Back

Dikur e domosdosdoshme sot e turpshme

Shkruan: Kim Mehmeti  

      Nga dita e mëvetësimit të Maqedonisë e deri në vitin 1999, shqiptarët e këtushëm ishin të detyruar të kujdesen për stabilitetin e këtij shtetit, ata duhej të harronin interesin e vet, sepse ishte në pyetje shërimi i plagës më të rëndë mbarëshqiptare – e ardhmja e Kosovës. Pra, gjatë kësaj periudhe, shqiptarët e Maqedonisë kishin të drejtuar shikimin nga vuajtjet e bashkëkombësve të tyre kosovarë, e jo nga vetvetja. Dhe këtë situatë, kur shqiptarët e këtushëm i kishin duart e lidhura për të funksionuar lirshëm politikisht dhe kur nuk guxonin të ndërmarrin asgjë që do e ç’vendoste vëmendjen e ndërkombëtarëve nga Kosova në Maqedoni, më së miri e shfrytëzuan elitat e këtushme politike maqedonase. Kjo situatë u mundësonte qarqeve të vendimmarrjeve maqedonase të silleshin me mospërfillje ndaj kërkesave shqiptare dhe të shtynin për më vonë përballjen me pakënaqësitë dhe frustrimin e shqiptarëve. Gjë që dëshmoi shkurtëpamësinë e tyre dhe mospasjen ndjesi se si ndërtohet shteti shumetnik.
      Pas çlirimit të Kosovës, shqiptarët e këtushëm u ndjenë të çliruar mbase po aq sa kosovarët, sepse hoqën nga vetja prangat e brengës mos bënin ndonjë hap të gabuar, që pastaj do i çonte të ndjeheshin fajtorë për fatin mbarëkombëtarë. Dhe ishte e pritshme që tani të ndërmerrnin diçka që do jehonte aq sa gjithë ta dëgjonin zërin e pakënaqësisë së tyre me shtetin që maqedonasit e ndërtonin vetëm sipas shijes dhe dëshirës së tyre. Kështu ndodhi 2001, e cila në mos më shumë, ia dëshmoi Maqedonisë se ajo qëndronte në këmbë më shumë shkaku i shtyllës shqiptare dhe se kushdo që mendon se mund të ndërtojë shtet pa këtë shtyllë, vetëm mund të mbetet nënën gërmadhat e tij.  Pra, në vitin 2001, shqiptarët e këtushëm bënë diçka për vetveten, ndërmorën një hapë që do i sillte në qendër të vëmendjes, si në shtetin ku jetonin, po ashtu edhe në planin ndërkombëtarë.
      Historia më e re e shqiptarëve të Maqedonisë përbëhet nga periudha kur ata duhej domosdoshmërish të jenë të përmbajtur dhe nga ajo e pas 2001, kur medoemos duhej të ishin më të qartë në vendimin e  tyre se më kurrë nuk do e pranonin rolin e “baltaxhiut” që e ndihmon kryemuratorin gjatë ndërtimit të shtëpisë së përbashkët. Dhe gjatë këtyre dy periudhave, atyre u ndodhën dy ngjarje të ndritshme, të cilat nuk duhet harruar, e nuk duhet zhvlerësuar, pa marr para sysh se si do përfundojë karriera politike e atyre që ishin aktorë bartës të këtyre dy ngjarjeve: vërshimi i të dëbuarve nga Kosova në vitin 1999, kur Millosheviqi dëshironte ta derdh konfliktin tek fqinjët, që ta gjunjëzojë NATO-në – gjë të cilën e kuptuan elitat e atëhershme politike shqiptare dhe nuk lejuan të shkatërrohej shteti që e kishin “pushtuar ”  shqiptarët, e që ua mundësonte njëherë e përgjithmonë ta fshijnë këtë shtet nga harta e Ballkanit – dhe ngjarja e dytë e ndritshme ishte konflikti i 2001, kur gjithashtu, ekzistimi i këtij shteti ishte në duart e shqiptarëve dhe të UÇK-së së atëhershme.
      Shikuar nga ky këndvështrim, historia më e re e Maqedonisë përbëhet nga më shumë dëshmi të ofruara nga shqiptarët se duan ta ruajnë këtë shtet dhe gjithashtu, nga dëshmi të panumërta të ofruara nga pala maqedonase, se edhe ata e duan këtë shtet, mirëpo duke mos pranuar ta ndajnë me askënd. Pra, përderisa shqiptarët e shpëtuan Maqedoninë atëherë kur ajo ishte thuajse e zhbërë, elitat politika maqedonase, ua hidhnin dorëzën e provokimit shqiptarëve sa herë që u jepej rasti. Pra, ato vepronin ashtu siç bënë sot Gruevski, i cili i provokon shqiptarët e këtushëm në këste, herë me “Enciklopeditë” e herë me projekte perverse, si ai “Shkupi 20014”. Andaj edhe shtrohet pyetja logjike, pse edhe pas 2001 shqiptarët e këtushëm mbeten në pozitën ku ishin në kohët kur e kishin të domosdoshme të jenë më të matur dhe të harrojnë vetveten.
