Veton SURROI
1.
Fshati kishte pasur fatin e keq që atë ditë hoxha ta kishte të ngjirur zërin. Kur erdhi koha të thërriste ezanin, nuk u dëgjua larg, dhe deri aty ku u dëgjua, deri aty u vendosën kufijtë e fshatit. Brenda këtyre kufijve, Kim Mehmeti në "Vitet e Urithit" ("Toena", Tiranë, 2007) do të përcjellë fatet e familjeve, kryesisht të hoxhës dhe kryeplakut, prej kohës kur Sulltani u kishte dhënë lirinë e kullosës së papenguar deri në Edrene, e deri te koha kur Komiteti Qendror i Lidhjes së Komunistëve të Maqedonisë do të përpiqej më kot të mbillte në fshat aq pisha sa kishte pasur Tito vite të mbushura në momentin e vdekjes.
Rrëfimi nuk do të ketë kufi: do të fillojë me traditën e narracionit të tregimit popullor shqiptar të këtyre anëve e do të marrë, ndonjëherë bukur me ngarkesë, narracionin e realizmit magjik të letërsisë latino-amerikane, me të gjitha, përfshirë edhe recetat për kurimin e çdo gjëje me një mjaltë të bërë nga bletët e rritura në zgjoje zorrësh të kafshëve të mbështjella me baltë.
2.
Zëri i ngjirur i hoxhës, një aksident historik kur duheshin përcaktuar kufijtë e fshatit, mund të jetë një metaforë jo e largët për popujt e Ballkanit, por mbase në veçanti për popujt si shqiptarët e Maqedonisë. Zëri i pushtetit hyjnor, apo politik nuk kishte shkuar larg në histori dhe kishin mbetur brenda mikrobotës së tyre, gjithnjë në pritje se ç‘të re do të sjellin luftërat, apo ndryshimet e pushteteve. E vetmja dalje e këtij fshati metaforik në botë është te kullosat e Sulltanit në Edrene, një rrugëtim i gabuar që barinjtë i çon një vit në Dalmaci dhe shkuarja në Gjermani, atëherë kur u hapën kufijtë e socializmit jugosllav.
Nëse kjo është bota e jashtme, kufijtë e përcaktuar nga zëri i hoxhës kanë ruajtur një botë të pasur të brendshme, të cilën e shtjellon me një mjeshtri autori. Dhe, brendësia e asaj bote mund të lexohet po ashtu si metaforë kolektive, e përshkruar edhe në titullin e librit: "Ne jemi fëmijët e viteve të urithit, u rritëm në një kohë kur duhej herë të bëheshim të padukshëm, e herë të dilnim në sipërfaqe sa të shihnim se jemi ende të gjallë!" – thotë njëra prej personazheve të librit.
3.
Rrugëtimi i gjatë i autorit për të dalë nga Vitet e Urithit ndoshta përmban metaforë po aq të fuqishme, sa edhe titulli e shumë të tjera të përdorura në roman. Kim Mehmeti kishte filluar të shkruante në gjuhën maqedonase, për ta mësuar veten me vite të tëra, që të mbërrinte shprehjen në shqipe me të njëjtën cilësi si në atë të gjuhës së parë të tij letrare. Ky rrugëtim e ka tërhequr në rrugë paralele, të gazetarit komentues dhe të tregimtarit, për ta përmbyllur me një stad kthese, tash me këtë roman që fitoi çmimin e parë "Rexhai Surroi" për veprën e vitit në këtë zhanër për hapësirën shqiptare. Në një formë, pjekuria e tij shprehëse merr përmasa kolektive për shoqërinë shqiptare në Maqedoni.
"…ne ngandonjëherë ngutemi të rrëfejmë për të kaluarën, nga shkaku se duam që ajo të barttë vulën e të vërtetës sonë, se nuk e bëjmë këtë aq për të shpalosur ndonjë të vërtetë sa nga nevoja të bëhem pjesë e të vërtetave", thotë rrëfimtari në roman.
Në fakt, rrëfimi i Kimit, sikurse thotë rrëfimtari, përmban në vete vulën personale, pjesëmarrjen në të vërtetat, madje edhe atë fillestaren, apo fondamentalen, se Vitet e Urithit kanë përfunduar me vetë aktin e të shkruarit për to. Përshkrimi i tyre vulos fundin.
4.
Fundi i Viteve të Urithit hap një dimension të ri kolektiv për fshatin metaforik të autorit: tashmë kur nuk ka nevojë më për fshehje, kur mund të shprehesh lirshëm, ç‘do të thuash?
Për shkrimtarin thuhet, gjëja më e rëndësishme është që të gjejë zërin vetjak. Kim Mehmeti definitivisht e ka gjetur, siç e dëshmon mjeshtria e zejes e shprehur në këtë roman. Tash i mbetet të vazhdojë të kërkojë më tutje në shpjegimin që e jep rrëfimtari i romanit: "Ai e dinte se të gjitha ngjarjet që i rrëfenin fshatarët kishin së paku nga tri domethënie: atë që ua japim dhe u besojmë ne, atë që e besojnë dhe e thonë të tjerët, dhe domethënien që e kalb dheu, së bashku me të ndjerin, që atë domethënie përjetë e ka mbajtur të mbyllur në vetvete".
(Shkrimi i botuar në gazetat; Koha Ditore-Prishtinë, Gazeta Shqip-Tiranë dhe Gazeta Lajm-Shkup)