Back

Gropë e thellë dhe e ngushtë

Shkruan: Kim MEHMETI

Maqedonia mbetet vend ku ndërtohet e kaluara e popullit maqedonas dhe gropë e thellë dhe e ngushtë ku ngulfaten qytetarët e saj, e veçanërisht shqiptarët e këtushëm. Si e tillë, Maqedonia gjithnjë e më shumë i ngjan një stacioni ku të rinjtë shqiptarë presin autobusin e ikjes së tyre drejtë kryeqendrave të perëndimit. E në ndërkohë, Shkupin vazhdojnë ta vizitojnë kryeministra dhe ministra evropian, e të cilët duan të shohin se çka i mundon shqiptarët e këtij shteti. Dhe jo vetëm aq, por ata ua rikujtojnë qeveritarëve të këtushëm shqiptarë se ku ndodhet Likova nga u ikin votuesit, se ku ndodhen vendbanimet që në vitin 2001 mbajtën mbi shpinë barrën më të rëndë të konfliktit. Pra, ke përshtypjen se të huajt vijnë në Shkup vetëm sa t’u tregojnë politikanëve të këtushëm shqiptarë se realiteti në të cilin jeton populli i tyre, është krejt ndryshe nga ai që e jetojnë një grusht të zgjedhurish të partisë shqiptare në pushtet, e të cilët marrin paga të majme si vasal të Gruevskit.

    Dhe përderisa perëndimorët kërkojnë nga Maqedonia të ndërmerr masa për parandalimin e numrit të azilkërkuesve shqiptarë që i vërshojnë shtet e tyre – e me çka mundë të dëmtohet procesi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë e Kosovën – në qendër të Shkupit vazhdon ndërtimi i përmendoreve të Gruevskit, e për të cilat do harxhohen më shumë para se që është investuar në të gjitha komunat shqiptare së bashku, gjatë dy dekadave të fundit. Kështu që, është e pamundur të huajt të mos habiten dhe të mos pyesin veten si një popull që ka aq parlamentarë, të cilin e përfaqësojnë në qeveri pesë ministra, ka lejuar të mbetet në pozitën e lypsarit që kërkon lëmoshë nga Gruevski. Dhe  përderisa perëndimorët mundohen të gjejnë lidhje të logjikshme mes projektit “Shkupi 2014” dhe varfërisë së skajshme nëpër komunat shqiptare, Gruveski vazhdon të ngre përmendore të cilat dëshmojnë se, sa më i vogël është ndërtuesi, aq më të larta janë shtatoret e heronjve që ai ngre dhe sa më e vogël është fama e atij që ndërton obeliskë, aq më të famshëm janë heronjtë që nderohen me shtatore. Aq më shumë, Gruevski dëshmon atë që është dëshmuar disa herë me radhë: edhe pse përmendoret u ngrihen heronjve të vdekur, ato kanë për qëllim të madhërojnë famën e ndërtuesve të gjallë.   

    Pra, përderisa Gruevski dëshmon atë që shumë herë është dëshmuar dhe nuk ka nevojë për dëshmi shtesë, pushtetarët e këtushëm shqiptarë gjithnjë e më shumë i ngjanë të humburit në pyllin e përmendoreve të kryeministrit aktual të Maqedonisë. Apo, gjithnjë e më shumë flasin për angazhimin e tyre që Maqedonia të anëtarësohet në BE dhe NATO, e assesi nuk ia dalin të shohin se do mbeten pa votues, se deri sa Shkupi ta ecë rrugën shumëvjeçare deri në Bruksel, partitë e këtushme shqiptare do mbeten pa popullin që përfaqësojnë. Dhe të zënë me realizimin e projektit të lodhshëm që ta mbushin gropën e quajtur Maqedoni dhe, atë ta shndërrojnë në lulishte ku do mbijnë vlera euro-perëndimore, ata nuk ia dalin të shohin se Gruevski jo vetëm që realizon projektin “Shkupi 2014”, por paralelisht merret edhe me një projekt më “madhorë” dhe më afatgjatë se ai i përmendoreve: ta zbrazë Maqedoninë nga jomaqedonasit dhe t’i ndëshkojë shqiptarët e këtushëm për konfliktin e 2001.  

