Back

Duke e pritur të tretin

Shkruan: Kim MEHMETI

Kur në shkurt të vitit 2002, Ali Ahmeti shpalosi idenë e vet për themelimin e një Këshilli Koordinues të partive shqiptare në Maqedoni, në të vërtetë ai dëshmoi se mirë e kishte lexuar kontekstin e ri historik. Se e dinte që grindjet brenda-shqiptare, rëndë do ta dëmtonin realizimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe demokratizimin e shqiptarëve të këtushëm. Por, me këtë propozim, ai dëshmoi edhe diçka tjetër: sa nuk i njihte kurvat e vjetra partiake të parakonfliktit, e që ishin kripur me privilegjet që i sjell grazhdi i pushtetit. Dëshmoi se nuk e dinte se udhëheqësit e këtushëm partiakë, vepronin sipas parimit: nëse e zë ngushtë kundërshtarin politik, ai i zbret pantallonat, e nëse të zë ngushtë, ta zbërthen rripin pa të pyetur. Andaj, atij edhe do t‘i dështojë orvatja e vitit 2002, që të parandalojë atë që ndodh sot me shumëpartizmin e shqiptarëve të Maqedonisë. Pra, atij i dështoi orvatja të parandalojë këtë që sot disa e quajnë "tradhti kombëtare" të PDSH-së, dhe të shpëtojë vetveten nga mundimi i tanishëm, që të dëshmojë se askush përpos votuesit shqiptar, nuk ka legjitimitet të caktojë përfaqësuesit e kësaj popullate nëpër institucionet më të larta shtetërore. Apo, të shpëtojë vetveten nga roli i "misionarit" të përkushtuar, i cili e ka vështirë të pajtohet me bindjen se shumë nga partitë shqiptare në Maqedoni, janë pjellë e inateve grupore, e jo e koncepteve politike. Dhe si të tilla, bashkëveprimit i ikin si djalli temjanit.

Sa i përket "mamasë" me emrin inat politik, ajo polli aq parti shqiptare, sa ishte numri i atyre që jetonin me bindjen se janë të denjë për të qenë "baba" të kombit. Dhe aq u pasurua ambienti politik me udhëheqës partiakë, sa edhe me këngëtarë që këndonin "tallava". Ai inat politik, këto ditë e lindi edhe një parti shqiptare në Maqedoni: Bashkimin Demokratik Shqiptar të Bardhyl Mahmutit. Të po atij Bardhyl Mahmutit, i cili me plot entuziazëm u kthye nga Prishtina në Tetovë dhe u bë pjesë e PDSH-së në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006. Por, mbase duke u ngutur që sa më shpejt të zërë vend në mitingjet parazgjedhore të kësaj partie, Mahmuti asokohe nuk kishte arritur të lexonte drejt "kontratën" që kishte nënshkruar me kryesuesit e PDSH-së. Kështu që vonë e mori vesh se ata e kishin angazhuar si "punëtor sezonal", e jo si aktivist afatgjatë. Andaj, edhe pasi e kreu obligimin për të cilin "paguhej" – ta shajë ashtu siç nuk e kishin sharë Ali Ahmetin as maqedonasit etnikë dhe të zbulojë gjithë intelektualët "antishqiptarë e të shitur" – kryesuesit e PDSH-së i rikujtuan atij të rilexonte "kontratën". Dhe të shihte se "afati i përdorimit" i kishte kaluar që nga dita kur PDSH-ja u bë pjesë e qeverisë së Gruevskit. I gjetur jashtë lojës dhe si çdo njeri me "dinjitet dhe karizëm" (lexo: që ka inat), ai bëri të vetmen që i mbetej atij që ndjehet si "dashnore e braktisur": themeloi partinë e vet. Që do të thotë, tani kërkon pjesën e vet të popullit shqiptar në Maqedoni. Dhe mbase edhe do e gjejë, por vetëm nëse ndërkohë nuk ndodh që çdo fshat të ketë partinë e tij. Apo, do mundë ta gjejë, vetëm nëse shqiptarët e Maqedonisë ende janë në kërkim të "partisë së vërtetë". Pra, nëse janë aty ku ndodheshin në periudhën e parakonfliktit, kur partitë u neveriteshin posa bëheshin pjesë të koalicioneve qeveritare. Kur gjithmonë e prisnin të tretin.

