Për Kim Mehmetin, një nga emrat më të njohur të letërsisë shqipe në Maqedoni, gjithçka lidhet me standardet. Nëse flasim për mungesë të veprave të mira, apo për atë çfarë ai e quan "tollovi letrare", nuk mund të pretendojmë të kemi forma të qarta të evoluimit të letërsisë deri në momentin kur nuk ekzistojnë standardet. Ato që ai i quan "Shqipëritë tona", Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, vuajnë ende shkatërrimin e standardeve në të gjitha fushat e jetës, jo vetëm në letërsi. Në këto kushte është arti dhe artisti ai që do të vuajë mungesën e një politike të qartë, apo lënien në harresë. Pak i ashpër në kritikën që i bën kësaj situate, Mehmeti thotë se "një pjesë e raftit të letërsisë shqipe për këtë kohë do të mbetet i zbrazur".
Si do ta komentonit ecurinë në letërsinë shqipe këto vite?
Letërsia shqipe e këtyre viteve demokratike, në një farë mënyre është varrosur nën zhurmën e politikës së ditës, duke u bërë viktimë e të gjitha rrjedhave politike, të cilat nëse i shihnim në thelb më shumë kanë elementë jo të një bashkimi të botës shqiptare. Mendoj se letërsia shqipe është në kohën kur duhet ta dëshmojë potencën e vet, nuk mund të ekzistojë më si në kohën e soc-realizmit ku fabrikoheshin shoqatat e shkrimtarëve, ku fabrikoheshin edhe krijues. Ka ndryshuar mënyra e të menduarit e të sjellurit të shkrimtarëve. Kjo kohë në një farë mënyre e sjell atë shfryrje të një potenciali, nga krijues që gjatë kohës së monizmit ishin të ndrydhur apo të kapur në kthetrat ideologjike. Tani ekziston një tollovi totale, nuk ekzistojnë standarde. Si në çdo gjë tjetër edhe në letërsi mendoj se janë mungesa e standardeve ato që kanë shkatërruar çdo gjë. I shkatërruan standardet politike, ato shoqërore, por edhe standardet krijuese të artit, prandaj ndodh që sot mjafton të kesh njëmijë euro për të nxjerrë një libër, mjafton të kemi dy miq që na shkruajnë recensione dhe të botojmë një libër. Filtri nuk ekziston. Por mendoj se pas kësaj shtrydhjeje do të bëhej edhe radhitja e artit, pasi nuk ka si të ndodhë ndryshe. Piramida e artit nuk mund të bëhet artificialisht. Janë ndërtuar piramida të tilla të artit të rrejshëm, por do të mbeten të tilla.
Duket se tashmë nuk ka më emra krijuesish të rinj, të cilët të dominojnë mbi jetën shoqërore apo në letërsi?
Për sa i përket krijimtarisë letrare, kjo kohë është ura që bashkon dy brigjet. Atë bregun që bëhet letërsi në kohën ideologjike dhe këtë bregun tjetër që ka të bëjë me një atmosferë tjetër. Pasi arti gjithnjë është art dhe ai krijohet njësoj, ai është çështje individuale. Sigurisht që rrethanat shoqërore ndikojnë, por ato nuk janë vendimtare. Vendimtare është atelieja e punës e artistit dhe në këtë kontekst, në kohën e kaluar ekzistonin standarde. Ato që ishin të gabuara, mirëpo tani nuk kemi asnjë standard, apo vlerësues në shtëpitë botuese. Ju i keni shtëpitë botuese të shumta, të mos bëj mëkat të them se kjo gjendje është te të gjitha, por ekziston. Motoja për të botuar një libër sot është te paratë jo te vlera e tij. Nga ky kontekst, ndoshta kjo zhurmë e politikës së ditës ndikoi që në një farë mënyre artisti të jetë i humbur. Ju duhet ta dini se në këto rrethana në të gjithë "Shqipëritë tona, artisti është raca më e rrezikuar për ekzistencë. Askush sot nuk mund të mbijetojë duke u marrë me krijimtari përsos dy tre vetave. Askush nga artistët nuk mund të mbijetojë me krijimtari, në një farë mënyre, artisti duhet të bëhet biznesmen që të mund të ekzistojë. Kjo është dilema dhe vuajtja e artistit në kohërat e sotme.
Çfarë solli liria në letërsi gjatë këtyre viteve. A e kompensoi ajo mungesën e gjatë para viteve ‘90-të?
Eshtë një pyetje interesante, pasi në pjesën më të madhe të rasteve termi liri keqinterpretohet. Liria nuk do të thotë anarki, liria nuk do të thotë kaos, liria nuk do të thotë që çdo njeri mund të bëjë çfarë do. Liria është përgjegjësia më e madhe e njeriut. Më i robëruar ndihet njeriu që është plotësisht i lirë, që i lejohet çdo gjë, pasi ai duhet të kujdesemi se liria jonë çfarë i sjell tjetrit dhe mendoj se në botën shqiptare jemi të bufatur ende nga ajo kohë kur nuk kishim liri as për të marrë frymë e jo më të mendojmë. Ne filluam të mendojmë në mënyrë perverse, një mënyrë që si lejohet krijuesit, ne u bëmë një racë mishngrënëse që më mirë ndihet kur ia ha kokën tjetrit. Pse ndodh kjo. Ndoshta ndodh prej faktit se ne nuk jemi rritur natyrshëm, në një ambient të vetëm. Nëse krijuesit më të motivuar kanë qenë kur kanë pasur shtrëngesa se ato i kanë motivuar të krijojnë një botë të dytë të vetën. Ndoshta sot është problem fakti që krijuesi nuk e gjen vetveten, nuk vë kontakt me vetveten, në këtë ambient ku vlerësues apo kritikë bëhen njerëz vetëm gjatë ditës. Te ne ndodh absurdi që kritikët janë njerëz që librin e vetëm që kanë lexuar janë menytë nëpër kafene, mirëpo të gjithë janë bërë kritikë e krijues. Në një shoqëri ku nuk ekzistojnë standarde ju nuk mund të kërkoni. Në atë shoqëri jo se nuk ekzistojnë vlera, por ato nuk dinë të identifikohen. Ju e dinin që më zhurmaxhinjtë janë këngëtarët që s‘kanë zë për këngë. Ata e ndiejnë se vetëm zhurma mund t‘i mbajë. Kjo nuk do të thotë se krijuesi nuk di ta përdorë lirinë, por kjo liri e jona është pak perverse, pa rregull, kjo, sipas meje, është ajo që e pengon artin shqiptar që ai të ndihet si mes një potence pa kushte që të manifestohet. Me vjen keq që tregohem kaq i vrazhdë, por në këtë kohë ka humbur dhe kënaqësia që të botosh një libër dhe kjo është vërtet tragjike.
