Back

Befasia e kthyer mbrapsht!

Mbase askush në Shqipëri nuk do të tronditej nëse në lajmet qendrore do të dëgjonte se të gjitha personalitetet e opozitës, Berisha i ka vlerësuar si të rritur në familje të pamoralshme, dhe nëse do të kërkonte nga populli që ata t’i lëçiste. Por, mbase të gjithë do të mbeteshin të befasuar nëse në po ato lajme, do të dëgjonin se ofendimin e çdo personaliteti publik nga ana e pushtetarëve të PD-së, Berisha do e konsideronte si njollosje të moralit politik, të partisë së tij dhe andaj do të kërkonte përgjegjësi nga çdo zyrtar që e ndot ambientin publik në vend. Siç duket, qytetarët e Shqipërisë prej moti nuk befasohen as nga sharjet e ndërsjella mes politikanëve, ata thuajse janë mësuar me lajmet në të cilat raportohet për dhjetëra vrasje në ditë, atyre u janë bërë përditshmëri raportet për familjet e ngujuara dhe shkaku i gjakmarrjes. Kështu që nuk është e pamundur që shumica e qytetarëve të atjeshëm të mbeten të habitur nëse lajmet do të fillonin e do të përfundonin pa raportuar për asnjë vrasje, pa skenat e përplasjes së makinave, pa fjalime politike përplot fyerje drejtuar kundërshtarit politik. Dhe shqiptarët atje matanë kufirit, si edhe gjithë të tjerët kudo që janë, prej moti i befason normalja, e jo anormalja, atyre prej moti jonormalja u është imponuar si standard jetësor dhe normalja u është bërë më e largët se ardhmëria.

Askush në Kosovë nuk do të befasohej nëse në ballinën e ndonjë gazete do e shihte fotografinë e Hashim Thaçin, duke u përshëndetur me Presidentin serb, e me të cilin bashkëbisedojnë për të ardhmen e Kosovës. Por, të gjithë do të mbeteshin të shtangur nga habia, nëse në lajmet qendrore të ditës, do e shihnin Kryeministrin e Kosovës si përzemërsisht përshëndetet me Albin Kurtin dhe si ulet pranë tij që të konsultohen për rrugët nga duhet të shkojë tutje Kosova. Askush në Kosovë nuk do të habitej nëse do të lexonte ndonjë tekst të Buzhallës ku ai, ashtu siç i ka hije një publicisti, në mënyrë korrekte do të vlerësonte ndonjë diplomat serb, por do të merrej si i pabesueshëm teksti i tij, ku ai do të fliste me respekt për dhuntitë dhe vlerat e pamohueshme diplomatike të një Veton Surroi. Dhe kjo ndodh ngaqë në Kosovë, e kudo nëpër “Shqipëritë” tona, u rrënjos me vetëdije se armiku duhet respektuar, ndërsa i yti duhet zhvlerësuar e shkelur, ngaqë ne mësuam si ndërtohet e ardhmja duke bashkëpunuar me armikun, por jo edhe si të shkojmë përpara duke respektuar e duke u këshilluar me njëri-tjetrin.

Asnjë shqiptar në Maqedoni nuk do të habitej nëse Gruevski do të ndërmerrte me dhjetëra aksione policore, si ai i para pesë muajve i stilit “Monstra” dhe nëse do të burgoste gjysmën e shqiptarëve të këtushëm, në krye me autorin e këtij teksti. Njësoj siç nuk do e habiste asnjë shqiptar të këtushëm dalja publike e Ali Ahmetit, i cili, pas këtyre arrestimeve, do të kërkonte nga ata përmbajtje dhe të mos bien pre e provokimeve të qarqeve që duan ta destabilizojnë Maqedoninë e orientuar pro NATO-s dhe BE-së. Por, pa dyshim se, të gjithë shqiptarët e Maqedonisë do të shtangeshin nga befasia nëse do të dilte Ali Ahmeti dhe publikisht do të kërkonte nga Gruevski që, ose të ofrojë dëshmi për fajësinë e tyre, ose brenda dhjetë ditëve t’i çlirojë nga paraburgimi të arrestuarit gjatë aksionit policor “Monstra”, të cilët kanë 5 muaj të tërë që kalben nëpër burgjet e Maqedonisë. Dhe kjo do i habiste shqiptarët e Maqedonisë, ngaqë ata, si edhe të gjithë shqiptarët e tjerë kudo që ndodhen, prej moti janë mësuar që më pari t’i paraburgosin e t’ua shpallin dënimin, e pastaj të dëshmojnë (pa)fajësinë. Pra ata janë mësuar që politikanët e tyre të kërkojnë nga shqiptarët durim, përderisa dergjen edhe të pafajshëm në burg, e që pastaj, ngadalë e pa nge, burrështetasit shqiptarë të kërkojnë gjykim të drejtë të tyre. Dhe kështu, siç ndodhi për shembull me rastin e “Sopotit”, pafajësinë ata ta dëshmojnë pasi t’i kalojnë nga shtatë vite në burg.

