Back

I ditur dhe fisnik

 

Shkruan: Urim Bajrami

 (Parafjalë për librin e Kim Mehmetit “Fara e bimës së keqe”,  “Toena”  – Tiranë dhe “Logos-A” – Shkup) 

Vetëm kisha dëgjuar për Kim Mehmetin. Kisha lexuar nja dy libra të tij. Dhe pak kolumna. Kolumna dëshiron t’u thotë Kimi shkrimeve të tij, që unë, më së shumti i konsideroj esse të goditura. Ishte ndër të paktat pena që lexoja nga shqiptarët e Maqedonisë.

Vite më pas, kur e takova në Tiranë, Kimi më befasoi. Më pas më foli gjerë e gjatë për politikën, atje, në Maqedoni. Për politikanët shqiptarë, që sipas tij, nuk po bëjnë atë që duhet: T’u tregonin maqedonasve, se edhe shqiptarët, ashtu si ata, ishin zot shtëpie. Nuk është se kishte shumë shpresa për këtë. Sepse, durimit i kish ardhur fundi, edhe pse vetë Kimi nuk është nga ata që i besojnë teorisë apo legjendës së durimit.

"Legjendën për durimin, si armë të fortë politike, e kanë trilluar politikanët e popujve të vegjël, të cilët duke e vetëzgjedhur durimin si strategji të veprimit politik, kanë mundur ta bëjnë më të lehtë e ta arsyetojnë pozitën e vetë të të nënshtruarit. Njësoj si edhe artistët e dobët, që e kanë trilluar legjendën se, deri sa është gjallë artisti i mirë jeton në varfëri dhe i papranuar nga të tjerët… (Ndërsa) Popujt me kulturë politike u mësojnë fëmijëve të tyre se politikan nuk mund të bëhet çdokush, se gomarin mund ta çosh edhe në Mekë, por ai prapë do kthehet gomar. Pra, i mësojnë të ruhen nga politikanët që mendojnë se pozita në piramidën shtetërore e partiake është ajo që të bën të mençur, e jo mençuria dhe vlerat individuale ato që të bëjnë të denjë për pozitë të lartë në shoqëri".
Ky është një fragment tipik nga shkrimet esse të shkrimtarit dhe gazetarit shqiptar nga Maqedonia Kim Mehmeti, me të cilin, për shkak të detyrës si kryeredaktor i gazetës "Shqip", kam patur një nga bashkëpunimet më interesante.

Kontakti dhe njohja me këtë koleg nga Maqedonia më ka surprizuar.
Kim Mehmeti është nga ata shkrimtarë dhe gazetarë të rrallë në trojet shqiptare, për të cilin nuk mund të shkruash lehtë. Jo se nuk ke se çfarë të shkruash. Përkundrazi. Ai është nga ata njerëz të letrave shqipe, nga ata intelektualë për të cilët vihen në vështirësi pikërisht për shkak të cilësive të larta profesionale. Shkurt, ai i takon asaj race të intelektualëve të vërtetë, për të cilët nuk mund të shkruash pa iu referuar, dëshmi superioriteti dhe vlere të padiskutueshme. Me fjalë të tjera, Kimi është një intelektual i vetëmjaftueshëm në ato që shkruan, pa qenë nevoja të shpegohet apo të plotësohet nga të tjerët. Kimi publicist, Kimi essesit nuk ka nevojë as për shpegim dhe as për sqarime plotësuese. Me fjalë të tjera, nuk ka nevojë Kimi të shkruhet për të por kemi nevojë ne të shkruajmë për Kimin. Si një shembull për t’u ndjekur dhe konkuruar.

