Back

BDI – PDSH, mes ulurimës dhe tinzarisë

Ka dallimi shumë të madh mes paraqitjeve publike të Menduh Thaçit dhe Ali Ahmetit. Kur flet publikisht Ahmeti, pa e dëgjuar e dine se çka ka thane: krejt sillet e mbështillet rreth përmendores së Skënderbeut dhe “zbulimit historik” sa më mirë do e kishte Maqedonia sikur të ishte anëtare e BE-së dhe NATO-së. Pra ke përshtypjen se  Ali Ahmeti u drejtohet injorantëve të cilëve duhet nga njëherë në muaj t’ua përsëritësh atë që e dine edhe fëmijët e porsalindur. Në ndërkohë, paraqitjet publike të Thaçit kanë dimensionin e përjetimit të veçantë, sepse  ai dine të thotë edhe gjëra që më së miri e shpjegon atë që me vite e shohin edhe gjyshet me shikim të dëmtuar, por shtirem se asgjë nuk vërejmë. 

Lidhur me paraqitjet e fundit publike të Menduh Thaçit në të përditshmen maqedonase  “Dnevnik” dhe TV Koha, u tha shumëçka. “Qëndrimet qortuese dhe mallkuese të kryetarit të PDSH-së, kanë po të njëjtën sasi përbuzëse ndaj inteligjencës sonë sa edhe fjalimet boshe të kryesuesit të BDI-së, e që së bashku shpalosin të vërtetën se ata  ndjehen të pazëvendësueshëm, ndjehen vlera pa të cilat ky popull do mbetej në mes të rrugës, besojnë se çdonjërin që nuk u është mirënjohës, apo që nuk pajtohet me ta, o duhet ta djegë prushi i partisë, o uji t’i bëhet helm!” – thotë Kim Mehmeti, i pyetur nga Almakos se si i vlerëson pohimet e fundit publike të Thaçit. “Dhe ne duhet t’i durojmë të gjitha thëniet e tyre, ngaqë heshtja jonë i bëri ata të ndjehen të pazëvendësueshëm dhe ngaqë vota jonë i çoi të vetëgënjehen se jemi të atillë siç na paramendojnë ata”, shtonë Kim Mehmeti, Më në fund, thotë Mehmeti, s’kemi pse ju hidhërohemi: ne i zgjodhëm ata, e jo ata neve! 

Në faqen e tij të FB, analisti Arsim Zekolli shkruan se “ ajo qe vërtet irriton te prononcimet e z. Menduh Thaçit, është që kakofonia dhe kanonada verbale e tij, zhvlerëson shumë gjëra të vërteta të deklaruara në intervistat dhënë ditores Dnevnik dhe TV Koha”. “Megjithatë, disa mesazheve nuk mund të hidhen anësh, vetëm ngaqë i ka thënë një person kontrovers”, shkruan Zekolli duke shtuar se  “shumë prononcime të z. Thaçi janë vetëm se jehonë e qëndrimeve publike te thëna nga persona tjerë publik, shumë kohe para se ai t’i konstatonte dhe të merrte guximin t’i thotë”. 

“Nuk mohohet fakti se tetovarët, pa u skuqur fare, dhe me lehtësi, votuan dy partitë që ndërtuan “Shkupin 2014”, që gjakosën qindra fëmijë shqiptare ne Shkup. Aq më keq, për dallim nga shkupjanet qe gjithnjë gjenin mënyra që së paku simbolikisht të përkrahin tetovarët, gostivarasit e struganët në çastet e vështira, para ca muajsh, përjetuam që një faqezi injorant nga Shemshova, sikur Ali Shukriu ne vitet ‘80-ta, t’i etiketon protestat ne Shkup si manifestime “ogurzeza”, shkruan më tej Zekolli. 

Zekolli gjithashtu nënvizon faktin se “PDSH-ja dhe RDK-ja në mënyre sistematike kanë qenë të përballura me një censurë mediale, dhe aq me keq, ato ishin viktimë e propagandës me te ndyre nëntokësore të BDI-së  “Por, kjo nuk i jep të drejtë z. Thaçi të hedh vrer kundër tjerëve, pa mos shpjeguar sabotimin sistematik te z. Izet Zeqiri? Te mos përmendim fare takimin e tij me z. Gruevski, te cilit i shkoj “hop-cup” drejt në kabinet, disa muaj pasi që u krekos si e  detyroi Crvenkovskin të takohen në teren neutral”, shpjegon Zekolli. 

 Në fund të reagimit të tij në FB, Arsim Zekolli shtron edhe pyetjen., mbase kyçe të këtij debate lidhur me paraqitjet e fundit publike të Menduh Thaçit: “Por, a nuk mendoni se është diçka e panatyrshme, morbide dhe gënjeshtare kur te gjithë ne, ditë me radhe, hidhemi ne trans, eufori revolti ndaj fjalëve, apo ofendimeve të z. Thaçi, ndjehemi te ofenduar nga vokabulari i tij i egër dhe gjithsesi dëmtues. Por nuk reagojmë as për së afërmi me indinjate dhe revolte kur njeriu qe fitoi pushtetin falë betejave, djersës dhe gjakut te shumë te rinjve dhe të moshuarve, i cili në mes të Amerikës gënjeu paturpësisht se “veteranet e UCK nuk kërkojnë trajtim institucional” dhe vazhdojmë të shtiremi se kjo “nuk është punë e madhe”. Dhe te gjithë e dimë se këto fjalë janë vetëm se edhe një intrige e radhës e BDI-së që kapitullimin e plotë përballë VMRO-DPMNE-së ne lidhje me “Ligjin për Branitela”, tani tinzarisht ta hedh mbi supet e atyre qe i mashtronte për muaj me radhe – deri sa mbaruan zgjedhjet.” 

Dhe mbase pas gjithë kësaj rrëmuje rreth paraqitjeve të fundit publike të Menduh Thaçit çdo gjë e qartësojnë konstatimet e Zekollit: “Nejse, pra, të gjithë pajtohemi se Menduhi e teproi! Por, ç’ka të themi për këtë gënjeshtër të Ahmetit? Vërtet, kush është këtu i çmendur?”