Dhe nëse shqiptarët e Shqipërisë i befason sjellja njerëzore e morale ndaj kundërshtarit politik, e jo ajo jonormalja dhe joetike, nëse shqiptarët e Kosovës nuk i befason respekti i pakontrolluar që tregojnë pushtetarët e atjeshëm ndaj armikut, por mirësjellja dhe vlerësimi ndaj kundërshtarit politik, nëse për shqiptarët e Maqedonisë nuk është befasuese kur pushtetari shqiptar e mbron sunduesin nga populli i vet, por shkakton habi kur Ali Ahmeti i mbron shqiptarët nga Gruevski, atëherë të gjithë shqiptarët kudo që janë, i barazon e vërteta se normalen, njerëzoren dhe kombëtaren i kanë shpallur si anormale, jonjerëzore dhe jokombëtare. Pra, na bashkon befasia e kthyer mbrapsht. E ngaqë befasia është burim i kureshtjes, ne edhe atë e kemi të deformuar, kështu që edhe pyetjet i shtrojmë ashtu siç nuk duhet dhe aty ku nuk duhet. Kështu, për shembull, ne nuk i pyesim pushtetarët e Shqipërisë se kush duhet ta luftojë korrupsionin kur dihet se ata i kontrollojnë të gjitha institucionet e shtetit, nuk i pyesim se si mund të korruptohet ai që nuk ka pushtet në dorë, ne nuk i pyesim pushtetarët e Kosovës se si do të dialogojnë me pushtetarët serbë, kur nuk dinë të bisedojnë as mes tyre dhe ne kurrë nuk e pyetëm Ali Ahmetin se kush do i mbrojë shqiptarët e Maqedonisë, nëse pushtetarët e BDI-së janë të ngarkuar të zbatojnë e të mbrojnë politikat e Gruevskit nga kritikat e shqiptarëve.

E kur jemi te kureshtja dhe befasia, ndoshta do të duhet sa më shpesh të rikujtojmë fëmijën brenda nesh, kohën kur ato i kishim më të pastra e të padeformuara. Vetëm ashtu do të ndërmendim se nëse një prind do i ofronte fëmijës së vet kungull të pjekur në vend të akullores së kërkuar, pyetja e parë që do ia shtronte fëmija të atit do të ishte: “Babë, mos je duke u tallur me mua!” Nëse prindi edhe më tej do të mundohej ta bindte se kungulli i pjekur, i ruajtur gjatë në frigorifer, bëhet akullore, atëherë fëmija pa ngurruar do ia shtronte edhe pyetjen kyçe: “Babë, mos je i çmendur!” Fëmijët pyesin dhe sillen lirshëm ngaqë e kanë të pakorruptuar befasinë, sepse i befason anormalja e jo normalja. E ngaqë e kanë befasinë të pastër, ata edhe kureshtjen e kanë të shëndoshë e të logjikshme, e jo si befasia e kureshtja jonë. Pra, ata nuk janë si ne që na habit normalja dhe pyesim atë që u pëlqen politikanëve. Ku ta dish, mbase kjo ndodh ngaqë të gjithë ne, së tepërmi u burrëruam e u bëmë sypatrembur dhe e vramë fëmijën brenda nesh. Andaj, ndoshta ka ardhur koha që të heqim pak dorë nga trimëria e tepruar, e të bëhemi nga pak fëmijë frikacakë e kureshtarë, me çka do ia dalim që politikanëve t’ua shtrojmë pyetjen e duhur: “Zotërinj, mos jeni duke u tallur me ne!” Nëse ata edhe më tej vazhdojnë me të njëjtën, pa ngurrim do të duhet t’ua shtrojmë edhe pyetjen kyçe: “Zotërinj, mos jeni të çmendur!” Vetëm duke insistuar të marrim përgjigje në këto dy pyetje, ne do ia dalim ta kuptojmë se vallë ata tallen me fatin tonë, apo aq ua pret rradakja. Por sido që të jetë, ndoshta duhet të ngutemi e të zhveshim pak nga mbathjet e tepruara të burrërisë e trimërisë dhe të vishemi me sa më shumë sinqeritet e guxim fëmijëror. Përndryshe, të kotë e kemi trimërinë dhe burrërinë e çiftelisë me dy tela, sepse do të vijë dita kur do të na tallin fëmijët tanë. Dhe pa dyshim se ata do të na pyesin: “Vallë ishit të verbër e nuk shihnit çfarë ishte duke u ndodhur, apo edhe ju ishit si ata?!”./Marrë nga gazeta Shqip