Back

Era e tokës

Shkruan: Kim MEHMETI

 
Të gjithë njerëzit e kësaj bote jetojnë njësoj: duke e ndërmendur vdekjen dhe duke u munduar sa më madhërishëm ta kremtojnë jetën e tyre. Këtë mbase më së miri duhet ta dinë njerëzit që i janë përkushtuar religjionit, ata që njerëzimin e shohin si një kope të madhe të cilën duhet drejtuar rrugës së drejtë, e jo asaj që mund të jetë më e lezetshme, por që konsiderohet mëkatare. Këtë pra më së miri do duhej ta dinin prijësit religjioz, të cilët i udhëzojnë njerëzit sa më shpesh të kalojnë pranë varrezave, që të ndërmendin se banesat e të gjallëve janë më të ngrohta dhe të ndryshueshme, por ato të të vdekurve janë më të paprekshme. Me çka ata më lehtë do e kuptojnë se pronarë të tokës janë të gjallët dhe se të vdekurit janë pronë e dheut. Apo më lehtë do e zbërthejnë të vërtetën se vetëm të vdekurit dhe të palindurit, janë me të gjitha të barabartë mes veti dhe se vetëm atyre nuk u mungon as hapësirë as kohë.   
Jo vetëm dikur, por edhe sot, religjionet kanë qenë ato që kanë përcaktuar marrëdhëniet mes njerëzve dhe popujve. Religjionet kanë ndikuar edhe në marrëdhëniet mes banorëve të këtij Ballkani, ku shekuj me radhë popujt kanë lëvizur si valët e detit, me çka edhe harta e nëntokës së këtyre hapësirave është vizatuar nga përkatësia etnike dhe religjioze e të vdekurve. Dhe kjo hartë e nëntokës së Ballkanit, si edhe e të gjitha hapësirave tjera, shpeshherë nuk përputhet me reliefin etnik dhe religjioz të atyre që sot jetojnë mbi të. Pra, në barkun e tokës ballkanike, prehen eshtrat e popujve të lashtë, si për shembull ato të ilirëve, si edhe të atyre të ardhur gjatë shekujve të mëvonshëm, si për shembull i sllavëve të jugut. Nëntoka e kësaj hapësira ballkanike përgjithmonë i ka tretur edhe kufomat e ushtarëve të ardhur nga larg, me urdhrin që të zgjerojnë hapësirën jetësore për popujt e tyre. Kështu që Ballkani nuk është vetëm një përzierje etnike e atyre që sot jetojnë në këtë treva, por edhe tollovi varrezash të atyre që kanë ardhur e shkuar, që kanë jetuar e kanë vdekur, duke bërë atë që gjithmonë e kanë bërë popujt e tërë botës: luftëra për të zgjeruar kufijtë e pronës së tyre mbi këtë tokë, duke harruar se ata janë pronë e nëntokës.
Duke qenë Ballkani me shekuj vend ku vdiset për token, por edhe tokë që nuk e ushqen gjithaq lehtë jetën, edhe sot e kësaj dite, kjo hapësirë ka mbetur atdhe ku jetojnë popuj të cilët sa herë që e ngatërrojnë kalendarin e të sotmes së tyre, prehjen e shpirtërore e kërkojnë atje ku tjetër kush është pronar i jetës. Kështu që nuk është e çuditshme pse Patriarku serb, Irinei në mesazhin e tij me rastin e Pashkëve tha se Kosova është Jerusalemi serb dhe, duke u lutur për paqe, nuk harroi t’i bëjë lutje Zotit t’ia kthej Serbisë Kosovën, “djepin shpirtëror" të serbëve. Me çka edhe njëherë dëshmoi se në këto hapësira ka diçka që është rrënjosur aq thellë në vetëdijen e disa njerëzve, sa ata i çon të besojnë se nuk duhet ta kremtojnë jetën me të gjallët që kanë pranë tyre, por me mosdurimin ndaj të tjerëve. Pra, ka diçka që disa njerëz të këtyre trojeve i çon të besojnë se mbi varrin e atij që nuk i takon etnisë dhe religjionit të tyre, mund të mbijë bima e lumturia që u mungon. 
