Back

Derën e të shurdhrit duhet ta hapësh vet

Shkruan: Kim MEHMETI

Përderisa elitat politike të etnitetit maqedonas kërkonin rrugë nga më të pamundshmet që me çdo kusht të arrijnë qëllimet e tyre, që t‘ia lehtësojnë popullit të vetë rrugëtimin drejt sforcimit të boshtit kurrizor etnik, politikanët shqiptarë në Maqedoni kërkonin arsyetime nga më të palogjikshmet për dështimet e veta. Dhe kështu, shtatëmbëdhjetë vite me radhë, në Maqedoni vazhdon shfaqja e njëjtë absurde e dy taborëve politikë të dy etniteteve numerikisht më të mëdha që jetojnë në këtë shtet. Shfaqe që me vite ka lojtarët dhe dekorin e njëjtë, shfaqe në të cilën edhe roli i të mirit dhe të keqit dihet, dhe sa herë që maqedonasit etnikë janë përballur me skizofrenin e tyre etnike, sa herë që pushtetarët e Maqedonisë janë zhytur në baltën e dështimeve ekonomike, në korrupsion e padrejtësi, e alarmonin botën me mosmarrëveshjet ndëretnike dhe me "rrezikun shqiptar". Kështu që edhe sot, njësoj si ditën kur u mëvetësua, Maqedonia është po ajo e njëjta e ngarkuar me barrën e krizës së identitetit etnik maqedonas dhe me frustracionet e shqiptarëve të këtushëm, të cilët thuajse mbetën peng i pamundësisë që bindshëm të artikulojnë kërkesat e veta. Apo, peng i partive të tyre, të cilat assesi nuk arritën të merren vesh mes veti se ç‘është interes kolektiv për çka nuk mund të ketë dallime partiake, e ç‘është betejë konceptesh dhe ideologjish partiake. Parti të cilat nuk arritën të dallojnë se kanë përballë një opozitë etnike – atë të etnitetit maqedonas – e cila nuk ua lejon luksin të grinden mes veti si partiakët në Tiranë dhe Prishtinë, që luftojnë për pushtete, sepse kanë shtet të vetin.

Duke i nxitur dhe përkrahur grindjet brendashqiptare, duke shfrytëzuar zhurmën që bënin udhëheqësit partiakë shqiptarë, duke manipuluar me të drejtat kolektive shqiptare, elitat politike të etnitetit maqedonas, arritën të fshehin të vërtetën se të gjitha problemet madhore që ka ky shtet, kanë shenjën e etnitetit maqedonas. Se problemi me emrin, me mosnjohjen e Kishës Ortodokse Maqedonase, problemi me mosnjohjen e gjuhës zyrtare maqedonase, kontestimi i historisë…, kanë burim popullatën që veten e quan maqedonase. Pra, arritën të mbulojnë të vërtetën se nuk janë kërkesat shqiptare ato që ia mjegullojnë këtij shteti të ardhmen, por ambiciet e një populli që një emërtim gjeografik e përvetësoi si emblemë të përkatësisë së vet etnike, janë ato që Maqedoninë e bëjnë edhe faktorë destabilizues në këtë pjesë të Ballkanit.

Të ndodhur përpara hamendësive se vallë do duhet t‘i besojnë historisë së deridjeshme ku thuhej se janë vëllezër të sllavëve të Jugut, apo ta korrigjojnë atë, ta rishkruajnë nga e para, e të dëshmojnë se janë nipër të Aleksandërit të Madh, maqedonasit etnikë e përvetësuan edhe të kaluarën, edhe të sotmen e një hapësire. Nga dalldia nacionalromantike, ata harruan se dheu nuk ka as përkatësi etnike, as religjioze. Kështu që demokracinë e shfrytëzuan për ta pyllëzuar Maqedoninë me kryqe ortodokse dhe për të nxjerrë nga barku i tokës dëshmi për vetëgënjimin se në këto troje janë të lashtë po aq sa edhe kullosa e Ballkanit. Dhe këtë arritën ta bëjnë vetëm sepse shqiptarët donin t‘i ndihmojnë këtij populli në zgjidhjen e problemeve që ka me vetveten dhe të tjerët. Vetëm pse shqiptarët e këtushëm e kishin të qartë se nuk kanë asnjë dobi nëse bashkëqytetarët e tyre të etnitetit maqedonas do ta humbnin betejën me mohuesit e identitetit të tyre etnikë.

