Bekri AJDINI
Edhe përkundër sugjerimeve të Komisionit Evropian për shpenzime të matura të parave të Buxhetit të Maqedonisë, Qeveria vazhdon në emër të nacionalizmit të harxhojë para të grumbulluara nga të gjithë qytetarët. Pas tetë flamujve gjigant të vendosura në shtiza të larta nga 30 metra, Qeveria ka porositur edhe 50 shtiza tjera të cilat do të kushtojnë rreth 360 mijë euro. Vendimet e tilla të Gruevskit janë vlerësuar të dëmshme si në aspektin politik, por edhe në atë ekonomik.
Blerja e fundit e shtizave të flamujve nga Qeveria, kësaj radhe është për 1700 euro më e shtrenjtë për copë, se blerja e shtizave në muajin shkurt. Atëherë, ishin vendosur 8 shtiza që kushtonin 44 mijë euro, ndërsa 50 shtizat tjera gjigante kushtojnë 360 mijë euro. Në këtë mënyrë Qeveria e Gruevskit në emër të ngritjes së nacionalizmit maqedonas do të harxhojë 400 mijë euro, para të mbledhura nga të gjithë etnitë që jetojnë në këtë shtet.
Megjithatë, përveç mosharxhimit transparent të parave analisti Kim Mehmeti sheh edhe një diskriminim politik. "Nëse vëreni diçka, do të shihni se këto flamuj vendosen deri aty ku dikur ishin punktet policore të Maqedonisë. Domethënë, Gruevski në njëfarë mënyre e shënon atë hartën e Maqedonisë së tij. Unë nuk e di, këta pushtetarët tanë a dalin ndonjëherë me vetura e t’i shohin këto gjëra, apo ndoshta me që i kanë dritaret e veturave aq të errëta nuk shohin asgjë", tha Mehmeti. Ai konsideron se Gruevski në fund të fundit po bën atë që e lejojnë shqiptarët. "Ai do të vazhdojë të veprojë kështu deri sa ne nuk kemi ndonjë veprim politik që thotë njëherë e përgjithmonë, stop", tha Mehmeti.
Sipas tij, Gruevski me paret e shqiptarëve financon populizmin, anti-shqiptarizmin e vet, ndërsa shqiptarët vazhdojnë ta lejojnë një gjë të tillë. Aktualisht flamujt janë vendosur vetëm nëpër vendet e banuara më shumicë maqedonase, duke anashkaluar vendbanimet shqiptare si Kumanova, Tetova, Gostivari etj.
Përveç këtyre flamujve në shtiza të larta prej 30 metrash, Gruevski kishte bërë edhe disa veprime anti-shqiptare që financoheshin me para të buxhetit, si enciklopedia maqedonase, mbi 100 bustet e vendosura në Shkup dhe 100 të tjera në Prilep, gërmimet arkeologjike joprofesionale etj. Të gjitha këto projekte ishin kritikuar në Raportin që e morri Maqedonia nga Komisioni Evropian.
Gruevski mund të armatoset, shqiptarët të mos dinë asgjë
"E keqja qëndron aty që ne nuk e dimë çfarë Gruevski do të realizoj në këtë Maqedoni. Ai funksionon ashtu sa që nuk ndjen nevojë për partnerin e vet shqiptar. Gruevski mund edhe të armatoset e ne mos të dimë asgjë, sepse ai nuk i jep llogari partnerit të vet shqiptar. Ata, ai i konsideron vetëm si mjet domosdoshmërie të pashmangshme që duhet t’i ketë aty sa për sy e faqe", tha Kim Mehmeti.