Back

Deri sa ka dhen, do ketë kush i qethë

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006, kur Nikolla Gruevski shkeli mbi vullnetin shumicë politik të shqiptarëve të Maqedonisë dhe në koalicionin qeveritarë mori PDSH-në që nuk i kishte fituar zgjedhjet, shqiptarët e këtushëm bënë çmos që të dëshmojnë se një gjë të tillë nuk do ia lejojnë askujt. Andaj edhe qëndruan besnikërisht pas Ali Ahmetit, duke thënë hapur se BDI-ja kishte fituar zgjedhjet e atëhershme parlamentare dhe se ajo ishte përfaqësuesi i tyre legjitim. Mbase asokohe atyre as që u shkonte ndër mend se pasi të vijë në qeveri, BDI-ja do jetë ajo që do e shpërfillë vullnetin e tyre politikë, duke i dhënë legjitimitet presidentit të zgjedhur vetëm me votat e atyre që veten e quajnë maqedonas etnik. Pra, shqiptarëve të këtushëm, asokohe nuk u shkonte ndër mend se Ali Ahmeti do ishte ai që do e pranonte si president legjitim atë që nuk posedonte legjitimitetin e popullit shqiptarë dhe do thoshte se, Gjeorgji Ivanovi qenka zgjedhja e duhur për Maqedoninë. Edhe atë pa u shpjeguar shqiptarëve se në emër të kujt e shpalli Ivanovin si president legjitim të tyre, duke lënë përshtypje se legjitimiteti e kryesuesve të BDI-së, e barazon me atë që e jep dhe e merr vetëm populli.

Pas takimit të para disa ditëve mes Ivanovit dhe Ahmetit, lirshëm mund të thuhet se nuk janë vetëm qarqet politike maqedonase ato që shkelin mbi vullnetin politikë shumicë të shqiptarëve të këtushëm. Por, këtë e bëjnë me lehtësi neveritëse edhe liderët partiak shqiptarë, të cilët, në të shpeshtën e rasteve, interesin kolektiv dhe legjitimitetin që mund ta jep e ta merr vetëm populli, e barazojnë me atë të kreut partiak. Sepse sikur të ishte ndryshe, Ali Ahmeti do ishte i fundit që do fotografohej me Gjeorgji Ivanovin dhe mbase kurrë nuk do bënte atë barazim të legjitimitetit partiak me legjitimitetin e populli. Pra, nëse Ali Ahmeti do respektonte vullnetin e popullit shqiptarë të Maqedonisë, ai do duhej hapur t’i thoshte Ivanovit se legjitimitetit nuk merret me punësimin e dy – tre shqiptarëve në kabinetin presidencial, as me deklaratat e zbehta për angazhim e tij proevropian..

Por mbase veprimet e Ali Ahmetit kanë të bëjnë me shumëçka që nuk e dimë ne të vdekshmit e rëndomtë, për të cilët askush nuk do thurë këngë lavdie që do i këndojë me çifteli. Veprimet e Ahmetit mund të jenë rezultat i studimeve të thella të bëra nga ekipet e tij të ekspertëve dhe intelektualëve të pavarur, që tani do punësohen në kabinetin e Ivanovit si këshilltarë. Intelektual të cilët me padurim presim të shohim se sa hije u ka pika mbi “i-në” e intelektualizmit të tyre, e që do i bëjë të ndjehen të nderuar si këshilltarë të Ivanovit.

Orvatja e Ali Ahmetit që të mbulojë bojkotimin e shqiptarëve të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni, ndoshta ka të bëjë edhe me përkushtimin e BDI-së të flijojë vetveten që të pengojë ndonjë krizë institucionale në shtet. Gjë për të cilën kryeministri aktual i Maqedonisë, Nikolla Gruevski as që lodhet dhe me çka as që merret, sepse është i zënë me ndërtimin e kishave dhe pyllëzimin e Maqedonisë me kryqe. Kështu që, deri sa Ali Ahmeti mbanë llogari që institucionet e Maqedonisë të mos i ngërthejë kriza, Gruevski harxhon parat e myslimanëve për të ndërtuar kishë mbi themelet e shtëpisë së Nënë Terezës dhe për ta zbukuruar Shkupin me skulptura antike. Gjë që i çon shqiptarët e këtushëm të pyesin veten: vallë këto të BDI-së nuk shohin gjë, nuk dinë asgjë, apo janë të “kapur” keq nga Gruevski.

