Back

Galeria e portreteve të njollosur

Ambienti politik, kulturor, mediatik i shqiptarëve të Maqedonisë, i ngjan një pështymoreje të madhe. Shoqëria e shqiptarëve të Maqedonisë është një galeri e personaliteteve publike, ku nuk mund të gjesh asnjë portret të panjollosur, asnjë kornizë të pa shkarravitur me vlerësime negative nga më të skajshmet. Andaj, sikur njeriu të merrte lapsin, e të kompletonte listën e të gjithë emrave të këtushëm publikë, nga cilado lëmi, dhe të shënonte pranë tyre të gjitha thëniet publike për këta individë të njohur, do arrinte deri te një përfundim tronditës: nuk ka burrë mamaje me emër e mbiemër mes shqiptarëve të Maqedonisë, i cili ka mundur t‘i ikë pështymës ngjitëse, të dalë nga goja e atyre që me lehtësi marramendëse kompletojnë listat e spiunëve apo tradhtarëve të popullit. Pra, sikur njeriu të merrte kompletet e shtypit të këtushëm të "pavarur" ditor, që boton vetëm "fakte" dhe të ecte "një hap me kohën", do vinte në përfundimin se hapësira e këtushme publike është një arenë, në të cilën njollat e tjetrit i mbulojnë ato tonat, se në atë arenë mbisundojnë ata që nuk e kanë kuptuar se mendimi i shëndoshë kritik nuk është ai që i ngjall të vdekurit e i varros të gjallët, por ai që e kremton jetën duke i shpalosur mangësitë që ajo ka. Kështu që, pas kompletimit të këtyre listave, njeriu edhe mund të pyesë veten: vallë këta politikanë, komentues, krijues … të shqiptarëve të Maqedonisë, posedojnë ndonjë dhunti tjetër, përpos asaj të spiunimit dhe të tradhtisë? Dinë këta njerëz me famë publike të bëjnë ndonjë punë të ndershme për veten dhe fëmijët e tyre? Si dhe të sjellë përfundimin e gabuar se shqiptarët e këtushëm edhe nuk janë gjithaq keq, nëse ke parasysh se të ardhmen e tyre e paskan në duar aq spiunë e tradhtarë të interesave të popullit.

Autori i këtij teksti është nga ata që kritikon djathtas e majtas, për të cilin janë thënë të gjitha epitetet e mundshme negative, të cilin e ka marrë malli të dëgjojë që dikush të thotë diçka të mirë për ndonjë personalitet të këtushëm. Autori i këtij teksti, qëmoti nuk shkon në varrime të personaliteteve publike të shqiptarëve të këtushëm, sepse nuk mund t‘ia dalë të kuptojë, se vallë i ndjeri është ai që dikur e pështynin si personazh negativ, apo i varrosuri të cilin pas vdekjes e ngrenë deri në qiell si atdhetarë dhe vlerë kombëtare. Si i tillë, autori i këtij teksti qëmoti e ka të qartë se shumë nga ata që shpalosnin mendimin e vet publik, bënë çmos që të përzienin listat e bardëve dhe të ndershmëve, me ato të pafytyrëve dhe matrapazëve. Se këto lista i përzien me qëllim që ta hutonim popullin, që rrëmuja të ishte e plotë, që opinioni publik të mos të mund të dallonte të keqin nga i miri, që të gjithë t‘i mbante si të njëjtë.

Mendimi publik kritik i shqiptarëve të Maqedonisë vuan nga një element i turpshëm: të gjithë dinë çdo gjë për tjetrin, e asgjë nuk thonë për vetveten! Ai mendim përmban në vetvete edhe naivitetin e atyre që nuk e kanë kuptuar se, duke shkruar për të tjerët, në të vërtetë ne kompletojmë rrëfimin për vetveten. Mendimit kritik të shqiptarëve të Maqedonisë, i prijnë edhe disa nga ata që një jetë të tërë e kaluan duke e shëtitur çantën nga Tetova në Shkup, disa nga ata që ndershëm dhe me përplot pasion realizuan vetëm një detyrë patriotike: i nxinë gishtërinjtë duke pirë cigare dhe i prishën dhëmbët duke gëlltitur me tonelata kafe nëpër kafenetë e kryeqendrës së Maqedonisë, e ku shpalosnin projektet kombëtare. Projekte që në thelb kishin vetëm një qëllim: t‘ua përcillnin krerëve partiakë porosinë se ata ende janë të aftë për të zënë vendin e ndonjë këshilltari, apo për të bërë punën e ambasadorit në cilindo shtet mbi rruzullin tokësor. Dhe sa herë që koncepti i tyre personal dështonte, ata mprihnin lapsin kritik dhe i tregonin popullit se cilët janë dështakët e ardhshëm në galerinë e portreteve të njollosura. Me çka, bënë një mëkat më të madh seç është pafytyrësia: ngufatën zërin e të rinjve të aftë, që e lexojnë drejt kalendarin në të cilin jetojnë.

