Back

Ecja drejt çmendurisë ndërpartiake

Shkruan: Kim MEHMETI

U rrahën parlamentarët shqiptarë në Maqedoni. Pastaj u rrahën edhe simpatizantët e tyre. E më në fund, policët maqedonas rrahën kë mundën dhe të lënduarit i çuan në spital. Kështu do mundej shkurtimisht të përshkruhet ajo që ndodhi në Parlamentin e Maqedonisë para disa ditëve. Dhe kjo informatë e shkurtër do mund të ilustrohej me fotografinë ku shihen tre veta: kryetari i PDSH-së që shtrëngon dhe shtyn përpara vetes deputetin e BDI-së, zëvendësministri i Punëve të Brendshme të cilin deputeti i partisë së Ali Ahmetit e pyet: "Zoti zëvendësministër, pse më goditni me shkelma?!" Por, as ai, e as kryetari i PDSH-së, nuk ua varin veshin pyetjeve të tij. Ata vazhdojnë ta mbajnë të mbërthyer në mes, duke mos i lejuar të largohet. Në të vërtetë, kjo fotografi më së miri shpjegon situatën e shqiptarëve të Maqedonisë: ata prej moti janë në kthetrat e rrugaçërisë partiake. Shqiptarët e Maqedonisë prej moti ecin rrugës nga i drejtoi Arbër Xhaferi dhe Gruevski pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006: rrugës së grindjeve ndërpartiake që do mund të marrin edhe përmasat e konfliktit tragjik, si ai i palestinezëve të mjerë – mes "Hamas"-it dhe "Al-Fatahut". Dhe mbase edhe Maqedoninë ta shndërrojnë në "Rripin e Gazës" së Ballkanit.

Rrahjen mes deputetëve shqiptarë e nxiti fjalimi provokues i kryetarit të PPD-së lidhur me propozim ligjin e ri zgjedhor. Ligj i cili në thelb është antishqiptar dhe ka për qëllim margjinalizimin e potencialit politik të shqiptarëve të këtushëm. E kryetarin e PPD-së mbase dikush e kishte obliguar që sa më shumë t‘i provokojë deputetët e BDI-së. Aq shumë sa ata të mos mundeshin të përmbaheshin, të bënin gabimin që nuk u lejohet – ta sulmonin fizikisht. E që pastaj, rrahjen e tyre më së miri ta komentonte kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, i cili e braktisi sallën e Kuvendit me kërcime gazmore si të majmunit. Dhe nuk u mor vesh se ç‘donte të shprehë me këto kërcime gazmore: atë se regjia për t‘i çuar shqiptarët drejt tragjedisë së vëllavrasjes mirë po zhvillohej, apo diçka tjetër. Çka do që ta ketë nxitur gëzimin e tij, mbetet e vërteta se shqiptarët e Maqedonisë janë të ngujuar në kullën që ndërtuan me duart e veta: në atë të rrugaçërisë partiake. Pra, shqiptarët e Maqedonisë janë të zënë për fyti nga mjerimi vetjak politik, njësoj si nënkryetarja e BDI-së, e cila pohon se ka qenë e sulmuar fizikisht nga kryetari i PDSH-së. Dhe tani shtrohet pyetja, si do shpëtojnë ata nga ky shtrëngim vëllavrasës dhe kush do i shpëtojë. Mos vallë do duhet të huajt të iniciojnë një marrëveshje të Ohrit për pajtimin e partive shqiptare.

Rrahja mes deputetëve shqiptarë, tani është derdhur nëpër rrugët dhe çajtoret e mbushura me të rinjtë e papunë shqiptarë. Ku gjithashtu nxehen gjakrat mes atyre që arsyetojnë njërën apo tjetrën palë. A edhe simpatizantët e PDSH-së edhe ata të BDI-së, harrojnë t‘i lexojnë komentet që lexuesit maqedonas ua bëjnë artikujve të botuar nëpër mediat në gjuhën e tyre ku përshkruhet ky rast. E në këto komente dominojnë thëniet euforike që shprehin kënaqësi e thonë: jepu armë e le të shfarosen mes veti. Pra simpatizantët e partive të këtushme nuk e kuptojnë pse një nga redaktorët e "TV Sitelit" (ai më antishqiptari, që deri në ditët e fundit përkrahte Millosheviçin, që vajtonte bombardimet e NATO-së mbi Serbinë, i cili edhe sot e kësaj dite Kosovën e quan "provinca serbe e Kosovës dhe Metohis" ) me aq entuziazëm i mbron kryesuesit e PDSH-së dhe në mënyrë aq përbuzëse flet për "vrasësit" e Ali Ahmetit.

Pas kësaj rrahjeje mes deputetëve të tyre, shqiptarët e Maqedonisë do duhet të përballen me të vërtetën se qëmoti janë në duart e rrugaçërisë partiake. Dhe kur do dalin përpara pasqyrës së mjerimit të vet politik, do shohin se partitë e tyre arritën të (keq)përdorin dy gjëra: pozitën mjerane ekonomike të shqiptarëve të këtushëm dhe situatën me plot të panjohura lidhur me ardhmërinë e Kosovës. Pra, do shohin se udhëheqësit partiakë të PDSH-së, arritën që të riun e papunë shqiptar ta përdorin si "ushtar" që do i disiplinojnë të padëgjueshmit, e jo si simpatizantë partiakë. Ndërsa situatën në Kosovë – që kërkon maturi nga subjektet politike shqiptare – ta përdorin si mbulesë për veprimin që dihej se çon drejtë vëllavrasjes: të vihen në anën e VMRO-DPMNE-së, e cila ka për qëllim t‘u hakmerret shqiptarëve për konfliktin e 2001.