Kim Mehmeti nuk ka asnjë partipris: ai nuk rron e mediton për shkak dhe në varësi të rrethanave, për shkak të faktorëve dhe aktorëve që formatojnë dhe përditësojnë turmat dhe modën politike të ditës. Ai iu referohet pasojave, fakteve dhe fenomeneve për të analizuar pastaj aktorët dhe faktoret socialë, kulturore, politikë. Kim Mehmeti është një mendje e pavarur deri në fund. Ai nuk ka lindur dhe nuk jeton si peng i askujt, përveç ADN-së biologjike, përndryshe etnike, shqiptare. Kim Mehmeti është një qënie e lirë në një mjedis jo aq të lirë, ku qëniet e lira si ai janë dukuri e rrallë socialpolitike. Por merita e tij nuk është thjesht biolgjike, natyrore, por rezultat i cilësive të tij të zhvilluara në një mjedis krejt të disfavorshëm, siç është mjedisi i Maqedonisë . Kimi është i tillë për shkak të Kimit vetë: ato që shkruan Kimi janë ato që mendon Kimi, ndryshe nga shumë shqipfolës që bëjnë gazetarin dhe analistin. Kim Mehmeti është nga ata që lirinë dhe integritetin e ka fituar dhe e fiton çdo ditë: ai çdo ditë lufton të jetë i lirë. Jo thjesht për vete. Ai lufton që edhe të tjerët të jenë të lirë. Jo vetëm familja e tij, jo vetëm shoqëria e tij, jo vetëm etnosi i tij, por liria të jetë standart i përgjithshëm, pavarësisht bindjeve personale, fesë, gjuhës, grupimit, klanit, kufijve. Polemikat e tij burojnë nga koncepti se nuk ka një vend dhe shoqëri të lirë, kur pjesë apo grupeve përbërëse të saj iu privohet liria. Sepse liria si koncept filozofik dhe si ideal e realitet social nuk mund të përjetohet ndryshe, veçse si kategori sociale.
"Nuk jam iluzionist dhe njeri që lehtë vetëgënjehet, -thotë në një nga artikujt e tij Kim Mehmeti. -Unë besoj dhe e dua edhe harmoninë mes popujve të Ballkanit, por nuk jam aq naiv sa mos ta shoh se Parajsa nuk ndërtohet në mes të Ferrit".

Kim Mehmeti nuk e konsideron veten gazetar profesionist, megjithëse essetë, analizat dhe komentet e tij janë prezente gjithandej në median shqiptare dhe më gjerë. Kjo nuk është një deklaratë modestie, tipike për ca gazetarë të llastuar apo shkrimtarë të shtirur. Ai nuk është, gjithshtu, si disa të tjerë që janë në dilemë në përzgjedhjen mes gazetarit dhe shkrimtarit. Ambicia e tij e vërtetë është letërsia. Gazetaria për Kimin është një aksion plus, për shkak të aktualitetit, realitetit dhe jo për shkak të idealit të tij professional apo vokacionit politik. "Jam dhe do mbetem shkrimtar, -thotë Kim Mehmeti. -Doja të bëhesha gazetar, por kurrë nuk ia arrita. Ajo që shkruaj unë nëpër gazeta, nuk është fare gazetari. Shkrimet e mia më shumë mund të quhen përsiatje apo esse politike. Edhe ato i shkruaj vetëm atëherë kur diçka më prek, mos them, thuajse njësoj si edhe krijimet letrare. Sa i përket krijimtarisë letrare, kam pretendime të krijoj vepra, të cilat nuk do fundosen aq shpejt në vorbullën e kohës. Nga shkrimet e botuara nëpër gazeta, nuk pres asgjë më shumë, përpos zëri im të bëhet pjesë e shumëzëshmërisë, lidhur me proceset në shoqërinë ku jetoj dhe në atë mbarëshqiptare". E, megjithatë, gazetat më të mëdha në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe mediat ballkanike në përgjithësi, ndjehen të privilegjura me prezecën e Kim Mehmetit.