Pështymjen e çdo gjëje të vlefshme që kanë shqiptarët e Maqedonisë, si vlerë të mendimit kritik, e promovuan disa udhëheqës të këtushëm partiakë. Pastaj, këtë veprimtari, e ngritën në profesion frutdhënës edhe disa nga ata që sot bëjnë analiza lidhur me ngritjen e aktpadive për të ashtuquajturat "Katër Lëndët e Hagës", e që kanë të bëjnë me konfliktin e 2001. Si dhe ata që tani komentojnë vonesën e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë. Edhe autori i këtij teksti ka thënë dhe e përsërit, se vonimi i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë, ishte absurd, se mosrespektimi i ëndrrës mbarëshqiptare ishte arrogancë e paparë e Kryeministrit aktual të Maqedonisë, Gruevskit. Autori i këtij teksti ka thënë dhe e përsërit, se ngritja e akuzave kundër pjesëtarëve të ish-UÇK-së, është betejë e fundit e Gruevskit për ta fituar luftën e 2001. Autori i këtij teksti ka thënë dhe e përsërit se, përderisa partitë e këtushme shqiptare janë "agjenci për punësim" të anëtarësisë së vet, ato nuk ka si mos të jenë vasale të partisë pushtetmbajtëse maqedonase. Mirëpo, të thuash se pavarësinë e Kosovës, ndonjë udhëheqës partiak shqiptar nuk e ka ëndërruar aq sa edhe cilido shqiptar tjetër, të thuash se kryesuesi i BDI-së i ka nxjerrë në tregun e "tradhtisë" ish-bashkëluftëtarët e vet, se ai tani ka shpallur tender për ata që duan të blejnë ndonjë paragraf nga Marrëveshja e Ohrit, do të thotë të jesh aq i ngulfatur nga ambiciet vetjake, sa mos t‘ia dalësh të veçosh ç‘është mendimi kritik e ç‘është vjellja e të dehurit nga frustrimet personale. Pra, të mos dish t‘i gëzohesh edhe pranimit të vonuar të pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë, të mos dish ta pranosh se sikur mos ishin partitë shqiptare dhe presioni amerikan, Gruevski me vite nuk do ta pranonte Kosovën, do të thotë të mos e kesh kuptuar të vërtetën, se partitë e këtushme shqiptare, kanë aq mangësi, sa nuk është e nevojshme t‘u trillosh të meta dhe ta zmadhosh paaftësinë e tyre në përballjen me partitë më mirë të etabluara të etnitetit maqedonas. Pra, të mos e thuash të vërtetën se me njohjen e Kosovës, kjo qeveri u dha edhe një mundësi shqiptarëve të këtushëm dhe maqedonasve etnikë që të arrijnë baraspeshën e besimit të ndërsjellë, do të thotë të kesh humbur ekuilibrin mes asaj që quhet kritikë qëllimmirë dhe pështymje e pakontrolluar. Kjo do të thotë se u je hidhëruar partive, jo pse nuk bëjnë gjë për popullin, por pse nuk kanë bërë asgjë për ty.

Kur bëhet fjalë për partitë e këtushme shqiptare, është e vërtetë se ato nuk merren gjithaq me hallin e popullit, por me atë si të mirëmbajnë armatën e madhe të anëtarëve kryesisht të papunësuar, e të cilët aktivitetin partiak e shohin si mundësi të vetme të punësohen e të sigurojnë ekzistencë. Për dallim nga partitë e etnitetit maqedonas, të cilat marrin donacione të majme nga biznesmenët e këtushëm, partitë shqiptare i mbushin arkat e tyre me shitjen e vendeve të punës. Andaj atyre, e jo qarqeve politike të etnitetit maqedonas, u konvenon që punësimi i shqiptarëve të bëhet vetëm nëpërmjet partive shqiptare në pushtet. Gjë që më në fund, ato i shpalos si "agjenci për punësim", që nuk kanë koncepte politike, po lista të kandidatëve të papunë partiakë që duhen punësuar.

Andaj, duke e parë se partitë e këtushme shqiptare janë të hendikepuara nga anëtarësia që kërkon punësime të menjëhershme, dhe nga kritikët që duan me çdo kusht të bëhen funksionarë shtetërorë, Gruevski vepron ashtu siç i ka hije një politikani që të jep kripë, por ta largon ujin. Si i tillë, ai i mbetet besnik vetëm një parimi: nuk ka kështjellë që nuk mund ta pushtosh, po ka ushtarë që dorëzohen. E ai është i sigurt se mund t‘i pushtojë të gjitha kështjellat politike shqiptare, sepse ato kështjella në të vërtetë as që bëjnë politikë, por vrapojnë pas ngjarjeve që ua imponon Gruevski. E ndërkohë, ka diçka që mbase nuk e ka kuptuar mirë as vetë Gruevski: se Maqedonia është shtet i formulës me dy të panjohura. Pra Gruevski nuk e ka kuptuar se për të zgjidhur të panjohurën e dytë të formulës së Maqedonisë – atë shqiptare, nuk është e udhës që njohjen e Kosovës ta bësh duke u fshehur pas shpinës së guximshme të Malit të Zi. Por, kjo ende nuk do të thotë se politikanët shqiptarë janë tradhtarë, se Ali Ahmeti ka shitur gjakun e dëshmorëve, apo se nuk ka bërë asgjë për njohjen e Kosovës. Kjo mund të ketë vetëm domethënie tjetër: se partitë e këtushme shqiptare nuk ndërtuan struktura partiake që suksesshëm do t‘u kundërviheshin kundërshtarëve të tyre partiakë të etnitetit maqedonas. Kjo do të thotë se shoqëria e shqiptarëve të Maqedonisë u shndërrua në një pështymore, në një galeri ku nuk mbeti portret publik i panjollosur nga kritikët e sotëm, e të cilët janë po ata që mbajnë pjesë të fajit për të djeshmen e errët të shqiptarëve të këtushëm.