Shkruan: Kim Mehmeti
Ditët festive të fundvitit, i ngjajnë fundit të udhëtimit drejtë një maje të lartë 365 ditë dhe të gjerë aq sa të ulesh mbi të dhe, nga aty të ndërmendish rrugën nga je ngjitur deri te ajo lartësi, të rikujtosh vendet ku ke pushuar i lumtur apo i kënaqur me çastet që i jeton, por nga mundesh të ringjallësh në imagjinatë edhe shtigjet e ngushta nga ke ecur i rraskapitur e me shputa të përgjakura të këmbëve. Në të vërtetë, fundi i çdo ore, i çdo dite, i çdo jave, i çdo muaji dhe i çdo viti që kemi jetuar, nuk ka asnjë domethënie tjetër përpos që dëshmon se jeta është magji e ndërlikuar, të cilën çdonjëri e përjeton ndryshe. Andaj edhe çdonjëri prej nesh është njëfarë magjistari që mundohet të zbuloj përbërjen mbi të cilat qëndrojnë themelet e forta të dëshirës të ecim rrugës, e cila ka fund të qartë.
Mbase boshti i durueshmërisë sonë që të shkojmë tutje në përballjen e kohës që na takon, është i përbërë nga e vetmja mundësi që kemi: ta ndërmendin lindjen dhe të trillojmë gjëra që do na bëjnë ta harrojmë vdekjen. Pra të mundë të masin thellësinë e kohës që kemi jetuar, t’i numërojmë vitet që na ndajnë nga ai i lindjes, por të mos dimë edhe sa larg do ecim në kohë dhe të mos kemi mundësi së bashku me vitet e të kaluarës sonë, t’i “festojmë” edhe ato që na kanë mbetur për t’i jetuar. Me çka, pa vetëdije, ne mundohemi sa më ngutshëm të arsyetojmë lindjen dhe të meritojmë vdekjen.
Dhe nuk ka dyshim se lindje-vdekjet njerëzore janë më të përsëritura mbi këtë rruzull tokësorë, por gjithmonë kanë freskinë thuajse ndodhin për herë të parë. Në të vërtetë, ato edhe janë të papërsëritshme, për çdonjërin prej nesh. Dhe si pika të vetme që dëshmojnë se dikush ka ardhur dhe ka shkuar nga kjo botë, ato përbëjnë boshtin e bindjes se në jetën e njeriut, çdo gjë ndodh vetëm njëherë, se asgjë nuk përsëritet, se lumi kurrë nuk mund dy herë të kalojë mbi të njëjtin gur. Por, lumi mban kujtesën e gurëve që ka shpërlarë, e të cilën kujtesë e përcjell si ëndërr të largët mbi ato brigje që do ti lagë gjatë rrjedhës së mëtutjeshme. Pra, ne jemi vetëm nyje ku lidhet kujtimi për atë që kemi qenë dikur, me atë që jemi tani dhe që ëndërrojmë të bëhemi nesër, ne jemi trajtë që mbase edhe vështirë mund të ketë kohë të tashme.
Andaj, ç’është e kaluara jonë, çka është viti që lëmë pas? Vetëm mbëmendje e cila ndikon në ndjenjat tona si çdo gjë e paqenë – si ëndrrat, apo si çfarëdo qoftë tjetër që pjellë imagjinata. Prej moti jeta do e humbiste kuptimin sikur të arrinte Mjeshtri i Lojës që do të shpjegonte arsyen e saj. Duke mos e ditur këtë, të gjithë ne, s’bëjmë gjë tjetër përpos që duam të arsyetojmë ekzistencën tonë. Kush duke krijuar e kush duke shitur pallavra, mirëpo të gjithë ne kemi ndjenjën se ndershëm paguajmë çmimin e duhur për kohën që na është dhënë në shfrytëzim. Ndërkohë, “ora e bardhë” e jetës sonë përbëhet nga “tik-tak-ët” kohor, të cilët, ende pa i dëgjuar mirë, janë bërë e kaluar. Në mes të “tik-ut” të lindjes dhe “tak-ut” të vdekjes, derdhet “lumi” që vetëm njëherë mund të kaloj mbi të njëjtin gurë dhe zhurmon rrëfimin e vet për udhëtimin e bërë duke mos e ditur se për kënd ka rëndësi ai rrëfim: për rrëfyesin apo për ata që ende janë udhëtar drejt vdekjes.
Nuk ka dyshim se çdo njeri është një guacë e mbyllur, është përbërje nga ajo që i ndodh, ajo që ëndërron dhe ajo që dëshiron ta ketë përbërje të jetës. Pra, është brumë i ngjeshur nga realja, por që piqet në furrën e ireales. Prandaj, ai duron dhembjen, vuajtjet…, përballë të gjitha që mund t’ia ngarkosh, përfshi edhe vdekjen, shkaku se sa herë që nuk gjen arsye të jetojë, fillon ta pjekë vetveten në furrën e shpresave dhe iluzioneve të kota. Pra, çdo njeri, në njëfarë mënyre, ecë nëpër jetë me vendimin e të dënuarit me vdekje në xhep, por i cili gjithmonë vetëgënjehet se ndoshta në çastin e fundit do të vijë lajmi se “xhelati” është lodhur dhe se“ekzekutimet” e mëtutjeshme anulohen.
Mbase jeta është një lloj frike e pafundme nga ajo që do të ndodh, jeta është vdekje e ngadalshme, e ndarë në vite, muaj, ditë, orë, minuta, sekonda, që të përfundoj me një frymëmarrje që ikë duke mbyllur pas vetes derën për të marrë frymë. Më në fund, edhe ato që ne i quajmë kënaqësi kulminante në jetë, qëndrojnë mbi themelet e frikës. Ç’është, për shembull dashuria? Vetëm një frikë e pandërprerë që mos humbin njeriun i cili i jep kuptim jetës sonë, mos mbetemi pa krijesën që i mban të gjalla ndjesitë tona. Ne i duam fëmijët tanë shkaku i frikës se mund edhe t’i humbim. Ne ngutemi të përfundojmë veprën e re letrare nga frikë se ndoshta nuk do të kemi kohë atë ta përfundojmë. Andaj, çdo cakë që ëndërrojmë ta arrijmë, si edhe dashuria e mirëfilltë, janë një lloj “vuajtje” dhe “dhembjeje”, ndoshta nga më të pastrat, shkaku se tërë jetën jemi rob vullnetar i tyre.
Festat e fundvitit janë ditë kur peshojmë ngjarjet që na kanë ndodhur dhe atë peshë e barazojmë me kohën e harxhuar. Pesha e ngjarjeve që janë regjistruar në mbëmendjen tonë, është çmimi me të cilin kemi paguar kohën e kaluar. Kujtimet e mbetura nga viti që shkon, kujtime që do u bashkëngjitet atyre të kohëve të mëparshme, e që së bashku do jetojnë vetëm aq sa do jetë gjallë ai që mund t’i ndërmend, janë përfitimi ynë nga koha e harxhuar. Pra, festat e fundvitit më shumë u ngjanë ditëve kur përkujtohet diçka e dashur dhe e shtrenjtë –koha- por e humbur përgjithmonë, festat e fundvitit janë ditë të Gëzimdhembjes, ditë kur gëzimi pse ende jemi gjallë, shkrihet në dhembjen se asnjëherë nuk do jemi atë që kemi qenë dikur dhe diku.