Back

Fara e bimës së keqe

Shkruan: Kim MEHMETI

 

            Nuk është fatkeqësi kur një popull ka edhe politikanë të këqij e të papërgjegjshëm, por është e rrezikshme kur politikanët e këtillë arrijë të kenë shtetin dhe popullin e vet. Kur ia dalin që tërë një popull ta ngërthejnë në kthetrat e veta, me çka  papërgjegjësisë dhe të keqes së vet, arrijnë t’i japin dimension kolektiv. E këtë ata e arrijnë në shoqëri ku është vyshkur guximi qytetarë, në mjedise ku nuk është kuptuar e vërteta se të gjitha ndryshimet shoqërore në fillim janë joshëse dhe premtuese, e vjen koha kur bëhen të padurueshme për vet përkrahësit e tyre. Andaj edhe për atë që i ndodhë një kolektiviteti, nuk janë gjithaq fajtorë vetëm politikanët e këtij lloji, por edhe rrethanat si edhe pjekuria e të gjitha shtresave tjera, posaçërisht e atyre që me aq ëndje i quajmë elita intelektuale. A të cilët – njësoj si edhe gjithë të tjerët – boshtin kurrizorë e dëshmojnë në kohë kur ka shtrëngata, kur guximshëm dhe me maturi duhet të shpalosin identitetin e vet, të tregojnë se mbiemër të vetin kanë vizionin për ardhmërinë, ndërsa emër besimin në qëndrimet e veta.

             Sot, kur shqiptarët e Maqedonisë përballen me përplot dilema, kur duhet të jenë të kujdesshëm për hapat politike shkaku i Kosovës, kjo pjesë e popullit shqiptarë, si asnjëherë më parë, e ndjenë çdo të thotë të jesh “periferi kombëtare”. Të jesh “vëllai më i vogël”, i cili sa e ka mirë i mbrojtur nga vëllezërit më të mëdhenj, po aq edhe vështirë shkaku se gjithmonë duhet të kujdeset që atyre të mos u sjellë telashe, të cilat mund ta ngatërrojnë punën e tërë “familjes”. Pra, shqiptarët e Maqedonisë duhet të ndihmojnë  flatërimin e shqiponjës drejtë pavarësisë së Kosovës dhe të kujdesen që të mos ia prishin imazhin as Maqedonisë as Shqipërisë, të cilat me aq mall ecin rrugës së integrimeve euroatlantike. Gjë që do dëshmojë pjekurinë e tyre politike dhe do u kundërvihet disa  politikanëve të këtushëm që këtë kujdes ta (keq)përdorin për të mbuluar papërgjegjësinë dhe të keqen në vetvete. 

            Të zëna me hallin e vet, është e padrejtë nga Kosova e Shqipëria të pritet ndonjë ndihmë në spastrimin e llogarive të sotme ndërpartiake mes shqiptarëve të Maqedonisë. Por kjo nuk vlen tani kur “zënka” e këtushme ndërpartiake merr përmasat që më vonë rëndë mund ta dëmtojnë tërë shqiptarinë, e jo vetëm provincën e shqiptarëve të Maqedonisë. E grindjet brenda shqiptarëve të këtushme, prej moti kanë dalë nga rrafshi “vendorë” dhe gjithnjë e më shumë bëhen pjesë e fotografisë negative të të gjitha politikave shqiptare. Dhe mbase duke dashur të veprojnë të papenguar, duke dashur të ndahen nga kjo fotografia e portretit gruporë politikë mbarëshqiptarë,  kryesuesit e PDSH-së, kohë më parë paralajmëruan se partia e tyre duhet të promovojë një politik “autoktone”. Mbase duke menduar të pavarur nga ajo në Prishtinë e Tiranë. Gjë që në parim nuk është negative, por vetëm nëse Maqedonia dhe shqiptarët në të do ishin ujdhesë e ndarë nga ajo që ndodhë në mbarë shqiptarinë dhe në këtë regjion.

            Ajo që shpalos dështimin e një shoqëria, nuk janë gjithaq veprimet e politikanëve të papërgjegjshëm, veprimet e udhëheqësve partiak që në çdo kohë dhe në të gjitha rrethanat kërkojnë mbulesë për veprimet e tyre të papërgjegjshme. Dështimi i një shoqërie vjen në atë çast kur dikush i rreh studentët e universitetit, e profesorët e atij universiteti vazhdojnë tutje sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Dështimi pason atëherë kur udhëheqësit partiak flasin për pavarësinë e institucioneve arsimore, religjioze, kulturore…., duke iu drejtuar popullit si të ishin ata rektorë universitetesh apo kryesues të bashkësive religjioze e të shoqatave kulturore. E keqja vjen atëherë kur alamet akademik, doktorë shkencash…, ndjehen të privilegjuar kur në darka i thirr “mbreti” partiak, të cilit po t’ia heqësh emblemën partiake dhe kollaren, nga ai mbetet vetëm rrënja katrore e një zeroje të madhe, e shumëzuar me rrugaçërinë, paturpësinë dhe papërgjegjësinë e tij.