Si do që të jetë, nuk është thënë kotë se çdonjëri bënë të veten: dhentë e rrisin leshin dhe sjellin qumësht, e barinjtë i qethin dhe e mbledhin bulmetin. E deri sa ka dhen, nuk do mungojnë qethësit, derisa sa të ketë politikanë shqiptarë që nuk shohin më larg se mirëqenia e tyre personale, shqiptarët e këtushëm do mbeten si një kope dhensh të cilën do e qethë Gruevski me gërshërët që ia mirëmbajnë kryesuesit e partive shqiptare. E të cilët prijës partiak as që mundohen të japin çfarëdo shpjegimi për politikën e tyre të palogjikshme. Pra nuk thonë as aq se ndoshta janë peng i vetive të lartë prej misionari të përkushtuar, e që i çon ta duan edhe atë që nuk i do dhe atij që i urren t’i japin kohë të kuptojë se BDI-stat nuk janë “terroristë”, por përkundrazi, kozmopolit të dorës së parë. Tipar ky i lartë njerëzorë dhe shumë i vlefshëm për një misionar, por që nuk vlen thuajse asgjë në politikë, sepse të bënë t’i ngjash atij që ka dashur këlyshin e ujkut të bëjë qenë shtëpia që do ia ruaj bagëtinë dhe pronën. T’i ngjash atij që e ka mëkuar ujkun e vogël me qumësht deri sa ai është rritur dhe është mësuar të lehë. E që një ditë, këlyshit të rritur, t’i kthehet instinkti i natyrshëm i ujkut dhe t’ia therë pronarit edhe delet edhe fëmijët.

Se llojet e gjalla të kësaj bote vështirë mund t’i bësh atë që nuk janë, më së miri dëshmoi konflikti i vitit 2001. Shumë politikanë të atëhershëm të VMRO-DPMNE-së, e që kishin të kaluar antishqiptare, kur erdhën në qeveri, e kishin gojën përplot multietnicizëm dhe barazi qytetare. Por, posa u dëgjua pushka e parë në Tanushë, dolën me propozime për ndarjen e Maqedonisë dhe rrafshimin e vendbanimeve shqiptare me tokën. Andaj, nëse kryesit e BDI-së nuk e kanë mësuar leksionin e dikurshëm të sjelljes së disa qarqeve të këtushme politike maqedonase, ata kurrë nuk do ia dalin të kuptojnë se për stabilitetin e shtetit vlen të flijohesh vetëm kur tjetri të përfillë dhe para se të propozojë kandidatin e vet për president shteti, të pyet sa ai është i pranueshëm për shqiptarët. Pra, para se të fillojë të ndërtojë ndonjë kish me paratë e shqiptarëve, të pyet se a i irriton shqiptarët një vendim i tillë. Përderisa ndodh e kundërta, përderisa Gruevski ndërton kisha, e Ali Ahmeti i vetëm kujdeset për stabilitetin e Maqedonisë, lirisht mund të thuhet se ky shtet do ketë nevojë vetëm për kryqin e lartë të vënë mbi Vodno nga ana jugore e Shkupit. Pra, lirisht mund të thuhet se rrugës nga është katandisur Maqedonia, ajo do mund të bëhet vetëm një përmendore që do i përkujtojë gjenerata e ardhme për kohët kur politikanët e këtushëm shqiptar ishin ata që popullin e vet e shndërruan në një kope dhensh, të cilën e qethnin shokët e Gruevskit.

(Botuar ne gazeten e Prishtinës “Koha Ditore”)