Shkruan: Kim MEHMETI
Maqedonia si shtet, i ngjanë një shtëpie me shumë hyrje, nga të cilat futen e dalin etnitetet e shumtë, por çelësat e të gjitha dyerve të saj, i mbanë vetëm partia politike maqedonase në pushtet. Pra, ky shtet i ngjanë shtëpisë që ka shumë pronarë, por vetëm njëri nga ata është imponuar si i zoti i sajë dhe vetëm ai merret me të hyrat dhe të dalat materiale, me kopshtin e përbashkët ku të gjithë punojnë, por duke mos mundur të marrin pjesë në ndarjen e fitimit dhe duke mos mundur të vendosin asgjë rreth rregullimit të oborrit. Andaj, në këtë shtet ndodh e pritshmja, ndodh e pashmangshmja për një shtëpi të përbashkët ku kryepronari i vetëshpallur, të lë vetëm dy zgjidhje: o ta bindësh se ashtu nuk drejtohet e përbashkëta, o t’ia marrësh çelësat e hyrjes sate dhe çdonjëri ta mirëmbajë e ta kontrollojë pjesën e vet të shtëpisë. Në të vërtet, ekziston edhe një zgjidhje tjetër përpos këtyre që u përmendën: të pranosh rolin e vasalit, i cili do paguaj taks të dyfishtë – njërën sunduesit, e tjetrën për ta rregulluar brendinë e pjesës së vet të shtëpisë.
Duke qenë Maqedonia shtet i shumë pronarëve, por i drejtuar dhe i kontrolluar vetëm nga elitat politike maqedonase, që vijnë e shkojnë nga pushteti, s’ka si mos e kesh përshtypjen se partitë shqiptare të përfshira në koalicionet qeveritare, ishin dhe mbetën vasalë që zbukurojnë buqetën politike, që vetëm u jepnin legjitimitet qeverive të dikurshme të Maqedonisë dhe e legjitimojnë qeverinë e sotme të Gruevskit. Dhe, ky vasalitet i partive shqiptare në pushtet, kurrë nuk ka qenë aq i dukshëm dhe aq pervers sa gjatë koalicionit të sotëm qeverisës të VMRO-DPMNE-së. Me çka, Maqedonia e sotme gjithnjë e më shumë i ngjanë asaj të dikurshmes që ndërtohej mbi themelet e ideologjisë socialiste, e të cilën, njësoj si këtë të sotmen, e sundonin elitat politike maqedonase, të ndihmuara nga një grusht shqiptarësh që e legjitimonin sundimin e tyre.
Sa i përket rolit vasal të partive shqiptare në pushtet, e kotë është të flitet se cilët kanë qenë vasal më të përkushtuar: ata që i kanë shërbyer Crvenkovskit, apo partitë që i ka manipuluar Gruevski. Ky dallim mbase edhe nuk ka të bëjë me përmbajtjen, por vetëm me formën. Por, ka vetëm një gjë që e dallon vasalitetin në qeveritë e LSDM-së, nga ato në koalicionet qeverisëse të VMRO-DPMNE-së: përderisa Crvenkovski mundohej ta fshehë këtë vasalitet të partive shqiptare, Gruevski atë e bënë sa më të dukshëm, duke arritur kështu të merr pikë te pjesa me disponim antishqiptarë e popullit maqedonas. Dhe ky vasalitet i përmasave më perverse që Gruevski ua imponoi partive shqiptare, e arriti kulmin me ardhjen e PDSH-së në qeveri në vitin 2006 dhe u vulos si mënyrë e të sunduarit, me hyrjen e BDI-së në koalicionin qeverisës të VMRO-DPMNE-së. Me çka, ky vasalitet u bë aq i dukshëm, sa atë nuk e shohin vetëm ata që s’kuptojnë se nuk e përcakton emërtimi “demokratik” përmbajtjen, por përmbajtja i përcakton proceset demokratike në një vendi. Apo, këtë vasalitet nuk e shohin vetëm ata që mendojnë se nëse plehun e quan “lëndë ushqyese për të mbjellat”, atë e ke bë të ushqyeshëm edhe për gjallesat e kësaj bote.