      Nëse deri në vitin 1999, shqiptarët duhej të bëheshin pjesëtar të koalicioneve qeveritare maqedonase dhe institucioneve më të larta shtetërore nga frika se do i akuzonin për destabilizimin e Maqedoninë, pas vitit 2001, ata e kishin të domosdoshme të bëhen pjesë e koalicioneve qeverisëse dhe institucioneve shterpore që të kishte kush t’i dilte zot Marrëveshjes së Ohrit. Por, pas periudhës së qeverisjes së koalicionit qeveritar LSDM-BDI, pra pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006, e kur Gruevski qartazi u tregoi shqiptarëve të këtushëm se nuk do e përfillë vullnetin e tyre politik, se ka për qëllim ta varrosë këtë marrëveshje, partitë e këtushme shqiptare bënë gabimin e madh, i cili gabim një nga një, ato i delegjitimoi te populli. Dhe ato gabuan sepse, në vend që nga partneri maqedonas të kërkonin garanci të qarta se do vazhdonte realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, kryepartiakët shqiptarë vrapuan drejtë selisë së VMRO-DPMNE-së që të përkuleshin përpara kryeministri  aktual, e t’ia bënin me dije se ai, e jo populli, vendos për fatin e tyre. Dhe ai do ishte naiv sikur të mos e përdorte këtë inferioritet të partive shqiptare, nëse nuk do i realizonte qëllimet që kishte: të dëshmohej përpara popullit të vet si “hero” i cili do i ndëshkojë shqiptarët për 2001. Pra, pas një periudhe kur shqiptarët e kishin të domosdoshme të kontribuonin për shtetin që nuk bënte asgjë për ta, erdhi periudhe e pas 2001 kur u bë e turpshme të bëhesh pjesë e koalicioneve qeverisëse në Maqedoni, nëse nuk ke bërë llogari të sakta se çka humbë e çka fiton. E kjo pjesëmarrje e turpshme në koalicionet qeverisëse të Maqedonisë,  vazhdon edhe sot me BDI-në në qeverinë e Gruevskit, qeveri e cila thuajse njëherë në muaj shpalos ndonjë projekt që dëmton  Maqedoninë dhe dëshmon “vasalitetin” e partisë shqiptare në pushtet.
      Nëse në vitin 2008, BDI-ja mund ta arsyetonte hyrjen e saj në qeverinë e  Gruevskit me nevojë që ta rikthente legjitimitetin e popullit, që të dëshmonte se vetëm vota e popullit të këtushëm shqiptar është ajo që përcakton kush do e përfaqësoj atë nëpër institucionet më të larta shtetërore, sot BDI-ja nuk ka asnjë arsye të logjikshme të mbetet në këtë koalicion qeverisës përbuzës për shqiptarët. Me mbetjen e saj në këtë koalicion qeverisës, BDI-ja nuk dëmton vetveten, por dëmton të gjithë shqiptarët e Maqedonisë. Andaj, asaj nuk i vlejnë asgjë arsyetimi se idhëtarët e idesë që BDI-ja ta braktisë qeverinë, punuakan për të mirën e LSDM-së, sepse ky arsyetim më së miri shpjegon atë që nuk e kuptojnë krerët e kësaj partie: sot nuk duhet shtruar pyetja se me cilën parti maqedonase do duhej partitë shqiptare të hynin në koalicionet qeverisëse, por sot duhet thënë qartë se partitë shqiptare nuk kanë legjitimitet të mbështesin asnjë subjekt politik maqedonase, nëse paraprakisht nuk sigurohen kushte të ligjshme që do mundësojnë subjektin politik shqiptarë në qeveri të bashkëqeverisë me shtetin, e jo vetveten.
      Andaj, nëse shqiptarët dikur e jetonin periudhën kur e kishin të domosdoshme të pranojnë rolin e të nënshtruarit, ata sot e jetojnë pozitën e turpshme të vasalit në qeverinë e Gruevskit. Dhe nga kjo pozitë ata do dalin vetëm nëse ia fillojnë riradhitjen politike nga e para. Pra, do dalin nga kjo pozitë vetëm nëse së pari i disiplinojnë partitë e tyre, nëse u tregojnë liderëve partiak se legjitimiteti i dhënë nuk mund të përdoret për hyrje në koalicione qeverisëse pa platformë, apo edhe me ata që kanë projekte kundërshqiptare. Pastaj, shqiptarët do mu d të dalin nga kjo pozitë e  tyre e turpshme politike, nëse në zgjedhjet e  ardhshme parlamentare do i detyrojnë partitë e tyre që paraprakisht të shpalosin platformat për koalicionet qeverisëse dhe me cilën parti maqedonase do i realizonin ato platforma. Se kështu siç veprojnë tani, del puna se partia shqiptare që merr shumicën e besimit politik të shqiptarëve të këtushëm, mund të bëhet pjesë e koalicionit qeveritar të udhëhequr edhe nga ndonjë “millosheviq” maqedonas.