Back

HUMNERAT E TË VËRTETËS

(Kim Mehmeti: Fshati i fëmijëve të mallkuar. Roman. Nga shqipja Joachim Röhm. Drava-Verlag, Klafenfurt 2002. 160 f. Fr. 31.30.)

Uwe STOLZMANN

 

Kërcënohet? Ka armiq? Jo, pohon Kim Mehmeti. “Por shpesh ndodh që nga njerëzit e mi të shahem si promaqedonas, ndërsa nga maqedonasit si kryeideolog për një Shqipëri të Madhe. Unë notoj mes dy brigjeve.” Mehmeti, 48, rrjedh nga grupi i madh i shqiptarëve në Maqedoni. Kufiri mes shumicës dhe pakicës në vend, një vijë fronti, është shumë i vjetër, i pakapërcyeshëm dhe shtyhet herë pas here me forcën e armëve. Secili qytetar i ish-republikës jugosllave është përshtatur në vendin e lindjes së tij, armët janë të mprehta, britma e luftës tingëllon këndej e andej shtangueshëm ngjashëm dhe vetëm pak të çmendur e kapërcejnë hendekun e grindjes nacionale. Të çmendurit si Mehmeti, poeti dygjuhësor.

 Posa bën një pauzë në rrugën e tij të gjatë përmes ujërave të turbullta, gjendet i ulur në terrenin e armikut: para një qebaptoreje maqedonase në zemër të kryeqytetit Shkup, pranë Vardarit, lumit më të rëndësishëm të Maqedonisë. Mehmeti pi duhan me vrull, është nervoz dhe flet preras. Thonë se intervistat nuk i do dhe menjëherë do ta vazhdojë notimin. Për të shkaktuar trazira, siç bubullijnë kundërshtarët. Për ta sjellë në dritë të vërtetën, siç e quan ai, të vërtetën e bezdisshme e të dhimbshme.

 Ç’është kjo, e vërteta, për Kim Mehmetin? Çdo pohim, gjetiu mençuri, i cili këtu në Ballkan vlen si tradhti për fisin e vet. Që asnjë popull nuk ka të drejtë të lindur për vendin e populluar së bashku që nga kohët që s’mbahen mend. Që mënyra e ndryshme e mendimit, gjuha, religjioni tjetër nuk janë arsye të mjaftueshme për t’ia thyer kokën njeriut pranë. Dhe që fqinjtë i ngjajnë njëri-tjetrit – në krijimin fshatarak të kulturës së tyre si edhe në mentalitetin kryqtar: kthimi i krimit kolektiv ndaj grupit tjetër në legjendë apo edhe shtyrja në harresë. 

 Po , ai është exot, ky Kim Mehmeti, njëri nga shkrimtarët e paktë të Maqedonisë që nuk e keqpërdorin artin e tyre në shërbim të një ideologjie të motivuar etnikisht. “Identiteti shqiptar” i kërcënuar përjetësisht? Nuk është temë për të, mbrohet ulur pranë Vardarit. Letërsia e Ballkanit është e mbingarkuar me mite dhe patos nacional. Edhe Mehmetit i pëlqejnë mitet. Vetëm se ai nuk bie pre e tyre: ai i pren dhe i analizon ato – si drogë për njerëz pa të ardhme. “Gjithnjë provohet të realizohen me ndgulm pretendime të stërlashta për letërsinë”, thotë ai. “Prandaj ajo është plot heronj dhe luftëra heroike. Nëse lexuesi del nga këta libra, ai gjendet përsëri në realitetin e vogël mizor.”

 Deri tani ka qenë e mundur të lexohen vetëm disa tregime të shqiptarit (në antologjinë “Das Haus am Ende des Dorfes”), tekste me të cilat ka të ngjarë që nuk ka bërë miq në vendlindje. “Tregime të hukatura në mënyrë fantastike” është quajtur gjinia letrare e Mehmetit në tekstin e kopertinës dhe kështu është qëlluar thelbi, apo edhe jo: tregimet e tij kanë ndikim fantastik vetëm sepse realiteti që qëndron pas tyre na duket fantastik, absurd, bizar. Mehmeti rrëshqet me dëshirë në rolin e një kronisti , i cili e dokumenton rrënimin e vlerave të bashkësisë. E përshkruan një fshat shqiptar, maqedon? Është thjesht një fshat ballkanas, metaforë për gadishullin plot mallkim në skaj të Evropës; një laborator për vëzhgimin e reaksioneve te skajshme njerëzore.

 Të njëjtën renditje provash e gjejmë në romanin e Mehmetit. (Për vështirësitë e botimit të një libri të tillë në Maqedoni vetëm mund të spekulojmë.) Vend i ngjarjes përsëri: një univers i ngrysur, i paprekur, i rrethuar nga malet, i ndarë nga një përrua i rrëmbimshëm. Një skenë e ngushtë në të cilën vlojnë konflikte nga dimensioni antik. Tregimtari është përsëri kronist fshati dhe përsëri mezi thotë diçka konkrete. Sepse mbi vendin shtrihet – një qefin – heshtja. Fqinj përgjojnë fqinjtë në mënyrë që të mos flasë asnjeri. Çka fshehin? Kujtime të incestit dhe gjakmarrjes, ndjenjën e fajit dhe ndëshkimit, njohjen e rolit të tyre të dyfishtë si viktima dhe doras. Të gjallët heshtin, të vdekurit flasin dhe çmendet ai të cilit i zvarriten në tru raportet e të vdekurve. “Ka ndodhur jo rrallë që një fshatar e ka përfunduar ëndrrën e papërfunduar të një të vdekuri”, shkruan Mehmeti. Dhe ai thotë: “Mua më intereson si zhyten banorët e Ballkanit ngadalë në themel të ëndrrave të tyre.”

 Kronisti ynë tenton të depërtojë në “humnerat marramendëse të së vërtetës”. Ai dështon, qartë. Së shpejti nuk mund ta dallojë më të vërtetën nga e rremja dhe ngatërrohet në “lëmshin e ndodhive dhe përjetimeve të cilat i tërheq pas vetes si lecka të shpërndara mbi të kaluarën”. Gjuha e Mehmetit jeton, i përshtatet lëndës, nga boshllëqet, aluzionet, nga heshtja dhe lënia në heshtje. Nganjëherë është ironik, nganjëherë bëhet cinik. Ose poetik: “Nata i mblodhi rreckat e saj të errëta, i vendosi në një thes dhe e la fshatin me shpejtësi, e frikësuar nga drita e mëngjesit, e cila lëpinte majat e maleve.” Mirëpo pas disa faqesh shfaqet dobësia e madhe e stilit të tij: shumë fjalë. Librit i mungon shkurtimi, lektori i rreptë, gjynah.

 Mbetet të pritet çka mund të japë Kim Mehmeti për letërsinë dhe shoqërinë civile të Ballkanit. Nuk mashtroheni: edhe një shpirt i lirë mund të mposhtet nga vorbulla thithëse e çmendurisë masive. Një mbrëmje në Shkup e quan veten “nacionalist pozitiv”. Dhe befas flet për shqiptarizmin e tij, për popullin e ndarë nga kufinjtë, për domosdoshmërinë për të luftuar si shqiptar për shqiptarët. Ekziston një pavarësi, e cila është në gjene.” 

Pra po.

 Neue Zürcher Zeitung, 10 prill 2003, Ressort Feuillton

Përktheu: Blertë Ismajli