Shkruan: Kim MEHMETI
Popujt e Ballkanit kanë një tipare të përbashkët: nëse donë t’i lavdërosh, e t’i bësh të ndjehen mirë, nuk duhet t’u thuash sa të mirë janë ata me të cilët bisedon, por sa trima dhe sa bujarë kanë qenë gjyshërit e tyre të dikurshëm. Andaj ata nuk ofendohen gjithaq nëse u thua se gjeneratat e sotme nuk vlejnë gjë, se janë një turmë pa portet të qartë kolektiv, se përpos të së kaluarës së lavdishme, nuk kanë asnjë vlerë me të cilën mund ta identifikosh të sotmen e tyre, por ata lëndohen lehtë nëse ua zhvlerëson të kaluarën, nëse ua shanë rrënjët nga është rritur filizi i tyre që sot është bërë degë etnike. Me çka disa popuj të Ballkanit, duke jetuar në të sotmen e mjegullt dhe duke ecur drejtë të ardhmes së paqartë, më së miri ndjehen të mbyllur në zgafellen e së kaluarës së vet, ku ritregojnë rrëfimet për gjyshërit e tyre, duke harruar se çdo veprim i tyre i sotëm, është farë nga do mbijë bima e ardhmërisë që do përcaktojë fatin e nipave të tyre. Dhe kështu, disa popuj të Ballkanit, kanë mbetur në gropën e rrethuar nga brigjet e të sotmes së paqartë dhe të kaluarës së mjegullt, e cila e kaluar thuajse gjithmonë është ndërthurje e të vërtetave dhe miteve. Pra, edhe sot, kur i lexon librat historik të disa popujve të Ballkanit, ke përshtypjen se je duke shfletuar ndonjë përmbledhje me përralla popullore, në të cilat gërshetohet edhe ndonjë ngjarje e vërtet.
Thuajse të gjithë popujt e Ballkanit, më mirë ndjehen nënë flladin e lavdisë së gjyshërve të tyre, se sa në rrugën e së sotmes dhe asaj që duhet t’i çojë drejtë të ardhmes. Dhe si të tillë, ata më shumë i përkushtohen stolisjes dhe mirëmbajtjes së të shkuarës, se sa jetësimit të ëndrrave të tyre për të ardhmen. Por, edhe si të tillë, thuajse asnjë popull i Ballkanit nuk ka shkuar aq larg sa të bëjë atë që sot bëjnë ata që veten e quajnë maqedonas etnik: të ndryshojnë kalendarin e së kaluarës së vet thuajse ai është pemë “sezonale” të cilën mund ta shkulësh e ta mbjellësh në cilën arë të duash, thuajse është pemë degët e së cilës mund t’i shartosh në cilin do trung që të pëlqen. Pra, shumë popuj të këtij Ballkani kanë stolisur të kaluarën e vetë me çka kanë mundur, por askush nuk ka bërë atë që bëjnë sot ata që veten e quajnë maqedonas etnik: kohë pas kohe të ndërrojnë edhe certifikatën e lindjes, të korrigjojnë emrat e gjyshërve të tyre edhe atë varësisht nga rrethanat politike të ditës dhe sa herë që u mbushet mendja se të atillë siç janë, meritojnë paraardhës më të famshëm se ata të që me të vërtet i kanë, se janë nipër të cilëve nuk u ka hije cilido gjysh. Gjë të cilën e dëshmon edhe botimi i para disa ditëve i librit “Historia e popullit maqedonas”.
Pra, ata që veten sot e quajnë maqedonas, së shpejti do mësojnë historinë e rishkruar, e cili mbase kaptinë më interesante do ketë atë që fshihet nën përmbajtjen e së shkruarës, kaptinën që shpjegon se çka ndodh me historinë kur ajo bëhet shërbëtore e politikës së ditës. E në këtë libër çdo gjë është më ndryshe nga gjithë ajo që do mbetet edhe më tej në librat e mëparshëm të historisë së këtij populli, nga të cilat mësonin gjeneratat e deritanishme maqedonase, e në të cilat thuhej se ata janë pasardhës të sllavëve të jugut. Në librin e posa botuar të “Historisë së popullit maqedonas”, trungu etnik përshkruhet krejt ndryshe nga ai mbi të cilin deri dje rriteshin degët e këtij populli. Pra, në historinë më të re dhe të korrigjuar, thuhet se maqedonasit e sotëm janë fëmijë të adoptuar në familjen e sllavëve të jugut, e cila familje, me xhelozi të paparë e ka fshehur të vërteta se cilët kanë qenë të parët e tyre të natyrshëm. Andaj, sipas autorit të këtij libri, ka ardhur çasti kur atyre duhet thënë se jo rastësisht janë atë që janë – popull të cilit ia kanë zili të gjithë, që të gjithë duan ta përvetësojnë – se janë nipërit e Aleksandërit të Madh.
