Nuk e kisha takuar që nga viti 2001, kur më erdhi në zyrë njësoj si para ca ditëve, por asokohe ishte i buzëqeshur, e tani fytyrën ia kishte mbuluar një hije mërzie. Dallimi mes takimit tonë të para disa ditëve dhe atij të largëtit, nuk kishte të bënte vetëm me buzëqeshjen e tij të dikurshme dhe mërzinë e tanishme në fytyrë, por edhe më atë se atëherë e prisja të vijë, e tani erdhi i paftuar. Asokohe ishte thuajse fëmijë, ende pa i mbushur të njëzetat. Ishte djali dhe fëmija i vetëm i një mikut tim, i cili paraprakisht më tregoi hallin që kishte me të birin dhe kërkonte ta ndihmoja: pasi atij vetë nuk ia nxirrte goja t’i thoshte të mos shkonte atje ku e thirrshin shokët, kërkonte nga unë ta bindja birin e tij të vazhdonte vitin e parë të studimeve, e të mos i bashkohej UÇK-së së atëhershme. Por, njësoj si edhe mikut tim, edhe mua assesi nuk më jepej t’i thosha – mos shko, andaj bëra një strategji tjetër si ta shtyja sa më shumë shkuarjen e tij në luftë. Pra, kur asokohe më erdhi në zyrë, i propozova të priste, me arsyetimin se me duhej kohë të kontaktoja me ata “të malit”, që të më tregonin ku të lajmërohej dhe si të arrinte deri atje, e në të vërtetë shpresoja se konflikti ndërkohë do përfundonte. Pastaj, ai erdhi edhe disa herë të tjera të më pyeste a e kisha rregulluar punën dhe ku duhej të paraqitej.
Thënë shkurt, asaj pranvere të largët të vitit 2001, bëra çmos që ta zvarrisja shkuarjen e djalit të mikut tim në radhët e UÇK-së, sa shkaku i moshës së tij të re, po aq ngaqë ishte fëmijë i vetëm edhe pse e dija se edhe për prindin që ka shumë fëmijë, çdonjëri nga ata, është i vetëm dhe i veçantë. Por, mbase ai e lexoi “strategjinë” time, andaj përnjëherë u zhduk e dhe nuk erdhi kurrë më të më takonte. Në vend të tij, vinte i ati, i cili kishte një tjetër kërkesë: t’i lajmërohesha ndonjë miku tim atje “në mal”, e ta lusja mundësisht ta kontrollonte vrullin rinor të djalit të tij. Nuk kisha rrugë tjetër si ta qetësoja zemrën e një prindi, përpos të shtiresha se çdo ditë kontaktoja me komandantët e UÇK-së, duke mos i treguar se edhe me ata disa miq nga rajoni i Likovës së Kumanovës, e kisha ndërprerë komunikimin, pasi që, shkaku i sigurisë, komandantët e UÇK-së, asokohe ua kishin marrë telefonat celularë. Dhe jo se nuk u përpoqa të gjeja ndonjë lidhje e të informohesha se ku ndodhej i biri, por nuk ia dola të bëja asgjë konkrete. Megjithatë, pyetjeve të mikut tim se a kisha kontaktuar me ndonjërin “nga ata kryesorët”, u përgjigjesha se çdo gjë e kisha rregulluar dhe se i biri i tij është nën kujdesin e njerëzve që u besoj. Pra, i qetësoja prindërit e tij, por disa muaj me radhë jetoja me frikën mos i ndodhte diçka që pastaj tërë jetën të mbaja mbi shpinë barrën e gënjeshtrës sime. Por, ec e thuaj se Zoti nuk i ndihmon ngandonjëherë edhe gënjeshtarët: djali i mikut tim u kthye nga lufta shëndosh e mirë, e mua më mbeti nderi i pamerituar se kisha bërë diçka që ai të mos pësonte gjatë konfliktit të 2001.
Ja, ai i riu i dikurshëm i buzëqeshur, e tani një njëzetenëntëvjeçar i mërzitur, është ulur përballë meje. E pyes pse nuk erdhi asnjëherë të më tregonte si kishte kaluar me shokët e luftës dhe qeshëm të dy, mbase shkaku se përnjëherë ndërmendëm lojën që ia kishim kurdisur unë dhe babai i tij. Pastaj, ai vendos mbi tavolinë gazetën e përditshme maqedonase, ku atë ditë ishte botuar edhe një dosje e radhës për “bashkëpunëtorët” e policisë serbe nga radhët e BDI-së. Kësaj radhe bëhej fjalë për dosje trishtuese, atë për njërin nga themeluesit e UÇK-së dhe udhëheqës i saj gjatë konfliktit në Maqedoni. Ndërkohë, ai nxori nga xhepi dhe disa fotografi të bëra gjatë konfliktit të 2001. Në mesin e tyre është edhe ajo ku ai mburrshëm qëndron pranë komandantëve të vet. Nuk e kuptoj ç’kërkon nga unë, por për një çast ai e ul kokën. Ç’ke, e pyes duke mos e kuptuar çka e mundon. Unë mburresha me UÇK-në, më thotë ai. Vazhdo të mburresh edhe më tej, i them, vazhdo të jetosh me krenarinë e një të riu, që u tregua më i guximshëm se unë dhe prindërit frikacakë që bëmë çmos ta pengonim shkuarjen e tij në radhët e UÇK-së. Por, kujt t’i besoj tani, kësaj që thuhet nëpër dosjet, apo asaj që i besoja unë, më pyet ai. Mos i beso askujt derisa të zbardhet e tërë e vërteta, i them. Besoji idealit tënd, besoji emblemës së UÇK-së dhe mos i lejo askujt ta njollosë atë, sepse ajo nuk ngërthen në vetvete as vlerat e as të metat e një individi, por idealin e një rinie që flijoi më të vlefshmen që pati për popullin e vet. Mësohuni ju të rinjtë t’i besoni veprës që bëni, e jo personazheve që duan atë ta përvetësojnë si pronë të tyre, vazhdoj ta qetësoj.