    Sikur pushtetarët shqiptarët të ishin më të vëmendshëm dhe më të përgjegjshëm ndaj popullit që përfaqësojnë, ata me kohë do e shihnin se investimet që i bënë Gruevski për përmendoret e veta, e tejkalojnë shumën e parave të nevojshme për zhvillimin e gjitha komunave shqiptare. Madje, do e shihnin se Gruevski është aq i vogël dhe aq i dobët politikisht, sa nëse ia largon nga qeveria vasalët shqiptarë, atij i rrënohet e tërë karriera politike dhe sheshi i Shkupit do i duket aq i ngushtë dhe i vogël, sa nuk do i mjaftojë as  për ndërtimin e një tualeti publik, e jo më aty të ngre aq përmendoreve sa janë paraparë me projektin “Shkupi 2014”. Pra, nëse politikanët shqiptarë do u interesonte diçka më shumë se sa interesi i tyre personal, nëse nuk do merreshin me ndryshime ligjesh vetëm atëherë kur kanë nevojë të anëtarësojnë ndonjë të pëlqyer të partisë në ndonjë këshill, ata do e shihnin me kohë se forca politike e Gruevskit buron nga aftësia e tij që përpara votuesve të vet të dëshmohet si “hero” që i ka margjinalizuar shqiptarët e Maqedonisë. Dhe kur do e shihnin këtë, pushtetarët aktual shqiptarë do e kuptonin se duke mbështetur Gruevskin, ata u bënë bashkëndërtues të përmendoreve të tij dhe pjesë e projektit të VMRO-DPMNE-së për zbrazjen e Maqedonisë nga jomaqedonasit, projekt i proklamuar publikisht nga kjo patri qysh në vitet kur udhëheqësit e BDI-së ishin në Zvicër, e kur shqiptarët e këtushëm dëgjonin parullat e shokëve të Gruesvkit për “Maqedoni vetëm për maqedonasit” dhe “Dhoma gazi për shqiptarët”.

    Andaj, të presësh nga VMRO-DPMNE-ja të ndërmerr masa për parandalimin e eksodit të shqiptarëve drejtë perëndimit, është njësoj sikur të shpresosh nga përkrahësit e sotëm të Millosheviqit të japin ndihmë humanitare për familjet e dëshmorëve të luftës në Kosovë, apo sikur të presësh që në mes të Beogradit, qeveria e sotme serbe, t’u ndërtojë përmendore viktimave të pafajshme që i vrau ushtria dhe policia serbe. Dhe një gjë të tillë mund ta presin vetëm ata që gabimisht mendojnë se anëtarësimi në BE dhe NATO vetvetiu do i harmonizojë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni, këtë mund ta presin vetëm ata që e gënjejnë popullin se me integrimet euroatlantike, shqiptarët përnjëherë do përballen me “gruevska” më pakë të frustruar se që janë sot, se pas anëtarësimit të shtetit në NATO dhe BE, këtu në Maqedoni do lulëzojë “Shipëria” e shqiptarëve. Kjo shpresë gënjeshtare, se anëtarësimi në BE dhe NATO vetvetiu do i zgjidh të gjitha problemet ndëretnike, e që elitat e këtushme politike janë të paafta t’i zgjidhin, më së miri dëshmon shkurtpamësinë e pushtetarëve shqiptar, si edhe atë sa janë të painformuar, sa nuk e dinë se ka shtete që me dekada janë pjesë e institucioneve euro-atlantike, por vazhdojnë të kenë politika diskriminuese ndaj pjesëtarëve të  grupeve më të vogla etnike. Andaj, nuk do ishte keq të organizohej një udhëtim turistik për pushtetarët e këtushëm shqiptarë, edhe atë jo më larg se në disa shtete të afërta që me dekada janë anëtarë të NATO-së apo BE-së, e ku do e shihnin se institucionet euro-atlantike t’i mbrojnë muret e jashtme të shtëpisë, por brendinë e saj e lënë ta rregullosh vet me aq sa dinë dhe, me atë që ke. Pas këtij udhëtimi, mbase përfaqësuesit e BDI-së do i merrnin më seriozisht edhe  spekulimet që burojnë nga disa qarqe të VMRO-DPMNE-së, e që thonë se kohët e fundit, Gruevski merret me realizimin e një projekti më të rëndësishëm se “Shkupi 2014”: mundohet të zbulojë provokimin e duhur antishqiptar që do e çonte BDI-në përfundimisht ta braktiste koalicionin qeveritarë, e me çka ai do kishte arsyetim për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Po të njëjtit spekulues thonë se, ky do jetë projekti më i vështirë për Gruevskit dhe mbase i vetmi që do i dështojë, sepse më parë VMRO-DPMNE-ja mund ta braktisë qeverinë, se sa BDI-ja. Këtij spekulimi, cinikët ia shtojnë konstatimin se BDI-ja mund të lëshojë pe për cilindo projekt të Gruevskit, por jo edhe ndaj atij që ka për qëllim largimin e saj nga qeveria. Edhe atë vetëm ngaqë BDI-ja nuk donë ta dëmtojë rrugëtimin e Maqedonisë drejtë NATO-së e BE-së dhe që t’ia mundësojë Gruevskit ta realizojë derë në fund projektin e tij “Shkupi 2014”.