Back

Debatet dhe kuletat

 Shkruan : Kim Mehmeti

 
Netët e dhjetorit në Shkup janë të ngathëta. Dhe qyteti ngjan në vendbanim ku çdo gjë i është dorëzuar acarit, ku edhe zhurma rinore është heshtur dhe mbyllur diku pas mureve. Nëpër qendrat tregtare të qytetit, dominojnë thirrjet e të rinjve shqiptarë dhe ke përshtypjen se në këtë qytet maqedonasit janë banorë pakicë për nga numri. Ashtu është edhe te qendra e re tregtare dhe administrative “Soravia”: në katet e saj të poshtme, aty ku janë dyqanet e shumta, sheh plot të rinj shqiptarë me duart në xhepa dhe nuk e kupton se vallë kanë dalë për të blerë diçka, apo vetëm sa t’i shpëtojnë të ftohtit. Duke i parë se si sillen rreth e rrotull boshtit të pamundësisë së vet që me diçka t’i mbushin netët e ftohta të dhjetorit dhe t’i shpëtojnë të ftohtit, nuk ke si mos e pyesësh veten se ku janë bashkëmoshatarët e tyre maqedonas, ç’bëjnë ata në ato orë të natës. Përgjigjen e kësaj pyetje mund ta marrësh në të njëjtën godinë të “Soravias”, por në katin e njëmbëdhjetë të saj, aty ku salla është e mbushur përplot me të rinj maqedonas, aty ku zhvillohet një debat interesant për projektin “Shkupi 2014”. Dhe në atë sallë çdo gjë është e organizuar mirë, me pjesëmarrës partiak të opozitës dhe pozitës, si dhe me folës të cilësuar si të “pavarur”. Pra, përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së në pushtet, e mbron projektin qeveritar për ngritjen e përmendoreve në sheshin e Shkupit, ndërkaq ai i Lidhjes Socialdemokrate opozitare i shpalos argumentet kundër këtij projekti. Dy të pavarurit, si njerëz të artit, me fjalorin e tyre të kundërt nga ai i politikës, rrëfejnë për përmendoret dhe njerëzit, si dhe për sunduesit, të cilët duke u ngritur shtatore të tjerëve, në të vërtet, duan t’i ndërtojnë obeliskë vetvetes. Pastaj e marrin fjalën të rinjtë, të cilët shtrojnë pyetje apo i komentojnë qëndrimet e folësve kryesorë në këtë debat dhe nuk mund mos ua kesh zili sa mirë e ushtrojnë mjeshtërinë oratorike, sa rrugë të mirë kanë zgjedhur që të forcojnë boshtin e tyre intelektual. Ata për asnjë çast nuk ndiejnë ndrojtje apo inferioritet ndaj debatuesve kryesorë dhe bie në sy se organizatorët e këtij debati, edhe nuk e kanë gjithaq të rëndësishme temën për të cilën flitet, se atyre nuk u janë të rëndësishëm as debatuesit që i prijnë kësaj bisede, por të rinjtë, ata për të cilët është organizuar ky debat edhe atë jo vetëm sa për të pasur ku ta kalojnë një natë të ftohtë dhjetori, por edhe që të kenë ku t’i sforcojnë “muskujt” mendorë dhe ata debatues.
 
              Ajo që bie në sy gjatë këtij debati, është respekti i ndërsjellë, si mes debatuesve partiakë, po ashtu edhe mes të rinjve që kanë mbushur sallën dhe nuk e fshehin emblemën partiake që mbrojnë. Debatuesit partiakë me të njëjtin përkushtim dëgjojnë edhe të rinjtë e taborit të vetë edhe ata të kundërshtarit politik, ngaqë e dinë se rinia është parajsa e kësaj bote e popullit të tyre dhe se në atë parajsë nuk duhet mbjellë mosdurimi ndërpartiak, por duhet ruajtur si tërësi ku do lulëzojë e ardhmja e popullit të tyre. Ata debatojnë qetë e lirshëm, ngaqë kanë edhe pushtet edhe shtet, ngaqë projektet e partive të tyre me asgjë nuk janë të kushtëzuara nga partnerët shqiptarë në qeverinë e Maqedonisë dhe ngaqë interesi i shtetit thuajse me gjithçka është barazuar me interesin e popullit maqedonas. Pra ata debatojnë shtruar e lirshëm, jo pse janë më oratorë e më të shkathtë se të rinjtë shqiptarë, por pse ndihen zot shtëpie, ngaqë e dinë se cila do parti e tyre të jetë në pushtet, ata do i kontrollojnë të gjitha institucionet e shtetit dhe pa ndërhyrjen e të tjerëve do vendosin për të ardhmen e vet. Kështu që s’ke si mos e ndërmendësh atë që kurrë nuk mund ta bëjnë përfaqësuesit e partive të këtushme shqiptare: që bashkërisht, duke mbledhur rreth vetes të rinjtë e të gjitha ngjyrave partiake, të debatojnë për projektet e programet e veta politike, me çka njëkohësisht do kultivojnë debatin tolerant, atë që nuk është përjashtues, por që afirmon mendimin e lirë, i cili është parashenjë që identifikon shëndetin demokratik të një shoqërie. Dhe këtë ato kurrë nuk dot mund ta bëjnë ngaqë luftojnë për pushtet duke mos pasur shtet, ngaqë nuk ia dolën që interesin e popullit të tyre ta bëjnë pjesë të tërësisë së interesit shtetëror dhe ngaqë realizimi i projekteve të tyre, gjithmonë varet nga sunduesi maqedonas të cilit i shërbejnë.Pas përfundimit të debatit, vazhdojnë bisedën me gotat në duar dhe me tingujt e muzikës. Tani më çdo gjë i dorëzohet disponimit rinor, gazmendit dhe haresë, ngjyrat partiake tani më kanë humbur kuptimin e tyre, ato ngjyra janë derdhur në shumëngjyrshmërinë e bindjes se një popull që nuk kujdeset për rininë e vet, është duke ndërtuar vetëm një përmendore: atë të dështimit të plotë. Përmendore të cilën mbase edhe pa dashje dhe shkaku i injorancës politike, e ndërtojnë partitë e këtushme shqiptare, të cilat, duke e kuptuar kundërshtarin politik si armik të cilin duhet shfarosur, edhe rininë e këtushme shqiptare e ndanë në pjesën e privilegjuar të saj për të cilën kujdeset partia në pushtet dhe ata të tjerët që duhet ndëshkuar shkaku i përcaktimit të tyre të “gabuar” partiak.
 
