtit të pamundësisë së tyre, ta kuptojnë se nuk u mungojnë parti politike, por vullnet dhe gatishmëri për ta ndërtuar “Shqipërinë” e tyre në Maqedoni. Si dhe vullnet dhe gatishmëri t’i detyrojnë partitë e tyre të mos jenë të varura vetëm nga vullneti politik maqedonas, por edhe nga ai i popullit që i voton. Dhe duke qenë shqiptarët e këtushëm të uritur për parti, e jo për politika që do jenë përcaktuese për të ardhmen e Maqedonisë, edhe BDI-ja e tyre u bë si të gjitha simotrat e saj të mëparshme, e mbase edhe pak më e keqe se ato. Me çka shqiptarët e këtushëm u bënë më të begatë edhe me një parti, por mbetën njësoj të varfër sa u përket politikave që do të çonin përpara aspiratat kolektive të këtij populli. Pra, u begatuan edhe me një garniturë kryesuesish partiakë që u treguan aq servilë ndaj palës qeverisëse maqedonase, sa ua tejkaluan edhe komunistëve të dikurshëm shqiptarë që e kalonin jetën të përkulur përpara komiteteve qendrore. Apo thënë ndryshe, shqiptarëve të këtushëm u ndodhi e papritura: të dështojnë politikisht atëherë kur kishin besuar se nuk mund të dështonin ata që simbolizonin guximin dhe trimërinë e tyre.

Nëse është i saktë konstatimi se BDI-ja e tre viteve të fundit në qeverinë e Gruevskit do të mbetet simbol i servilizmit politik të shqiptarëve të këtushëm, atëherë imponohet pyetja si ishte e mundur që kjo t’i ndodhte partisë së dalë nga lufta e 2001. Njësoj siç imponohet pyetja se me ç’ka ia doli Gruevski që t’i çojë kryesuesit e BDI-së t’i harronin interesat e popullit që i votoi, e të silleshin si aktivistë shqiptarë të VMRO-DPMNE-së. Pyetje e cila edhe gjatë kohës do mbeten pa përgjigje dhe ai që do arrijë t’u përgjigjet, do meritojë t’i ndërtohet përmendore në qendër të Shkupit, aty pranë dhjetëra të tjerave që ka ngritur Gruevski, e të cilat nëse hiçgjë tjetër, përgjithmonë do shënojnë dështimet politike të Ali Ahmetit. Por nëse përgjigjja e këtyre pyetjeve do mbetet tani për tani enigmatike, ka diçka që e zbërthen mendësinë vasale dhe të të nënshtruarit, e mbi të cilën mbështeten kryesuesit e kësaj partie. Kjo mendësi zbërthehet edhe nëpërmjet deklaratave të tanishme parazgjedhore të Ali Ahmetit, se partia e tij do ta respektojë vullnetin politik shumicë të popullit maqedonas dhe se do të hyjë në koalicion qeverisës me cilëndo parti maqedonase që do t’i ftojë zgjedhjet parlamentare. Me çka ai tërthorazi e shpalos betimin e dhënë Gruevskit për besnikëri të përhershme, por njëkohësisht, e lë të hapur derën për koalicion qeveritar edhe me LSDM-në e tanishme opozitare, nëse ajo do t’i fitonte zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjë që, gjithashtu, tregon se Ali Ahmeti nuk e ka kuptuar se jo çdo vullnet politik i maqedonasve është i pranueshëm për shqiptarët e këtushëm, se legjitimiteti i marrë nga populli nuk mund të përdoret që t’i shërbesh vullnetit politik antishqiptar maqedonas, siç është ai që e voton Gruevskin. Pra, bëhet fjalë për mendësi politike që nuk e ka të qartë atë që duhet ta dijë çdo fillestar me ambicie politike: se nëse vullneti politik i një populli është destruktiv – siç ishte për shembull vullneti popullor serb që mbështeste Millosheviqin, nëse ai vullnet ushqehet me urrejtjen ndaj popullit tënd, atëherë jo që atë nuk duhet ta mbështesësh, por atë vullnet politik duhet ta luftosh me të gjitha mjetet.

Duke e kuptuar legjitimitetin e marrë nga populli si mundësi të bësh koalicione qeverisëse me cilëndo parti maqedonase, Ali Ahmeti bëri atë që nuk e prisnin shqiptarët e këtushëm: iu bë krah vullnetit politik antishqiptar maqedonas të përfaqësuar nga VMRO-ja e Gruevskit. Me çka edhe e bëri vullnetin politik shqiptar mbulesë për politikën antiperëndimore dhe antishqiptare të Gruevskit. Dhe me çka BDI-ja që tani mund të shpallet si një orvatje e kotë e shqiptarëve të këtushëm, për të pasur një parti të mirëfilltë politike.

Mbase edhe vetë Ali Ahmeti e ka kuptuar se partia e tij mbeti një mundësi më kot e harxhuar e shqiptarëve të Maqedonisë, parti e cila, nga dita në ditë, e humb besimin e shqiptarëve të këtushëm, andaj kohëve të fundit iu përkushtua misionit shumë fisnik që rreth BDI-së vetë t’i grumbullojë partitë e vogla të torbeshëve dhe boshnjakëve. Apo, u mundua që të realizonte “bashkim – vëllazërimin” demokratik, duke besuar se kështu BDI-në do ta bënte të fortë sa LSDM-ja e VMRO-DPMNE-ja maqedonase që marrin edhe votat e etniteteve jomaqedonase. Me çka ai dëshmoi se nuk e njeh realitetin politik në Maqedoni dhe se nuk e di se jo çdokush mund të ketë atë që i takon vetëm sunduesit: vasalët e vet. Apo, nuk e ka kuptuar se i dobëti kurrë nuk bëhet shërbëtor i sunduesit, duke u bërë vasal i vasalit.

Si do që të jetë, sa u përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ende pa dalë të votojnë, shqiptarët e këtushëm duhet të pajtohen me humbjen e dy vendeve parlamentare. Edhe atë vetëm nga shkaku se Ali Ahmeti pranoi që barazimi i votuesve mes njësive zgjedhore ku banojnë shqiptarët, të bëhet ashtu që vendbanimet e torbeshëve nga njësia zgjedhore numër gjashtë, të kalonin në njësinë zgjedhore numër pesë. Me çka Ali Ahmeti deshi të realizonte misionin kombëtar që sadopak t’i shqiptarizonte boshnjakët e torbeshët, por duke harruar ëndrrën e shqiptarëve të këtushëm për “Shqipërinë” e tyre në Maqedoni. Gjë që të çon të besosh se nëse BDI-ja në këto zgjedhje parlamentare do fitojë më shumë se dhjetë deputetë, kjo do ishte fitore e madhe e kësaj partie dhe dështim edhe më i madh i shqiptarëve të këtushëm. Edhe atë për shkak se duke mbështetur BDI-në, shqiptarët e këtushëm do t’i japin legjitimitet një partie që haptazi pranon se e mbështet cilindo vullnet politik të popullit maqedonas, përfshi edhe atë që qëndron pas antishqiptarisë së Gruevskit. Pra, do t’i japin legjitimitet një BDI-je që pohon se do t’i gjunjëzohet cilitdo vullneti politik shumicë të popullit maqedonas, një BDI-je që nuk e sheh se duke iu gjunjëzuar vullnetit politik që solli në pushtet Gruevskin, kjo parti ia vuri gjunjët në fyt vullnetit politik shqiptar.