Back

BDI një darkë me Ramën, 100 me partnerët maqedonas!

E ç’vlerë ka kjo një darkë vëllazërore, përballë të shumtave që krerët e BDI-së, për çdo ditë, i hanë me shokët e tyre maqedonas të qeverisë!”, pyet Kim Mehmeti në “Facebook”

Publicisti i njohur shqiptar Kim Mehmeti në “Facebook” ka komentuar informacionet lidhur me koston e darkës së përbashkët Rama-Thaçi-Ahmeti. Mehmeti parashtron dilemën nëse ka ndonjë vlerë kjo darkë, e paguar nga xhepi i “shqiptarëve të varfëruar të Maqedonisë”, karshi darkave të përditshme që krerët e BDI-së i hanë për çdo ditë me “shokët maqedonas të Qeverisë”. 

“Mediat e sotme shtrojnë pyetjen se kush e pagoi darkën vëllazërore në Shkup të Kryeministrit të Shqipërisë me kryetarin e BDI-së dhe të PDSH-së, që paska kushtuar rreth një mijë euro? Dhe thonë se atë e paskan paguar këta të BDI-së! Jo, atë e kanë paguar shqiptarët e varfëruar të Maqedonisë! E ç’vlerë ka kjo një darkë vëllazërore, përballë të shumtave që krerët e BDI-së, për çdo ditë, i hanë me shokët e tyre maqedonas të qeverisë! Pastaj, kjo darkë ka edhe diçka pozitive: mbase ia ka mundësuar Tiranës zyrtare ta kuptojë sa e shtrenjtë është injoranca e politikanëve të këtushëm, e të cilën ka vite që e financojnë shqiptarët e Maqedonisë!”, shkruan Mehmeti në “Facebook”./Lajm