              Netët e dhjetorit në Shkup janë të ftohta. Të atilla janë edhe në fshatrat shqiptarë përreth kryeqendrës së Maqedonisë. Por për dallim nga “shehërlinjt” shqiptarë shkupjanë që netët i kalojnë duke bredhur nëpër qendrat tregtare të qytetit, rinia “katundare” ngrohet nëpër çajtoret dhe kafenetë e tymosura. Dhe përderisa i sheh me sa përkushtim i përcjellin lajmet qendrore nëpër TV ekranet, s’ke si mos e ndjesh largësinë mes tyre dhe politikanëve shqiptarë që u drejtohen nga ekrani. Pastaj s’ke si mos pyesësh veten: çfarë kuptimi kanë takimet e liderëve shqiptarë me aktivistët e tyre partiakë nëpër kafenetë e fshatrave përreth Shkupit, e ku ata mburrshëm shpalosin sigurinë e vet se në zgjedhjet e ardhshme, partia e tyre do marrë edhe më shumë vende parlamentare se tani, se ata nuk u nënshtrohen presioneve që t’i jepet fund politikës vasale ndaj sunduesve maqedonas, se atyre mirë u shkon komunikimi me forcat politike maqedonase që ndërtojnë përmendore e pjellin histori, që e rikthejnë në shitje “Enciklopedinë” ofenduese për shqiptarët, por pa treguar pse assesi të merren veshtë me kundërshtarët e vet bashkëkombës politik. Pra s’ke si mos pyesësh veten se ç’kuptim ka veprimi politik që ushqen urrejtjen ndërpartiake, ai që paturpshëm shpalos komunikimin e mirë me partnerët maqedonas dhe mosdurimin ndaj rivalëve të vet politik shqiptarë.
 
              Netët e dhjetorit në Shkup janë të ngathëta, ato e ngrijnë edhe vrullin rinor dhe e çojnë atë të mbyllet nëpër hapësira të ngrohta. Nëpër disa nga ato hapësira, politikanët maqedonas komunikojnë me rininë e tyre. E përgatisin atë që ta marrë të ardhmen në duart e veta. Sa i përket rinisë shqiptare, asaj politikanët i drejtohen vetëm gjatë fushatave parazgjedhore, atëherë kur dikush duhet të ngjitë pllakatet partiake, kur vrulli rinor duhet t’i bëjë më të zëshme premtimet e kota. Ku ta dish, mbase sa u përket shpjegimit të zënkave ndërpartiake, rinia shqiptare e Maqedonisë e ka më të lehtë se moshatarët e tyre në Kosovë e Shqipëri duke i shpallur ato si të nxitur nga qarqet maqedonase. Andaj të rinjtë e këtushëm thuajse i janë dorëzuar fatit që ua përcakton injoranca e politikanëve të këtushëm shqiptarë. Pra, ke përshtypjen se ata edhe nuk i lodh gjithaq grindja mes partive të tyre, sa brenga se ç’dreq i mallkuar i ushqen mosmarrëveshjet ndërpartiake në Shqipëri e Kosovë!? Por si do që të jetë, shqiptaria ka rini të mençur dhe ajo shumë shpejt do e kuptojë se problemi qëndron aty se politikanët shqiptarë të kudondodhur, janë vëllezër, por kuletat e tyre që i mbushin me para nuk janë motra. Andaj, kjo rini do duhet shumë ngutshëm të bëjë të duhurën: të ndajë atë që nuk guxon të preket, atë që është pronë e vëllazërisë, nga ajo që çdokush ka të drejtë të pretendojë ta futë në kuletën e vet.