 Duke qenë Ballkani vend ku gjithnjë e më vështirë jetohet, e ku shumë lehtë mund të vdesësh, këtu ende ka përfaqësues popujsh dhe religjionesh që nuk e kuptojnë se kur tokës dhe qiellit u vishet përkatësi religjioze, njerëzit e humbin arsyen dhe harrojnë se toka u takon atyre që shkelin mbi të, e qielli te gjithëve që shikojnë drejtë tij. Andaj, sikur njerëzimi dhe popujt t’u ishin përmbajtur parimeve serbe se u takon e gjitha ku ka një varrë të vetëm serb, apo një kishë të vetme ortodokse serbe, atëherë shqiptarët prej moti do duhej të kërkonin t’u kthehej, në mos gjysma e Ballkanit, atëherë gjithsesi pjesa e Serbisë deri në Nish. Por, njerëzit e mençur e të urtë e dinë se mbi këtë tokë popujt kanë lëvizur si valët e detit, andaj është e pakuptimtë të besosh se e njëjta valë do mund të kthehet aty ku në të kaluarën është përplasur me brigjet e jetës. Kështu që deklaratat e Patriarkut serb, vetëm dëshmojnë atë që dihet prej moti: e keqja e Kishës Serbe nuk qëndron në atë pse ajo e përgatitë rrugëtimin e të gjallëve drejtë vdekjes, por pse ishte, dhe mbeti, ushqyese e ndjenjave antishqiptare serbe. Apo, pse ishte, dhe mbeti udhërrëfyese e atyre  që nuk durojnë askënd që nuk i përkulet kryqit ortodoks. Pra, pse u bë ideatore e politikës serbe, me çka edhe një herë u dëshmua se aty ku janë në bashkëshortësi politika dhe religjioni, mund të lindin vetëm koncepte jonjerëzore të urrejtjes nda të tjerëve, koncepte politike dhe religjioze të mbështetur mbi irracionalen dhe të cilët nuk i sjellin asgjë të mirë as religjionit as njerëzimit. Pra, u pa se aty ku jenë në bashkëshortësi religjioni dhe politike, jeta mbetet e mbuluar nga hija e vdekjes, se aty zbatohen projekte kishtaro-politike dhe nuk dihet se kush e kremton jetën, e kush e bekon vdekjen . 
 Nuk ka dyshim se është mirë njeriu të ndërmend ku prehen të parët e tij, edhe atëherë kur varrezat e tyre ndodhen në “arë” të huaj. Apo, të mbajë mend se ku i janë lutur Zotit paraardhësit e tij edhe atëherë kur ato faltore shënojnë kufijtë se deri ku të parët e tij kanë grabitur tokën që nuk u ka takuar atyre. Por, është shumë keq kur prijës religjiozë, apo politikë, nuk pranojnë që të sotmen ta jetojnë me të gjallët që kanë pranë vetes, por me ëndrrat e pavlefshme të të vdekurve të tyre. Andaj,  ky Ballkan nuk do bëhet hapësirë e përshtatshme për ta kremtuar jetën me hyrjen e shteteve të këtushme në NATO dhe BE, por e tillë do bëhet vetëm atëherë kur këtu do rriten gjeneratat që nuk do jetojnë të përkulur mbi këtë tokë, duke i marrë erë asaj që të zbulojnë se me gjakun e cilës etni apo religjioni është ujitur në të kaluarën. Pra, kjo hapësirë do bëhet vend ku do kremtohet jeta, vetëm atëherë kur disa prijës të këtushëm religjioz dhe politikë do e kuptojnë se toka e qielli nuk kanë as përkatësi etnike, as religjioze, kur do e kuptojnë se toka nuk bartë erën e gjakut të askujt, sepse ajo e shpërlan vetveten me djersën e të gjallëve që i ushqen dhe që ecin mbi të.