Nuk ka dyshim se ata që veten sot e quajnë maqedonas etnik, mund ta ndërrojnë historinë e vet edhe nga dy herë në vit, e kjo të mos u hyjë në punë shqiptarëve të këtushëm. Por, gjithashtu nuk ka dyshim se duke gjurmuar të kaluarën e vet, duke e arnuar historinë e vet me mbeturinat e mbledhura nga e kaluara e popujve të Ballkanit, ata që sot veten e quajnë maqedonas etnik, shtetin e fusin gjithnjë e më thellë në mosmarrëveshjet me fqinjët, e me çka e mbajnë peng të ardhmen e Maqedonisë ku jetojnë popuj të cilët duan ardhmërinë ta kenë po aq të qartë sa e kanë të qartë edhe të kaluarën e tyre. Pra, duke pasur të paqartë të kaluarën e vetë, maqedonasit etnik mbajnë peng edhe të ardhmen e shqiptarëve të këtushëm, të cilët jo se nuk kanë çka të korrigjojnë në librat e tyre historikë që ua shkruan ideologët komunistë, por gjithsesi se nuk kanë mëdyshje si u degëzohet trungu gjenetik dhe cilët janë gjyshërit e tyre.
Pa dyshim se libri më i ri i historisë së popullit maqedonas, do i sjell telashe të reja Maqedonisë lidhur me kontestin për emrin që ka me Greqinë. Nuk ka dyshim se shikuar nga ky këndë vështrim, shqiptarët e këtushëm duhet t’i bëjnë parallogaritë e sakta si do veprojnë nëse edhe ata mbeten në gropën e të kaluarës së paqartë të bashkëqytetarëve të tyre maqedonas. Dhe pasi ta bëjnë këtë parallogarit, të thonë qartë se kanë mirëkuptim për nipërit që në shekullin e njëzetenjë i zbulojnë gjyshërit e vet, të thonë se do donin që maqedonasve etnik të shkonin edhe më thellë në gërryerjen e tuneleve të së kaluarës dhe se u dëshirojnë atyre të dëshmojnë se janë nipërit më të afërt të Havës e Ademit se cilido popull tjetër i Ballkanit. Por, gjithashtu t’u thonë hapur se nuk duan të mbeten peng i dilemave etnike që kanë ata që deri dje mburreshin se kanë trashëguar trimërinë e gjyshërve të tyre sllav, e sot thonë se janë nipër të Aleksandërit të Madh. Shqiptarët e Maqedonisë duhet t’u thonë hapur bashkëqytetarëve të tyre që sot e quajnë veten maqedonas se nuk duam që të sotmen dhe të ardhmen e tyre ta varrosin në varret ku ata kërkojnë eshtrat e gjyshërve të tyre. Duhet t’ua thonë edhe të vërtetën se historie e një populli është pasaportë që atë kolektivitet e çon drejtë të ardhmes, por kur historia thuret nga andrallat e kota, ajo bëhet pasqyrë e thyer ku popull nuk sheh më as fytyrën e gjyshërve të vet as portretin e gjeneratave të sotme. Pra duhet të thuhet hapur se historitë e trilluara janë pasqyrë ku shihet qartë e vërteta se popujt që nuk kanë vullnet dhe aftësi të ndryshojnë të mundshmen – të sotmen dhe të ardhmen e vet, se popujt që harxhojnë kohë duke u marrë me të pamundshmen – me korrigjimin e të kaluarës së vet, janë popuj të pakënaqur me atë që janë dhe atë që kanë.
(Marrë nga gazeta “Koha Ditore”, Prishtinë)