Nëse i hedh një sy letërsisë sonë këto kohë, sa bashkëkohore është ajo?
Mendoj se arti është bashkëkohor aq sa jemi edhe ne të tillë. Eshtë jeta jonë ajo që në një farë mënyre pasqyrohet në art dhe letërsia ecën me atë çfarë ndodh me ne. Gjithçka është në varësi të rrethanave ku ekzistojmë. Arti nuk mund të jetë modë. Nuk mund të shkruhet me idenë se "kështu shkruhet në Evropë". Unë e di se cili art pëlqehet tashmë në botë, por unë nuk mund të ulem dhe të shkruaj pikërisht se kjo prozë pëlqehet në botë. Bashkëkohësinë e një vepre e përcakton shkrimtari dhe koha kur bëhet. Tjetër është si drejtim i krijuesit, të cilët kultivohen në këtë botë. Ne mbjellim atë që frytet do t‘i gjykojë e ardhmja. Ky është arti, teorinë e së cilës ne nuk mund ta ndryshojmë dot. Ajo që mundon gjithnjë artistët është në atë çfarë ata prodhojnë sa mund të përballet me të sotmen e jo më me të nesërmen. Ne jemi në nivel me krijimtarinë bashkëkohore aq sa do të bëjmë më pas vlerësimin se çfarë do të mbetet në bibliotekën tonë nacionale. Dhe ato do të jenë vlerat e vërteta të kësaj kohe.
E çfarë mund të vendosim deri tani në atë bibliotekë?
Nga kjo kohë mendoj se do të mbetet një raft i zbrazur. Kosova lindi një gjeneratë të lotderdhjeve, prej ‘81-shit, të cilët u burrëruan kur nisi lufta, të cilët tharmin krijues duhet ta krijonin kur erdhën të huajt, kur Kosova u bë vendi i mirë për refugjatët perëndimorë. Kështu, Kosova i humbi dy gjenerata krijuesish, Shqipëria gjithashtu rriti një gjeneratë që shijoi helmin e qumështit të kooperativës, që u burrëruan të vetëdijshëm për vetveten në ‘97-ën, kur shqiptarët vranë Shqipërinë, që duhet ta nisnin krijimtarinë e vet në kohën kur këtu thjesht ekziston vetëm lufta e jovlerës. Kështu, në një farë mënyre, shqiptarët flijuan nga dy-tri gjenerata të krijuesve të vet. Shpesh e them se kur është në pyetje arti, te ne tragjedia, humbja është e plotë, ajo s‘mund të jetë më e madhe. Kush e përkrah sot një krijues të ri? Askush. E vetmja gjë që i ofrohet atij është të bëhet opinionit në një televizion ku u ofrohen para dhe kushte më të mira dhe ai aty zhduket. Artisti është njeri si të gjithë njerëzit e tjerë, edhe ai ka momente kur ka dëshirë të jetojë mirë. Kështu, pra në Kosovë ndodhi e njëjta gjë, lufta, një gjeneratë që mësonte nëpër bodrume, pushteti serb që e ndiqte dhe ndofta është një fenomen i çuditshëm që ne nuk kemi gjeneratë të re, apo ndoshta numër të mjaftueshëm. Kështu, mendoj se me letërsinë shqiptare do të ndodhë që një pjesë e raftit të kësaj kohe do të mbetet bosh.
Për sa i përket kritikës, si e shihni atë këto vite?
Edhe kjo lidhet me atë çfarë thashë në fillim. Kur shkatërrohen standardet nuk ka kush të na kritikojë. Jo rastësisht në të gjithë "Shqipëritë" tona njerëzit merren me politikë. Kjo, pasi aty nuk nevojitet të kesh ndonjë aparaturë, por thjesht të rreshtohesh diku. Nëse e vëreni, diçka e ngjashme nisi edhe në letërsi, edhe në art. Kështu, edhe ne jemi ndarë në principata letrare. Kështu, edhe ne na pëlqen mbyllja, pasi duket sikur jetojmë më mirë me veten. Ndërsa shoh mënyrën sesi është situata letrare në Tiranë, Prishtinë, Tetovë, më duket se ne të Maqedonisë vazhdojmë të mbetemi një provincë kulturore, që vuajmë nga mendjemadhësia e Tiranës dhe kokëfortësia e Prishtinës. Por e gjithë kjo situatë lidhet me standardet, pasi nuk kemi sistem të organizuar të vlerave. Kështu, kritik te ne mund të bëhet çdokush. Normalisht, çdo lexues mund të japë një mendim për vlerat, por jo çdo lexues mund të jetë kritik në profesion, pasi kritika kërkon një tjetër këndvështrim për veprën letrare.