Back

Enciklopedia e shtetit dhe popullit të trilluar

Shkruan:Kim Mehmeti

Një popull që ka akademikë si ata që i ka populli i vetëquajtur maqedonas, ai popull edhe gjatë kohë do mbetet i ngatërruar në të kaluarën e vet, duke mos e ditur as vendlindjen as emrin e prindërve. Një popull që ka akademik të llojit të Bllazhe Ristovskit, përjetë do mbetet i hutuar përpara rrugëve që e çojnë drejtë të nesërmes dhe asnjëherë nuk do e kuptojë se shëmtinë tënde, nuk mund ta mbulosh duke i shpallur të tjerët njësoj të shëmtuar sa vetvetja. Dhe një popull që ka akademik si ata që i kanë maqedonasit, është popull që duhet të të dhimbset, sepse ai popull do vuajë shumë deri sa të arrijë të rritë elita kulturore, politike e shkencore të cilat do kenë guxim të përballen me portretin e vërtetë të tyre kolektiv. Më në fund, një popull që ka elita shkencore si këta që e përpiluan dhe e lejuan botimin e Enciklopedisë së Maqedonisë, edhe më tej do jetojë në mjegullën e punimeve “shkencore” që do e dëshmojnë atë që e thonë thuajse të gjithë fqinjët e Maqedonisë, përpos shqiptarëve: se nuk është lehtë të trillosh popull dhe shtet në kohën e internetit. Pra, do dëshmojnë me dorë të vetë atë që thonë disa shkencëtarë grekë, bullgarë e serb: se nga një popull dhe shtet i trilluar, nuk mund të presësh asgjë më shumë, përpos histori, kulturë dhe gjuhë të trilluar, të arnuar nga mbeturinat e popujve tjerë të Ballkanit.

Por, kaq lidhur me ata që e shkruan dhe e lejuan botimin e kësaj Enciklopedi, sa të dihet se ajo shprehë mjerimin e tyre, e jo të vërtetën për shqiptarët. Tani të kalojmë te ata që financuan botimin e saj, pra edhe te shqiptarët në pushtet, të cilët në mos më shumë, duhet ta pengojnë financimin e projekteve antishqiptare me parat e shtetit. Të dalim te përfaqësuesit e BDI-së në pushtet, të cilët këto ditë ishin kritik ndaj autorëve dhe botuesve të kësaj Enciklopedie, thuajse janë organizatë joqeveritare, e jo parti në qeverinë e Gruevskit, të dalim te BDI-ja, e cila duhet të dijë çfarë vendimesh merren nëpër kabinetet ministrore dhe se cilat botime i lëvdon e i përuron kryeministri i këtij shteti.

Kur bëhet fjalë për përfaqësuesit e BDI-së në pushtet, duhet thënë qartë: sa u përket atyre, Gruevski mund të bëjë të gjitha përgatitjet për t’i sulmuar vendbanimet shqiptare, e ata këtë ta marrin vesh pasi t’u bien bombat mbi kokë. Dhe të dalin para nesh e të protestojnë kundër një veprimi të tillë antishqiptarë të qeverisë, thuajse ata kanë qenë kopshtarë të Gruevskit, e jo atë që thonë se janë – bashkëdrejtues të shtetit. Duhet pra të thuhet hapure ajo që është përsëritur shumë herë deri më tani: BDI-ja është pjesë e qeverisë së Gruevskit, për të njëjtat arsye shkaku i të cilave para saj ishte pjesë e koalicionit qeverisës PDSH-ja – që të shërbejë si mbulesë për antishqiptarinë e VMRO-DPMNE-së. Dhe si të tillë, përfaqësuesit e BDI-së, as që guxojnë ta drejtojnë gishtin kah përgjegjësit e vërtetë për botimin e kësaj Enciklopedie: drejtë ministres së kulturës, e cila aq nuk i përfill shqiptarët, sa edhe sot e kësaj dite, e shterë arkën e shtetit për përmendore e kisha, e për kulturën shqiptare nuk ndanë mjete as sa për Kopshtin Zoologjik të Shkupit. Duhet thënë gjithashtu hapur, se mbase, nuk janë larg të vërtetës pohimet se BDI-ja, as që do reagonte kundër botimit të kësaj Enciklopedie, sikur mos kishin reaguar ambasada amerikane dhe ajo angleze.

Kaq edhe lidhur me pushtetarët shqiptarë, sa të dihet se kënd duhet ta padisim për Enciklopedinë e Maqedonisë ne shqiptarët e këtushëm. Tani të themi hapur diçka që ka të bëjë me gjithë ne shqiptarët e Maqedonisë: gjatë dy dekadave të kaluara, më të vlefshmen që ne bëmë, ishte t’u dëshmonim qarqeve antishqiptare maqedonase dhe “kolltukokratëve” tanë shqiptarë, se jemi kolektivitet që ka një virtyt shumë të lartë njerëzorë – di të falë, por edhe një mangësi trishtuese njerëzore – harron shpejt. Si të tillë, ne mirë bëmë që i falëm të gjitha “brodecat” tanë, por nuk bëmë mirë që i harruam të burgosurit e pafajshëm, që nuk kërkuam përgjegjësi nga askush, as nga pushtetarët tanë të që u vunë në krahë të terrorit shtetërorë mbi shqiptarët, e të cilët sot na tregojnë për mjerimin që shprehë Enciklopedia skandaloze e Maqedonisë, duke mos na shpjeguar në ndërkohë se çka tregojnë “brodecat” që na ndodhën. Ne mirë bëmë që falëm “gostivarat” tanë, por nuk bëmë mirë pse aq shpejt harruam se para do muajsh, Maqedonia bleu edhe me parat tonë helikopterë luftarak, pa e ditur këtë pushtetarët e BDI-së, e ne nuk kërkuam përgjegjësi nga ata që duhet të na mbrojë të mos na përsëritet 2001, kur policia dhe ushtria maqedonase, rrafshoi fshatrat e shqiptarëve të këtushëm me granatat që ne ua kishim blerë.

Por, kaq lidhur me autorët dhe botuesit e Enciklopedisë së Maqedonisë, kaq edhe për pushtetarët tanë që i habiti ky botim, financimin e të cilit e ka lejuar qeveria ku ata marrin pjesë, kaq edhe për ne shqiptarët e këtushëm, që nuk e kuptojmë se çdo kush ta bënë vetëm atë që ia lejon. Tani të them diçka që s’ka të bëjë me këtë temë: ka parashikime se deri në vitin 2020, do të vdesë shtypi i shkruar dhe se në Maqedoni, maqedonasit do jenë pakicë etnike. Autorin e këtij teksti nuk e trishton rreziku i zhdukje së gazetave, atë nuk e bënë të ndjehet më mirë pse pasardhësit e tij do mund të jenë pronarë dominues të këtij shteti: atë e mërzit e vërteta se të rinjtë e asaj kohe do qeshen me të gjithë ne të sotmit dhe nuk do ia dalin ta kuptojnë atë që ne kemi shkruar për verbërinë e atyre që kanë dalë në krye të kolonave si vizionar, e duke mos parë as majën e hundës së tyre. Autorin e këtij teksti e brengos e vërteta se në vitet kur Maqedonia do ketë emër dhe mbiemër tjetër, pasardhësit e tij do tallen me këto shkrime dhe do thonë: sa paraardhës budalla që paskemi pas – në vend se të shtrihet buzë detit të marrëzisë njerëzore e të rrezitet siç bëjnë shumica e të tjerëve, ai ka ngul këmbë që atë ta zbrazë me kovë.