Shkruan: Kim MEHMETI
Është e pahijshme, është edhe e turpshme, që dy dekada me radhë t’i harxhosh duke dënesur e duke u ankuar se je i dëmtuar, duke kërkuar të drejta kolektive në një shtet virtual siç është Maqedonia. Është poshtëruese që si pjesë e popullit që ka dy shtete pas shpine, të mos ia dalësh të faktorizohesh në një shtet ku në shumicë është një popull, të cilit, njëri nuk ia njeh gjuhën, tjetri emrin, i treti kishën e ai vetë ende nuk e ka kompletuar certifikatën e lindjes dhe nuk i njeh prindërit e vet. Është përtej të palogjikshmes të mbetesh në pozitën inferiore politike në një shtet, ardhmëria e të cilit varet nga shqiptarët po aq sa edhe nga ata që janë vetëshpallur pronarë të vetëm të tij. Por, që ta kuptojnë shqiptarët e Maqedonisë se në cilën shkallë të përbuzjes politike kanë arritur, që ata të shohin sa e pahijshme është sjellja e tyre politike, sa poshtëruese është të thuash se je i padrejtësuar nga elitat politike maqedonase që luftojnë të nxjerrin kartën e identifikimit për popullin e vet, pra që shqiptarët e këtushëm ta kuptojnë se prej moti letërnjoftim të vetin politik kanë inferioriteti dhe rolin e vajtuesit, më parë do duhet të pranojnë se gjatë këtyre dy dekadave, duke rrëfyer për padrejtësitë që ia bëjnë të tjerët, ata në të vërtetë vizatonin portretin e saktë të mjerimit të tyre politik, ata kompletonin mospasjen aftësi t’i dalin zot vetvetes në një shtet ku as qeni nuk e dinë cilin e ka pronar.
Shqiptarët e Maqedonisë prej moti e kanë harxhuar mundësinë që për atë që u ndodh të fajësojnë qarqet politike maqedonase. Sepse qarqet politike maqedonase bëjnë atë për çka i detyron kontrata politike që kanë me popullin e vet. Pra, shqiptarët e këtushëm është dashur prej moti ta kishin të qartë se s’kanë çka kërkojnë nga kryeministri maqedonas Gruevski, sepse ai asgjë nuk u ka premtuar dhe bënë atë që i ka premtuar popullit të vet. Ata do duhej ta dinin se s’kanë çka presin as nga presidenti i maqedonasve Gjorgjia, sepse ai atyre as që ua ka përmendur emrin gjatë fushatës parazgjedhore. Pra, shqiptarët e Maqedonisë janë të padrejtë kur revoltën e tyre e drejtojnë nga ata që nuk u kanë premtuar gjë, me të cilët nuk kanë lidhë asnjë kontratë politike, e jo ndaj partive të tyre me të cilat kanë marrëveshje zgjedhore, të mbështetur në premtime konkrete. Marrëveshje e cila në asnjë nenë të vetin nuk thotë se posa të marrin votën e popullit dhe të ulen në kolltukët qeveritare, politikanët shqiptarë do bëhen mbulesë për qeveritarët maqedonas, se do shërbejnë vetëm për t’i dhënë legjitimitet veprimtarisë ndërtuese të Gruevskit, i cili Maqedoninë e mbulon me kryqe, kisha dhe përmendore antike.
Shqiptarët e Maqedonisë prej moti e kanë humbur mundësinë të protestojnë përpara godinës qeveritare apo rezidencës së presidentit të shtetit. Sepse ajo qeveri dhe ai president kurrë nuk u ka premtuar atyre asgjë. Andaj, nëse ata ndjejnë pakënaqësi për atë që u ndodh, do duhet pakënaqësinë ta shfryjnë atje ku kanë depozituar kontratën e tyre politike: përpara selive të partive shqiptare, atje nga dy dekada u premtohej shumëçka, duke i lënë gjithmonë aty ku janë sot. Pra, atë që u takon, shqiptarët duhet të kërkojnë nga ata të cilëve ua dhanë legjitimitetin që të ndërtojnë shtet të popujve të barabartë, e jo shtet të qeveritarëve maqedonas që sundojnë dhe vasalëve shqiptarë që mashtrojnë.
