Back

Heronjtë dhe kriminelët

Nuk ka më keq se të jetosh në shoqëri ku strukturat policore janë ato që në çdo kohë, pa i dhënë llogari askujt, cilin të duan, e stolisin me diademën e heroit apo e ekzekutojnë si kriminel. Është i pafat ai popull, të cilit një grusht politikanësh ia ngatërron vlerat dhe jovlerat, të cilit injorantët partiakë ia përcaktojnë standardet vlerësuese për të vlefshmen dhe të pavlefshmen që ka. Janë të rrezikshme shoqëritë ku qarqet policore janë ato që vendosin për fatin e bardëve e heronjve të një populli dhe janë fatkëqij popujt që nuk kanë asnjëfarë kontrolli mbi qarqet që kompletojnë listat e “heronjve” dhe “kriminelëve”. Dhe është mëkat mbi të gjitha mëkatet t’i ndihmosh institucionet e një shteti, që hapur zhvlerësojnë çdo gjë që ka populli yt, është jonjerëzore të mbështesësh një qeveri, e cila policinë e përdor si eskadron për të likuiduar njerëzit që populli yt i vlerëson si heronj të tij. Pra, është i pafat ai popull të cilin e përfaqësojnë njerëz që nuk u shkon ndër mend të pyesin veten si është e mundur që në listën e njerëzve publik të popullit tënd, të mos ketë asnjë emër të panjollosur. Ai popull është i pafat, sepse atë e udhëheqin njerëz që mendojnë se janë më të mençur se i tërë populli, sepse atë popull e udhëheqin politikanë, të cilët nuk i besojnë popullit të vet, sepse ai popull ka mbetur në duart e atyre që ndërtojnë demokraci me vetëdijen e “xhaxhit Enver”, vetëdije e cila, duke u mbrojtur nga armiqtë që ka në radhët e veta, kurrë nuk e sheh armikun e vërtetë dhe kurrë nuk e kupton se nuk janë politikanët të mirë ata që e dinë cila është e mira e popullit, por ata që e njohin të keqen që i kanoset një populli.
Shqiptarët e Maqedonisë që moti jetojnë në këtë shtet, i cili pa shumë shpjegime, cilindo shqiptar të këtushëm, mund ta shpallë “kriminel” dhe ta ekzekutojë pa i dhënë mundësi të dëshmojë pafajësinë e vet. Policia e këtij shteti, e pakontrolluar nga shqiptarët, në çdo kohë, dhe cilindo figurë publike të shqiptarëve të këtushëm, mund ta sjellë në një situatë dëshpëruese që ai me të vërtetë të bëjë çmos që ta dëmtojë shtetin në të cilin njësitë policore u ngjajnë eskadronëve për ekzekutimin e të gjithë atyre që pushteti i konsideron si të rrezikshëm. Policia e këtij shteti mund të komprometojë cilindo shqiptar që nuk i shkon për shtat qeverisë së Gruevskit, meqë në ato polici nuk ka shqiptarë që do mbronin pjesëtarët e popullit të vet nga manipulimet, apo ka vetëm aq shqiptarë sa mjafton që pushtetarët maqedonas t’i mbulojnë veprimet antishqiptare. Dhe kjo ndodh, sepse partitë e këtushme shqiptare kurrë nuk e morën seriozisht atë që ua thoshte populli: se nuk bëhesh bashkëqeverisës me pesë ministra që nuk vlejnë as sa sekretareshat e kolegëve të tyre maqedonas, por atëherë kur do kesh kontroll mbi të gjitha institucionet e shtetit, atëherë kur do jesh faktor në vendimmarrje.
Duke jetuar në shtet ku të gjithë shqiptarët që vlejnë diçka njëkohësisht janë të radhitur në dy lista – në atë të “heronjve” dhe të “kriminelëve” – policia e Gruevskit e ka shumë të lehtë të diskreditojë cilindo nga ata, apo edhe t’i krijojë situata që të lartësohet si “patriot” i rrejshëm. Kështu që edhe sot, njësoj si në dekadat e mëparshme të socializmit, qarqet policore janë ato që shqiptarëve të këtushëm ua promovojnë “heronjtë” dhe “tradhtarët”. Pra, njësoj si dikur, edhe sot, shqiptarët me emër e mbiemër që jetojnë në Maqedoni, janë më të pambrojturit, në krahasim me pushtetarët shqiptarë që policia e këtij shteti i mbron, pasi paraprakisht t’i ketë komprometuar, ngaqë ky shtet ende ndërtohet sipas parimit se “vetëm shqiptari i komprometuar është i përdorshëm për shtetin”. Parim të cilin e ndihmuan të gjallërojë edhe sot vetë partitë shqiptare, parti të paafta t’u kundërvihen qarqeve policore, parti që u kënaqen vetëm me përfitimet personale të një rrethi të ngushtë të pushtetarëve shqiptarë.