Ndërtimi i shtetit sipas rregullave të sunduesit që kujdeset për tërë shtetin dhe vasalit që mbikëqyrë popullin dhe “nahijen” e vet, e solli Maqedoninë këtu ku ndodhet sot: ti ngjajë një shoqëria ku jetojnë dy botë paralele – ajo e shqiptarëve dhe ajo e maqedonasve. Aq më shumë, kjo mënyrë e të sunduarit me Maqedoninë, nxit dhe ushqen mosmarrëveshjet ndëretnike dhe ndëreligjioze. Duke qenë sunduesi mbrojtës i interesave të vetëm një etniteti – atij maqedonas, dhe të vetëm një religjioni – atij ortodoks, ky shtet gjithnjë e më shumë i ngjanë shtëpisë me ballina të stolisura me mbishkrime cirilike dhe kryqe ortodokse, e në brendinë e të cilës banorët lexojnë e shkruajnë edhe shqip. Pra, një Maqedoni e sunduar sipas rregullave të sunduesit që ka vasalin e vet, ishte e pamundur të mos përfundojë si një shoqëri ku bëjnë gara dy etnitë numerikisht më të mëdha – ajo maqedonase me atë shqiptare. Dhe kjo garë e tyre ka të bëjë me orvatjet e sunduesit që sa më gjatë ta shfrytëzojë dhe ta mbajë nënë kontroll të nënshtruarin dhe, me padurimin e shqiptarëve që të bëhen bashkësundues të këtij shteti.
Por, ka kohë që kjo betejë ndëretnike, ka marrë edhe nuanca ndëreligjioze. Duke barazuar përkatësinë etnike të shqiptarëve të këtushëm me religjionin islam, në Maqedoni zhvillohet edhe gara mes kryqit dhe gjysmëhënës. Garë të cilën partitë shqiptare bëhen kinse nuk e shohin shkaku i syzeve sekulariste që kanë, e në të vërtetë, ashtu mbulojnë paaftësinë për t’i kundërshtuar projektet e VMRO-DPMNE-së që kanë për qëllim ta deshqiptarizojnë dhe ta deislamizojnë Maqedoninë. Andaj, nëse e gërvishtë antiislamizmin maqedonas, nën sipërfaqen e tij do e shohësh antishqiptarizmin, do e vëresh se ata i kanë barazuar shqiptarët e këtushëm me përkatësinë e tyre fetare. Me çka, atyre u është imponuar edhe mbrojtja e fesë islame, pjesëtarë të së cilës janë edhe etni tjera që jetojnë në Maqedoni. Apo, shqiptarët e këtushëm erdhën në pozitë që të duken myslimanë më fanatik se të tjerët, edhe pse në realitet ata me shekuj e dinë se kryqi e gjysmëhëna janë fole e ngrohtë e shqiptarisë.
Pa dyshim se, kështu siç funksionon shteti i quajtur Maqedoni, partitë shqiptare nuk kanë zgjidhje tjetër përpos të pranojnë rolin e vasalit që e ndihmon sunduesin më lehtë t’i mbajë nënë kontroll shqiptarët. Dhe nëse është kështu, atëherë autori i këtij teksti beson se nuk ka nevojë për shpjegime plotësuese se çka duhet të bëjnë shqiptarët e këtushëm që të shpëtojnë njëherazi si nga sunduesi, po ashtu edhe nga vasalët: sa për fillim do mjaftonte ta ndërronin bravën e derës të hyrjes së tyre. Dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse ata ia dalin t’i deligjitimojnë vasalët e vet në qeverinë e VMRO-DPMNE-së dhe nëse Gruevskit ia bëjnë të qartë se institucionet shtetërore që ai ndërton, janë të papranueshme për shqiptarët e këtushëm. Për ta bërë këtë, mjafton të përdoren mjete demokratike, në të cilat numërohet edhe mosdëgjueshmëria qytetare. Ç’ka, m’u bë se dikush tha diçka posa i shkrova rreshtat e mëparshëm, m’u be se dikush pyeti si duhet vepruar më tej nëse Gruevski bëhet i shurdhër ndaj revoltës shqiptare të shprehur nëpërmjet protestave dhe padëgjueshmërisë qytetare ndaj institucioneve shtetërore? Këtë pyetje mund ta shtrojnë vetëm ata që nuk i besojnë popullit të vet, vetëm ata që mendojnë se shqiptarët e këtushëm nuk dinë të ndërtojnë institucionet shtetërore që do u mundësojnë, o njëherë e përgjithmonë të bëhen bashkësundues të këtij shteti, o çdonjëri t’i mbajë vetëm çelësat e hyrjes së vet në shtëpinë e quajtur Maqedoni.