Sa për rikujtim: shqiptarët e Maqedonisë, demokratizimin e tyre e filluan me dy parti – Partinë për Prosperitet Demokratik dhe Partinë Popullore Demokratike. Ende pa u çlodhur nga mitingjet, ku u duartrokisnin udhëheqësve të këtyre dy partive, ata u dhanë në kërkim të "alternativës së tretë". Dhe atë e gjetën te PDSH-ja. E cila shumë shpejt ua solli shpirtin në majë të hundës dhe i nguti shqiptarët e këtushëm të merrnin armët e të dilnin maleve, ku i priste UÇK-ja e Ali Ahmetit. Dhe kështu ndodhi 2001-shi, që ua solli vlerën më të madhe që kanë – një kryengritje autoktone dhe Marrëveshjen e Ohrit. Përpos kësaj, konflikti i këtij viti, ua solli edhe partinë e Ali Ahmetit – Bashkimi Demokratik për Integrim. Partinë, e cila ende është më e përkrahura nga shqiptarët e këtushëm, por e cila gjithsesi do duhet të përballet edhe me një parti të re – atë të Bardhyl Mahmutit.

Realisht vlerësuar, BDI-së ende nuk i kanoset rreziku ta margjinalizojë cilado nga forcat partiake ekzistuese. Jo shkaku se ka ndonjë strukturë të shëndoshë partiake, por për shkak se në prapavijën e emblemës së saj, ende shkëlqejnë shkronjat e ish- UÇK-së, si edhe ato të emrit të ish-komandantit të saj – Ali Ahmetit. Por, m‘u kjo përparësi e BDI-së, është edhe pika më e dobët e saj. Sepse kjo parti ka filluar t‘i ngjajë familjes që jeton nga kapitali i trashëguar, e familjarët e së cilës kanë harruar se asgjë nuk harxhohet aq shpejt sa "paraja e gatshme". Harresë që mund t‘i dëmtojë më shumë se cilido nga kundërshtarët partiakë.

Përpos "kapitalit të gatshëm", që i bënë dembelë aktivistët e BDI-së, përpos boshtit të fortë kurrizor – famën e ish-UÇK-së dhe atë të Ali Ahmetit – kjo parti ka edhe dy "krahë" që flatrojnë të pakoordinuar. E dy krahët e kësaj partie – ai "i luftëtarëve" dhe ai i "intelektualëve" – pa Ali Ahmetin dhe famën e ish-UÇK-së, do mbeteshin si gjymtyrë pa trupin e tyre. Sy dy kundërshti aq të largëta sa edhe kapela e "Komandant Mësuesit" dhe shalli i tejdukshëm, i hedhur krahëve, i nënkryetares së kësaj partie. Kapela simbolizon bindjen mburracake të "krahut ushtarak" të kësaj partie, se atyre u ka borxh populli dhe shalli i mbështjellë besimin e krahut të vetëpëlqyer "intelektual", se u ka borxh partia. Diku, në mes të këtyre dy bindjeve kundërthënëse, qëndron Ali Ahmeti, i cili mbase e ka vështirë t‘i bindë bashkëveprimtarët e tij partiakë se partia nuk është "klub" ku lahen borxhet, se veprimi politik mbështetet vetëm mbi një bindje: ambiciet vetjake janë pranga në këmbë, e votuesit kamxhik që të godet pas çdo hapi të gabuar.

Mbase Ali Ahmeti edhe nuk e ka lehtë si "trup" i dy krahëve nga pak të retarduar. Kështu që, ai ndodhet para dy zgjidhjeve: ose t‘i ri-rreshtojë radhët partiake, ose edhe më tej të mbetet peng i "intelektualëve" që dinë, por janë konformistë dhe i "komandantëve" që mendojnë se kapela mbi kokë, e ngroh trurin dhe ia ripërtërin atij qelizat e mençurisë. Pra, Ali Ahmeti ose do të kuptojë se nuk është opozitë e thjeshtë, por lider partiak që duhet të mbrojë votën e shqiptarëve të Maqedonisë, ose shumë shpejt do duhet të përballë "misionarin" me politikanin në vetvete. Dhe kështu të sheh se ndoshta sot e ka më vështirë se atëherë, kur nga Zvicra kishte ëndërruar se si do të kthehej në atdhe, apo në ditët kur nga malet ku jehonin krismat, kishte menduar ditët e qeta që do t‘i jetonte pranë familjes. Do e kuptojë, pra, se disa nga veprimtarët e tij partiakë, mund ta harxhojnë më kot edhe famën e aleatëve që fituan në Luftën e Dytë Botërore, e lëre më atë të ish-UÇK-së së tij. E harxhues të pakujdesshëm të së trashëguarës, mund të jenë vetëm ata, të cilët i nënshtrohen inatit, e jo bindjes se vetëm veprimi i koordinuar sjell rezultate. Pra, ata që nuk e kanë kuptuar se inati nuk të çon më larg se aty ku ndodhet sot PDSH-ja: të hash bukën e shqiptarëve, e të punosh në "arën" e Gruevskit. Me ç‘ka mbase duan të dëshmojnë atë që dihet: me inat arrihet vetëm një gjë – të shkatërrosh vetveten, para se të arrish ta plasësh kundërshtarin.                     

(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)