Është e pahijshme, është përbuzëse të ankohesh se nuk mund t’i realizosh të drejtat në një shtet ku ke përball elitat politike maqedonase, të cilat, do e harronin edhe adresën e godinës së parlamentit dhe të qeverisë, po të kishin guxim politikanët shqiptarë t’u thoshin: Zotërinj, pjesën tuja të shtetit edhe mund ta stolisni me kisha dhe përmendore, por mos gaboni të kaloni “matanë lumit”, mos e prekni buxhetin shtetëror që u takon shqiptarëve, sepse në bregun matanë jetojnë njerëz që dinë të dallojnë kush duhet të ndërtojë xhamia e kush shkolla dhe biblioteka! Por, ku ta dish, mbase pas vizitës zyrtare të Fatmir Sejdiut në Shkup, çdo gjë do ndryshojë. Mbase Sejdiu ka pranuar ftesën e Gjorgjisë të vizitojë Maqedoninë vetëm sa të vijë e t’ua thotë shqiptarëve të Maqedonisë atë që nuk guxojnë t’ia thonë politikanët e këtushëm shqiptarë: se nuk u ka hije të qajnë për atë që u ndodh!
Por, cila do që të jetë arsyeja pse Sejdiu ka pranuar ftesën të vizitojë Shkupin, mbetet e vërteta se Gjorgjia atë nuk e ftoi në ceremoninë e inaugurimit të vetë. Dhe këtë e bëri sepse e dinte se Sejdiu do ngushëllohet me vizitën si president i parë që e ka vizituar Maqedoninë e epokës së Gjorgjisë. Pra, mbase dikush i ka thënë Gjorgjisë se nuk do gabojë nëse ndaj Sejdiut sillet si burri ndaj gruas, të cilën, ngaqë nuk mund ta merr në premierën teatrore ku do takohet me dashnoren, i premton se me të do shkojë në shfaqen e parë pas premierës, e kur nuk do i bezdis askush. Gjë të cilën, siç duket, Fatmir Sejdiu e ka pranuar. Me siguri duke shpresuar se si i pari president që do e vizitojë Gjorgjinë, do hyjë në historinë kombëtare dhe atë mbarënjerëzore. Mbase edhe do mund të hyjë, por si dy veta në një, si dy të mbetur nënë gërmadhat e lojërave politike të Ballkanit.
Nuk ka dyshim se ardhja e Topit në ceremoninë inauguruese të Gjeorgjisë dhe vizita e paralajmëruar zyrtare e Fatmir Sejdiut në Shkup, më së miri shpjegojnë sa e turpshme është pozita e shqiptarëve të këtushëm, sa me mospërfillje sillen ndaj faktorit politik shqiptarë elitat pushtetare të Maqedonisë. Sepse sikur shqiptarët e këtushëm të ishin bashkëqeverisës të shtetit, sikur ata të mos ishin në rolin e vajtuesit që dy dekada me radhë kërkon atë të cilën nuk dinë ta merr, pra sikur partitë shqiptare t’u përmbaheshin kontratave politike që kanë nënshkruar me popullin që i ka votuar, në ceremoninë inauguruese të Gjorgjisë nuk do merrte pjesë asnjë deputet shqiptarë. Dhe Topi e Sejdiu edhe do mund të vinin në Maqedoni, por jo që të takoheshin e të madhëronin ceremoninë inauguruese të Gjorgjisë, por që të takoheshin me pjesën e popullit të vet këtu, që t’u tregonin shqiptarëve të këtushëm se është e turpshme të qash dy dekada me radhë, se nuk është e hijshme të akuzosh të tjerët për atë që nuk je i aftë ta realizosh vet. Pra t’u tregonin shqiptarëve të këtushëm dhe politikanëve të tyre se ka diçka që e bënë të ngjashme dënesën e fëmijëve me atë të popujve: qajnë atëherë kur nuk ka kush i mbron dhe kur ndihen të humbur.