Sikur Kim Mehmeti të jetonte në një mjedis tjetër, për shembull, në Mbretërinë e Vendeve të Ulta, jo në Ballkan, në Maqedoninë ashtu si është ajo sot, ndoshta do të ishte i vetëmjaftueshëm si shkrimtar. Dhe ai është një nga nga prozatorët tanë më të emancipuar, "shkrimtari i shkallës kombëtare dhe personaliteti i shquar i kulturës shqiptare", siç e vlerëson akademik Ali Aliu. Por i ndërtuar ashtu si është, Kim Mehemti nuk mund të mos ishte dhe gazetar. Ai nuk futet në tregun e medias as për konkurencë dhe sfidë përsonale apo profesionale, por thjesht si një intelektual i tipit iluminist. Janë më fat jo vetëm shqiptarët, por edhe krejt popujt e atij vendi që Kim Mehemeti angazhohet edhe si gazetar. Sepse me shkrimet e tij Kim Mehmeti ndikon jo vetëm në emancipimin dhe evropianizimin e shqiptarëve, por edhe të maqedonasve, serbëve etj. Kimi nuk është shkrimtar province dhe as gazetar katundi. Në analizat kritike të tij shqiptarët, maqedonasit dhe sërbët nuk favorizohen apo nënçmohen, për shkak të dallimit etnik, gjuhësor etj. Kim Mehmeti është po aq i rreptë me maqedonasit, sa edhe me shqiptarët e tij. "Shqiptarët, kudo që janë, ende jetojnë periudhën e grindjeve dhe ndasive. Dhe, lavdi Zotit, që jetojmë në rrjedhat e proceseve globale, se do kishim aq ‘Shqipëri’, aq fjalorë, aq identitete kulturore, sa edhe parti politike, do kishim aq bajraqe sa edhe ‘bajraktarokratë’, të cilët edhe kur flasin për integrimet shqiptare, mendojnë vetëm për atë si të bëhen ‘baballarë" të kombit’, -shkruan Kimi.

Në këtë botë tejet egoiste, ku hipokrizia dhe demagogjia janë moda dhe zejtaria më e rrahur, nuk është e lehtë të jesh njeri, qoftë edhe njeri me germë të vogël, pra, qënie krejt e zakonshme, si miliarda që gjallojnë në këtë botë. Kim Mehmeti është Njeri me gërmë të madhe. Është Njeri jo nga shtati dhe numri i këmbës, as nga pasuria materiale apo monetare, por nga një cilësi tjetër aq deficitare në tregun historik dhe actual shqiptar, nga kurajua intelektuale dhe civile. Asnjë gazetar tjetër nuk guxon të bëjë atë që bën Kim Mehemeti për të mbrojtur kulturën dhe dinjitetin e shqiptarëve në Maqedoni. Jo me curle, këngë bajate, me mitingje dhe duke ngrënë e pirë nëpër mejhanet e Tetovës. Kim Mehmeti ka synuar dhe ka arritur të kapë tribunat intelektuale, duke marrë pjesë si i barabartë me elitën e kombësisë maqedonase apo serbe.

Mund të jesh njeri, mund të jesh edhe fisnik, por kjo ende nuk mjafton Duhet të të jesh edhe i mençur. Por përsëri edhe kjo nuk mjafton. Mençuria në vetvete dhe për vete nuk vlen apo nuk mjafton. Për më tepër ka plot njerëz të mençur për poshtërsi dhe ligësi. Duhet të jesh edhe kurajoz, të kesh kurajo intelektuale për ta thënë dhe mbrojtur publikisht atë që mendon dhe kërkon që të bëhet. Shkruan Kimi: "Dhe shpesh them: ndoshta i tërë problemi qëndron aty se ne shqiptarët e Maqedonisë ende ndjehemi inferiorë ndaj palës maqedonase, dhe, prandaj, tërë ‘trimërinë’ e shesim në tregun shqiptar. Pra, më bëhet se kjo grindje brenda bllokut politik shqiptar në Maqedoni është pasojë e një kompleksi më të thellë që ka të bëjë me inferioritetin e politikanëve tanë ndaj kolegëve të tyre maqedonas".

Kim Mehmeti është një pikë reference për të vërtetën në Maqedoni. Jam i sigurt se pasi të lexoni librin e tij, do të më jepni të drejtë për këtë.

(Autori është Kryeredaktor i të përditshmes “Shqip”, Tiranë)