Back

Enverizëm, por i shpërndarë

Shkruan: Kiм МEHMETI

Shqipëria shkon drejt Europës së bashkuar e ndarë në dysh dhe nëpërmjet dy rrugëve: rrugës nga është nisur “populli opozitar” dhe asaj nga është drejtuar “populli institucional”. Kosova ecën drejt Europës si tren me dy lokomotiva, e që e zvarrisin në drejtime të kundërta, duke rrezikuar kështu që të humbet ndonjë “vagon” i shtetit më të ri në botë: me lokomotivën që e drejtojnë ndërkombëtarët, e të cilët shohin çdo gjë negative që bëjnë pushtetarët vendas, por nuk e shohin ish-kryeministrin serb, Koshtunica, kur futet në Kosovë i armatosur,  dhe me lokomotivën e drejtuar nga qeveritarët vendorë, të cilët sundojnë duke qenë të mbikëqyrur nga  “kryesunduesit”. Shqiptarët e Maqedonisë ia kanë mësy Europës së Bashkuar të hipur  në autobus, të cilit Gruevski ia ka shpuar të gjitha gomat, e për çka Ali Ahmeti e ka angazhuar gjithë potencialin partiak që edhe ashtu të prishur, atë autobus ta shtyjë e ta shpie deri në Bruksel. E ndërkohë, kryetari i PDSH-së është mbyllur në Tetovë dhe shikon sehir, vepron ashtu siç i ka hije atij të cilin, po nuk e bëre konduktor që t’i mbledh parat e udhëtarëve shqiptarë, ai nuk lodhet as për kahun e udhëtimit, as për fatin e  udhëtarëve.

Pra shqiptarët, kudo që janë, drejtohen nga politikanë, të cilët thonë se kanë qëllim të njëjtë dhe ideal të përbashkët – vlerat perëndimore, por pa treguar se a i mbështesin veprimet e veta politike mbi ndonjë vlerë kombëtare, se a ka diçka të shenjtë shqiptare që ua kushtëzon shpejtësinë dhe kahun e udhëtimit drejtë botës pa kufij. Pra, bota shqiptare udhëhiqet nga politikanë që dinë të komunikojnë në gjuhën angleze me botën përtej maleve, por s’dinë si ta zhvillojnë bisedën politike me kundërshtarët e vet politikë që flasin shqip dhe janë shqiptarë. Me çka, ke përshtypjen se ata duan të na bindin se Europa pa kufij është e përbërë nga popuj dhe shtete të copëtuar brenda vetvetes në “të majtë” e “të djathtë”, se politikanët tanë presin që shqiptarinë ta “arnojë” Brukseli. Dhe duke besuar në gjëra të kota, politikanët e Tiranës ndihen krenarë kur qëndrimet e tyre i mbështet ndonjë figurë ndërkombëtare, e në ndërkohë shahen mes veti si arabaxhinj, ata të Prishtinës janë fjalëmbël ndaj “baballarëve” ndërkombëtarë, e mes veti sillen si ta kishin çliruar Kosovën nga njëri-tjetri e jo nga serbët dhe kuptohet, Ali Ahmeti dehet nga kënaqësia kur dëgjon lëvdata nga diplomatët e huaj, e i mbanë për armiq të përbetuar ata që i thonë se Gruevski do bëhet proshqiptar atëherë kur gici do bëhet qengj vetëm pse është mëkuar me qumësht deleje.