             Një popull, apo pjesa e një populli, nuk është e rrezikuar atëherë kur përballet edhe me pretendimet politike të politikanëve grykës, të papërgjegjshëm dhe që kanë qëllim pushtetin për të realizuar përfitime personale. Një popull, apo një pjesë e tij, ndodhet përpara dështimit të plotë atëherë kur bëhet pronë e politikanëve të papërgjegjshëm, kur në altarin e forcës flijon mençurinë, kur elitat e ashtuquajtura intelektuale, bëhen konformiste dhe nuk i intereson asgjë më shumë se (dis)fati personal. Popujt që kanë me mijëra edukues të gjeneratave të reja, a të cilëve truprojat e udhëheqësve partiak ua “edukojnë” studentët me grushte (siç ndodhi në Universitetin Shtetërorë të Tetovës) gjithsesi se rininë ua edukojnë të paedukuarit, edhe ata që kanë diploma me vulën e “Qafës së Thanës”.  Një pjesë e popullit – si shqiptarët e Maqedonisë – që lejon një grusht politikanësh t’ia shuajnë zërin dhe ta fusin në duart e “bandave”, shkon drejtë rrugës së trishtueshme të mohimit të çdo vlere të paktë që posedon. Pra, një populli të cilit askush nuk ua respekton të zgjedhurit e vet, që “alfat” dhe “omegat”e rrugaçërisë shtetërore ngrenë nga parkingu i Kuvendit republikanë veturat e njerëzve me imunitet (siç ndodhi pas konfliktit fizik të paradokohshëm mes deputetëve shqiptarë, kur policia maqedonase i morri veturat e kryesuesve të BDI-së), ai popull ndodhet në paradhomën ku pret t’ia japin certifikatën e papjekurës së të gjitha elitave që ka.

            Shqiptarët e Maqedonisë kanë mijëra arsyetime për atë që u ndodh lidhur me grindjet ndërpartiake që kanë marr përmasat e dy taborëve të ushtrive armiqësore. Duke filluar nga arsyetimi se grindjen ua kurdisin të tjerët, e deri te ai se janë të pambrojtur institucionalisht dhe janë lënë në duart e partive të veta. Por, jo çdo shpjegim është arsyetim dhe jo çdo shpjegim flet vetëm për tjetrin. Shpeshherë, më mirë se çkadoqoftë tjetër, shpjegimet shpalosin edhe pjekurinë, vlerat, tiparet… e një populli. Sepse edhe sikur të ishte e vërtetë se edhe rrahjen ndërpartiake mes deputetëve të PDSH-së dhe BDI-së e kanë kurdisur qarqet antishqiptare të etnitetit maqedonas, atëherë shtrohet pyetje se pse shqiptarët aq mirë e punuan arën ku mundë lehtë të mbijë fara e bimës së keqe e armiqësisë së ndërsjellë. Më në fund, nëse zëvendës ministri që shkelmonte deputetin (pra varësi që zgjidhet në parlament, maltreton të zgjedhurin e popullit) është shqiptarë, nëse kryetari i një partie shqiptare i vërsulet fizikisht një gruaje deputete shqiptare, atëherë për çfarë konceptesh të huaja konspirative flasin shqiptarët e Maqedonisë, kur çdo gjë është e dukshme. Mbase ata nuk guxojnë të përballen me vetveten dhe kështu e kanë më lehtë të bien në gjumë në netët kur në disa vendbanime të tyre, grupe të ndryshme, djegin flamujt e njërës apo tjetrës parti dhe i kontrollojnë të “huajt” (lexo: shqiptarët e partisë kundërshtare) që në orët e vona i vizitojnë këto vendbanime. Mbase kështu ata e kanë më lehtë të mbulojnë të vërtetën se janë në mosmarrëveshje të madhe me vetveten, e jo me të tjerët. 

            Është e vërtetë se edhe në politikë, si në çdo profesion tjetër, ka individë të papërgjegjshëm dhe të pafytyrë. Por të pakta janë shtetet dhe formacionet politike që ndërtohen mbi themelet e rrugaçërisë, pafytyrësisë dhe papërgjegjësisë. Shtete të atilla janë të mundshme vetëm në mjedise ku as ata që duhet, nuk e kanë kuptuar se, që të mbetesh njeri duhet të jesh sa më pakë konformistë. Pra, në shoqëri të mbuluara me rrënoja të njerëzores dhe ku njeri më i vlefshëm është ai që ecë i përkulur. Shenjë njohëse e shoqërive të tilla nuk janë vetëm politikanët arrogantë e të papërgjegjshëm, por edhe kafenetë përplot me ata që ecin kambadorazi, sa më rrafsh me tokën, njësojë si viktima e trembur nga gjahtari, si ai që i është dorëzuar rrugaçërisë partiake dhe shtetërore. Duke harruar se përkulja e tij është materiali më i mirë për ndërtimin e shteteve ku dëgjohet vetëm një zë: ai i politikanëve.

                        

(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)