Sikur të donin, shqiptarët e këtushëm do të mund të bënin "shantazhe" edhe me emrin e shtetit, duke u rreshtuar me ata që etnitetit maqedonas ia mohojnë historinë, kulturën dhe gjuhën. Shqiptarët e këtushëm mund të pranonin që shtetit të quhej edhe "Republika e kungujve të pjekur", duke e ditur se gjithmonë do mbeten shqiptarë. Por këtë nuk e bënë vetëm pse e dinin se bashkëqytetarët e tyre maqedonas do të mbeteshin pa emër. Dhe elitat politike të shqiptarëve të Maqedonisë mirë bënë që nuk (keq)përdorën problemet që etniteti maqedonas ka me vetveten dhe të tjerët. Por, ato nuk bënë mirë pse elitave politike të etnitetit maqedonas u lejuan të jenë mosmirënjohëse. Nuk bënë mirë pse u ndihmuan qarqeve politike të etnitetit maqedonas të ushqejnë iluzionin se e sotmja dhe e ardhmja e këtij shteti, varen vetëm nga forca dhe qëndrueshmëria e boshtit kurrizor të etnitetit maqedonas, vetëm nga shkëlqimi i kryqit ortodoks maqedonas dhe nga zanoret dhe bashkëtingëlloret e alfabetit cirilik. Pra, elitat politike shqiptare nuk bënë mirë pse nuk e caktuan kufirin nga nuk mund të shkohet më tej me lëndimin e ndjenjave etnike shqiptare, kufirin që përcakton të vërtetën se shqiptarët nuk mund të viktimizojnë vetveten, për shkak të problemeve etnike që kanë maqedonasit. Duke mos caktuar qartë këtë kufi, partiakët shqiptarë ua sforcuan bindjen partnerëve të etnitetit maqedonas, se sa i përket shtetit dhe pushtetit, ata janë pronarë që duhet të përkujdesen për rendin dhe arkitekturën e shtëpisë.

Duke vetëpranuar rolin e "ndihmësit" që nuk ka çka i përzihet "pronarit" lidhur me emrin, me të kaluarën dhe të ardhmen e shtetit, shqiptarët e Maqedonisë mbetën aty ku janë sot: të luftojnë për pushtet ende pa u bërë pronarë të mirëfilltë të shtetit. Të luftojnë për integrim në shoqërinë maqedonase, njësoj si të ishin mërgimtarë të ardhur në punë të përkohshme në Maqedoni. Të kërkojnë zyrtarizimin e gjuhës së vet amtare, duke lexuar ligjet në gjuhën që e mohojnë të tjerët, t‘i pranojnë si të vetat problemet që ka shteti për hir asaj se shumëkush Maqedoninë e konsideron si një kreaturë të arnuar nga mbeturinat e popujve të tjerë ballkanas.

Tani kur shqiptarët përballen me kohën e humbur përgjithmonë, kur shohin se shfaqja politike vazhdon sipas të njëjtit skenar dhe në regji të elitave politike maqedonase, atyre nuk u mbetet asgjë më shumë pos të pranojnë se me vite kanë trokitur për mirëkuptim dhe mirënjohje në derën e të shurdhrit. Të pranojnë se vonë e kanë kuptuar se derën e të shurdhrit duhet ta hapësh vet. Pra, të pranojnë se shumë nga të drejtat e tyre mbetën pas derës shtetërore, vetëm nga shkaku se elitat politike të etnitetit maqedonas çanin rrugë për t‘i realizuar qëllimet e veta, e udhëheqësit partiakë shqiptarë kërkonin arsyetime se pse u është e pamundur të bëhen partnerë të denjë politikë me palën maqedonase. Të pranojnë se përderisa maqedonasit etnikë e jetonin kohën, partiakët shqiptarë atë e shisnin dhe e harxhonin me arsyetime se pse nuk u shkonte puna mbarë. Pra, përderisa politikanët e etnitetit maqedonas trillonin shpjegime përpara botës se pse e hanin edhe qengjin e shqiptarëve, udhëheqësit partiakë shqiptarë merreshin me gjetjen e arsyetimeve se si dhe ku e kishin humbur qengjin.

E arsyetimet kurrë nuk mungonin. Ato nuk mungojnë as sot kur thuhet se Maqedonia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke i vënë pikë edhe një periudhe të arsyetimeve të qeveritarëve aktualë shqiptarë të PDSH-së. Të cilët, shpjegojnë pse nuk u shkon puna mbarë, por nuk arrijnë assesi të shohin se arsyetimet janë proporcionale me paaftësitë e tyre. Kryesuesit e PDSH-së përcaktojnë masën e duhur të maturisë shqiptare që të mos irritohen maqedonasit etnikë, por nuk arrijnë të përcaktojnë kufirin e durimit shqiptar lidhur me të padrejtat që me vite i bartin mbi shpinë. Dhe gjatë përcaktimit të kësaj maturie, ata harrojnë diçka shumë të rëndësishme: se emocionet njerëzore depërtojnë atje ku nuk munden argumentet dhe uji. Se ka diçka që quhet ndjenjë etnike, e cila nëse njëherë lëndohet, nuk mund ta shërosh as me ilaçrat e mirëqenies së skajshme. E Maqedonia ec përpara me shqiptarët që gjithnjë e më shumë ndjejnë dhembjen e dinjitetit të tyre të lënduar, shkon përpara me maqedonasit etnikë që nuk mund të çlirohen nga vetëgënjimi se kjo tokë e ky qiell u takon vetëm atyre. Pra, Maqedonia në të vërtetë ec mbrapsht, ajo ngadalë e sigurt kalbet nga brenda. Dhe mbase ardhmëria e saj tani më nuk varet as nga politikanët e etnitetit maqedonas, as nga politikanët shqiptarë. Maqedonia mund të ketë të ardhme vetëm në inkubatorin e Unionit Evropian dhe NATO-së. Aty ajo do mund të vërë baraspeshë mes ambicieve të shqiptarëve të këtushëm dhe krizës së identitetit që rëndon etnitetin maqedonas.

(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)