Është e padiskutueshme se në tërë këtë tragjedi, merita të veta ka edhe partia e Ali Ahmetit. Sepse, e përballur me pamundësinë që të mbrojë vullnetin shumicë politik të shqiptarëve të Maqedonisë, BDI-ja e pranoi lojën e Kryeministrit Gruevski. Lojë e cila e çoi BDI-në të lë përshtypje se qëllim të vetmin e ka pjesëmarrjen me çdo kusht në qeveri, e jo mbrojtjen e votës shqiptare. Në vend që të merrej me popullin, që atij t‘i shpjegonte se qeveria e Gruevskit ka për qëllim të nxisë grindje brendashqiptare, kryesuesit e BDI-së filluan të merren me të pakuptimtën: të mundohen të edukojnë kryesuesit e partisë më antishqiptare në Maqedoni – ata të VMRO-DPMNE-së. Thuajse Gruevski nuk e dinte se çka don të arrijë me atë që e mohoi vullnetin politik të shqiptarëve. Kështu që Ali Ahmeti tani erdhi në pozitë të përballet me diçka më të rrezikshme se konflikti i 2001: të pengojë vëllavrasjen mes shqiptarëve të këtushëm.

Për situatën politike mes shqiptarëve të Maqedonisë, përgjegjësi mbajnë edhe përfaqësuesit perëndimorë në këtë shtet. Në mos për tjetër, shkaku se vonë ata e kuptuan se ku do e çojë Maqedoninë koncepti qeverisës i VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së. Apo ndoshta edhe e dinin këtë, por donin të bënin edhe një eksperiment: atë që do dëshmonte pjekurinë politike të shqiptarëve të këtushëm.

Përballja fizike mes deputetëve të PDSH-së dhe ato të BDI-së, ka edhe energjinë që liderëve të këtushëm partiakë ua dha Tirana dhe Prishtina zyrtare. Të cilat qendra politike, përkrahnin edhe politikanë që shqiptarinë e kishin profesion fitimprurës, ndërsa atdhetarin mbulesë për përfitimet personale. Kështu që shqiptarët e Maqedonisë tani janë nga pak edhe viktimë e bindjeve të disa qarqeve politike të Tiranës dhe Prishtinës, se shqiptarët e këtushëm janë një kope të cilën mjafton dikush të dijë ta gënjejë, e jo ta udhëheqë drejt rrugës së drejt kah përparimi.

Shqiptarët e Maqedonisë edhe mund t‘i vazhdojnë rrahjet mes veti. Do mund të ndodhë që këtu edhe të mos mbetet i parrahur cilido që guxon të thotë çka do qoftë kritike lidhur me destruktivitetin politik të disa udhëheqësve partiakë. Mirëpo, nga do që të shkojnë, ata do të arrijnë të kuptojnë atë që është e kuptueshme edhe sot: o do bëhen sundues të vetvetes, o do mbeten shërbëtorë të qarqeve politike maqedonase. Andaj, rrahja mes deputetëve të PDSH-së e të BDI-së, është konfrontimi i parë i këtyre dy koncepteve: ai i PDSH-së që shqiptarët të mbeten vegël e partive maqedonase dhe ai i BDI-së që shqiptarët vetë të vendosin sunduesit e tyre. Se deri ku do arrijë ky konfrontim, do varet nga ajo se sa ngutshëm shqiptarët e këtushëm do e kuptojnë se partitë e tyre tani për tani janë viktimë e një fenomeni thuajse në kufi me të pamundurën: legalizimin e antishqiptarisë si veprim partiak. Dhe me paturpësinë dhe arrogancën e atyre që arritën këtij veprimi t‘i japin legjitimitet. E kur flitet për turpin, shqiptarët e këtushëm sot atë e përmendin më shumë se cilëndo veti tjetër njerëzore. Ndërkohë duke harruar se turpi është frenim që nuk e lejon njeriun të bëjë shumëçka, por jo çdokush ka turp.

Ndodhi turpi më i madh në Parlamentin e Maqedonisë. Ky është intonacioni i titujve nëpër media në gjuhën maqedonase në Shkup. Dhe poshtë këtyre titujve shihet fotografia e kryetarit të PDSH-së, i cili i ndihmuar nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme i partisë së tij, e shtrëngon deputetin e BDI-së. Kuptohet, që të tre janë shqiptarë. Maqedonasit shikojnë të habitur. Ajo që i dallon këta tre shqiptarë, është përkatësia partiake. Dhe verbëria që me çdo kusht të jenë pjesë e pushtetit. Ajo që nuk shihet në këtë fotografi, është orvatja e mediave maqedonase që kjo pamje të pikturojë portretin grupor të kulturës politike të shqiptarëve të këtushëm. Me çka do i dëshmojnë botës se ku ndodhen maqedonasit etnikë e ku shqiptarët. Mbase edhe do e arrijnë këtë qëllim, sado që ai nuk është i saktë. Sepse ka një të vërtetë që e pranon bota e civilizuar: të zgjedhurit e popullit nuk përfaqësojnë vetëm kulturën dhe vetëdijen e vet, por edhe atë të zgjedhësve.

(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)