Ai më shikon i habitur. I grumbullon fotografitë e shpërndara mbi tavolinën time të punës dhe kujdesshëm i fut në xhep. Pastaj i them se jeta është betejë mes së mirës e së keqes, se njeriu duhet t’i besojë së mirës në vetvete dhe atë duhet ta mbrojë nga e keqja e të tjerëve. Pastaj, i shpjegoj se edhe unë i kam përkrahur ata që tani i akuzojnë si ish-spiunë të policisë serbe, i them se gjithmonë do të mburrem me tekstet ku shpalosja qëllimet antishqiptare të atyre që donin e duan ta zhvlerësojnë një luftë të lavdishme të rinisë së shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe këtë e kam bërë e do ta bëj pse i besoj idealit të asaj rinie dhe të popullit tim, e jo individëve të caktuar, i them të riut të cilit ngadalë i kthehet buzagazi në fytyrë. Pastaj, ai më përshëndet e unë mbetem në zyrë i bindur se kemi rini të mrekullueshme të cilën duhet ta mbrojmë nga prodhuesit e baltës politike dhe nga intrigat e së djeshmes.
Po, ai shkoi, e mua më la thuajse me po atë trishtim që ndieja në vitin 2001, kur babai i tij më lajmëroi se me ditë të tëra djali nuk i ishte kthyer në shtëpi. Atë ditë ai e la në zyrën time trishtimin e gjithë atyre netëve të largëta kur ai ishte në “mal” e unë i kisha gënjyer prindërit e tij se kisha folur me ata të UÇK-së, që të kujdeseshin për të, ngaqë e kishin djalë dhe fëmijë të vetëm. Dhe ai u kthye në shtëpi shëndosh e mirë, ngaqë e kishte mbrojtur besimi rinor në idealin e vjetër me qindra vite të një populli që ëndërronte lirinë e vetë. Ai shkoi e unë fillova të mendoj për ata që tani kanë dilema kujt t’i besojnë. Pastaj fillova të përballesha me hamendësime: vallë ç’domethënie t’u jepja këtyre dosjeve, shkaku i të cilave shqiptarët e Maqedonisë ndihen si të mbuluar nga mjegulla e paqartësive, e që ndoshta është qëllimi parësor i atyre që i shpalosin ato. Dhe përnjëherë më erdhi keq pse nuk m’u kujtua t’i them të riut që posa e braktisi zyrën time se, kjo që ndodh është shpërthim i qelbit nga plagët e së djeshmes sonë, andaj kjo rini nuk duhet të lejojë të infektohet nga ajo qelbësirë. Duhej t’i thosha se kjo që ndodh me subjektet politike të shqiptarëve të Maqedonisë, shpjegon se ato ishin e mbeten në periferi të ngjarjeve dhe objekt manipulimi i të tjerëve me ta, se mbeten shërbëtorë të qarqeve politike maqedonase, e jo të popullit që përfaqësojnë. Edhe shumëçka doja t’i thosha të riut që kërkonte shpjegim për atë që u ndodh sot shqiptarëve të Maqedonisë, por ajo ishte ditë kur edhe unë jetoja në mjegullën e paqartësive, ishte ditë kur e kupton sa i pafuqishëm ndihet një popull që ka përfaqësues të cilët nuk mund ta mbrojnë as vetveten nga manipulimet policore, e le më popullin. Pra, ajo ishte ditë kur e kupton se edhe pas njëzet vjetëve pavarësi të Maqedonisë, shoqëria shqiptare në të, ende ka mbetur nën kontrollin e qarqeve policore maqedonaso-serbe, të cilat qarqe kur të duan mund të iniciojnë grindje ndërpartiake brendashqiptare, e që pastaj ato më lehtë të mund t’i pastrojnë llogaritë me shqiptarët “e rrezikshëm” për shtetin. Andaj edhe është e pamundur ta kuptosh se kush ua kurdis këtë lojë shqiptarëve të këtushëm: qarqet policore serbe, apo Gruevski i ndihmuar nga Beogradi. Është e pamundur ta kuptosh se vallë këto dosje kanë për qëllim t’i zbulojnë, apo t’i mbulojnë spiunët e vërtetë. Por, një gjë është e qartë: duke qenë në pozitë të zgjedhin se a do bëhen përfaqësues të denjë politikë të popullit të vet, apo kapitalistë të ardhshëm, shumica e politikanëve shqiptarë zgjodhën të pasuroheshin në llogari të popullit, andaj tani duhet ta paguajnë faturën e zgjedhjes së bërë. Faturë të cilën, vasali herëdo-kurdo e paguan me kokën e vet.