Sikur disa politikanë të shqiptarëve të Maqedonisë të mos ishin aq injorantë sa janë, sikur ata ta kuptonin me kohë se jo rastësisht ky shtet ata i mban larg qendrave të vendimmarrjes policore, në mos më shumë, ata qëmoti do e pyesnin vetveten si është e mundur që varrimet e “kriminelëve” që i ekzekuton policia maqedonase, t’u ngjajnë mitingjeve popullore, ku marrin pjesë të dëshpëruarit nga përfaqësuesit e vet nëpër institucionet shtetërore. Dhe do e pyesni veten mos vallë kjo do të thotë se të gjithë shqiptarët e këtushëm janë “kriminelë”, të cilët i nderojnë “kryebanditët” e tyre!? Apo mos vallë kjo shqiptari nuk di të dallojë heronjtë nga keqbërësit!? Dhe sikur disa politikanë shqiptarë t’ia kishin shtruar vetvetes këto pyetje, ata do e kuptonin se janë bërë pjesë e strukturave të shtetit, që kanë për qëllim t’ua ngatërrojnë shqiptarëve të këtushëm listat e “heronjve” dhe “kriminelëve”. Pra, duke u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, ata do e kuptonin se janë bërë pjesë e një politike antishqiptare, e cila politika ka për qëllim që popullin e këtushëm shqiptar ta lërë pa asnjë njeri të besueshëm, pa asnjë vlerë, ta shpallë si një kope injorantësh që nuk dinë të dallojë “heronjtë” nga “kriminelët”.
Ai që do të kuptojë se çfarë është duke ndodhur me shoqërinë e shqiptarëve të Maqedonisë gjatë dy dekadave të kaluara dhe cili është rezultati i grindjeve ndërpartiake shqiptare, mjafton t’i shfletojë gazetat e këtushme në gjuhën shqipe, ku do gjejë listën e “tradhtarëve” të gjallë dhe heronjve të vdekur. Pra, nëpër faqet e gazetave të këtushme në gjuhën shqipe, janë listat e të gjallëve të njollosur nga qarqet e këtushme shqiptaro-policore dhe lista që e përpiloi populli pas varrimit të atyre që i ekzekutoi apo i burgosi policia maqedonase. Diku mes këtyre dy listave, mbeten pushtetarët shqiptarë, të cilët pas çdo varrimi të ndonjë shqiptari të ekzekutuar, kanë marrë ndonjë “shpërblim” nga pushtetarët maqedonas, si për shembull miratimin e ndonjë ligji me vite të kërkuar, e me çka “sunduesi” u ka ndihmuar “vasalëve” ta rikthejnë besimin e cunguar te populli. Me çka pra edhe bëhet përbuzja më perverse e inteligjencës kolektive të këtij populli, duke e shpallur atë popull si një kope që harron shpejt dhe nuk e kupton se çka është duke i ndodhur. Ai që do i shfletojë gazetat në gjuhën shqipe të dy dekadave të fundit, do e lexojë edhe injorancën politike të udhëheqësve të këtushëm partiakë, injorancë e cila mbase edhe vrau dhe asgjësoi shumë vlera të shqiptarëve të këtushëm. Pra, do lexojë injorancën politike, e cila shkon deri aty sa liderët e këtushëm partiakë kurrë nuk e kuptuan se qarqet antishqiptare maqedonase janë ato që i nxisin shqiptarët e këtushëm që edhe sot të armatosen, se ato qarqe ia bënë me dije këtij populli se armatimin që e ka shteti, e që është blerë me paratë e të gjithëve që jetojnë në Maqedoni, u takon vetëm maqedonasve, se mbi atë armatim shqiptarët nuk kanë kurrfarë kontrolli. Gjë që u dëshmua gjatë konfliktit të 2001-shit, kur vendbanimet shqiptare sulmoheshin me predhat që i kishte blerë shteti edhe me paratë e shqiptarëve.