Shqipëria shkon drejt Europës së bashkuar me politikanë që u prishet nuri i fytyrës kur shohin njëri-tjetrin, e le më t’ia urojnë fitoren atij që i ka fituar zgjedhjet. Kosova ecën drejt Brukselit si nuse e re, e cila ka mbetur cullak ngaqë nuk e din cilin fustan të veshë: atë që ia kanë qëndisur ndërkombëtarët, e që i vjen i ngushtë, apo atë që ia kanë qepur vendorët e që ia lë shpinën shpaluar. Shqiptarët e Maqedonisë u janë përkushtuar proceseve euroatlantike po aq sa edhe Ali Ahmeti, i cili më shumë i ngjan Komisarit europian për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, sesa një politikani lokal i cili, para se t’ia mësyjë Brukselit, do duhej shqiptarët e Maqedonisë t’i çonte deri tek institucionet shtetërore në Shkup. Pra, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, politikanët shqiptarë janë të armiqësuar mes veti, ata dinë si komunikohet me të djathtë e të majtë të ardhur nga Europa, por ende nuk e kanë mësuar gjuhën politike për të komunikuar mes veti. Dhe jo vetëm kaq, por ata i mbajnë për miq gjithë të huajt që vijnë të ndërmjetësojnë, e i mbajnë për armiq të përbetuar të gjithë shqiptarët që u thonë se janë duke e përbuzur popullin e vet me ato sjellje.  Me çka shpaloset një e vërtetë e madhe nga e cila vuajnë politikat shqiptare: ato janë fryt i mendësisë enveriste, mendësi e cila kundërshtarin politik do ta shikojë të “vrarë” politikisht. Dhe duke qenë shumica e politikanëve tanë “Envera të klonuar”, ata do kishin bërë të njëjtën që dikur bënte Enveri – do kishin asgjësuar “armiqtë” e shtetit, por nuk guxojnë ngaqë “perdet” janë të ngritura dhe do i shihte e tërë bota. Kështu del se ata nuk ndërtojnë demokraci pse atë e duan, se ata nuk sjellin ligje demokratike pse vlerësojnë lart të drejtat e qytetarëve, por pse ndiejnë nevojë të jenë të pëlqyer nga të huajt. Pra, ata mbase nuk do ishin edhe kaq “tolerantë” sa janë sot, sikur të mundeshin t’i “lëshonin” perdet e të vepronin ashtu siç di  dhe siç ua thotë mendësia enveriste.

Të gjithë politikanët shqiptarë, nga të gjitha trojet e kësaj shqiptarie, i bën të ngjashëm vetëm grindja dhe urrejtja e ndërsjellë. Dhe sa më shumë ata angazhohen që të na çojnë drejt Europës së bashkuar, aq më e qartë bëhet se, nga të gjitha vlerat europerëndimore, ata njohin dhe respektojnë vetëm euron dhe dollarin. Me çka, këtij populli mbase nuk i mbetet asgjë tjetër përpos të mendojë të nxjerrë ndonjë përfitim për vetveten nga kjo grindje ndërpartiake. Andaj, mbase nuk është e tepërt nëse në Tiranë, Prishtinë e Shkup do fillonte promovimi i turizmit politik, ku të huajt do vinin të shihnin se si duken partitë tona që kanë anëtarë që bëjnë grevë urie për t’i hapur kutitë, se si çdo parti shqiptare ka artistët e saj, të shihnin si duket një popull i ndarë në “opozitarë” dhe “pushtetarë”, një popull që ka parti në çdo lagje, por ende ndihet si të ishte i sunduar nga Enveri. Pra, duhet të diskutohet mundësia e zhvillimit të turizmit politik nëpër trojet shqiptare, e ku të huajt do mund të shihnin sa lehtë ndërrohen ligjet, e sa vështirë ndryshon mendësia, të shihni si partitë e këtushme demokratike ia dalin të gjejnë anëtarë partiakë që do flijonin edhe jetën për liderin e tyre. Dhe mbase ky turizëm do ishte më frutdhënësi për t’i mbushur arkat e “Shqipërive” tona, veçanërisht nëse humbësi i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Tiranë, do shkonte një hap më tej në protestat për transparencën e zgjedhjeve: nëse do i lidhte anëtarët e partisë së tij  për shtyllat elektrike nëpër rrugët e Tiranës, apo nëse do i prangoste ata për duar rreth e qark kufijve të Shqipërisë. Me çka, flijimi për votën e lirë do ishte edhe më i denjë dhe më atraktiv për të ardhurit nga Perëndimi. Sa u përket kosovarëve, turizmin politik mbarëshqiptar  ata do mund ta ndihmonin duke qëndruar me një këmbë përpara selisë së EULEX-it, sa herë që në Mitrovicë të hynte ndonjë zyrtar i paparalajmëruar nga Beogradi. E shqiptarët e Maqedonisë janë të vetmit që tani të gatshëm për këtë turizëm të llojit të veçantë: mjafton që Ali Ahmeti t’i qëndrojë besnik Gruevskit, e që të huaj të vijnë e të binden se qëndrueshmëria e sunduesve nuk varet vetëm nga forca e tyre, por mbi të gjitha nga besnikëria e vasalëve.