Back

Ishin grupe u bënë “banda”

Shkruan: Kim MEHMETI

Politika është veprimtari, e cila ta krijon iluzionin se duke ecur rrugës së mërzitshme dhe të ngadaltë drejtë vdekjes, lë pas vetes gjurmë të pashlyeshme, si të gdhendura mbi gurë. Pra politikanët janë nga pak njerëz të dehur nga iluzioni gënjeshtar, i cili i bën edhe të humbin kontaktin me realitetin që i rrethon. Apo ndodh që edhe proceset e pashmangshme nëpër të cilat kalon një shoqëri, ata t‘ia përshkruajnë si meritë të vetvetes. Andaj edhe në politikë kurrë nuk mund të përcaktohet qartë se vallë "publiku" është dehur nga shfaqja që ia ofrojnë politikanët, apo "aktorët" politikë jetojnë në iluzionin se e ndryshojnë botën, se me projektet e tyre mund të vënë nën kontroll "materien" më të lëvizshme e më depërtuese se uji – vetëdijen njerëzore. Shpeshherë ndodh që politikanët të vdesin me bindjen se do t‘u ngrihen përmendore të larta, apo edhe të bindur se kanë bërë vepra të cilat do mbeten të përjetshme. Por, harrojnë se kanë vdekur edhe politikanë që kanë besuar se populli do t‘i vajtojë me vite, e të jenë harruar që të nesërmen pas vdekjes, janë varrosur politikanë që kanë qenë shenjë e kthesave me përmasa botërore, e biografitë e të cilëve nuk kanë më shumë se disa rreshta në enciklopeditë e ndryshme.

Portretet e politikanëve janë vetëm ballina e librit, në brendinë e së cilit mbetet e shënuar pjekuria e një kolektiviteti të tërë, ku është pasqyruar vetëdija se si ai popull e ka lexuar të tashmen e vet, e cila me shumëçka është përcaktuese për të ardhmen dhe për ata që do vijnë pas tyre. Andaj, edhe nuk janë të vlefshëm politikanët të cilëve u duhet ngritur përmendore vetëm për atë që kanë bërë sa kanë qenë gjallë, por ata që kanë pasur vizion për të ardhmen, ata që në arën e së sotmes së tyre kanë mbjellë farën e mbarë të ardhmërisë. Kështu që, askush nuk ka nevojë të shlyej apo të zmadhojë meritat e ndonjë politikani, sepse veprat e tij i shlyen vetë koha, si dhe pasardhësit e tij, sepse politikanët janë kanibalë që ushqehen duke i ngrënë meritat e pararendësve të tyre. Njësoj siç nuk ka nevojë njeriu atyre t‘u ngre edhe përmendore, sepse rëndom çdo e ardhme sjell heronjtë e ri politikë, të cilët më shumë se çdokush urrejnë përmendoret e politikanëve të mëparshëm dhe duan me çdo kusht që në postament të qëndrojë statuja e tyre. Dhe prandaj ndodh që përmendoret e politikanëve shumë shpjet të bëhen të pavlefshme dhe të shërbejnë vetëm si pushimore për shpendët e lodhur.

Gjatë historikut të vet, shqiptarët e Maqedonisë, u janë përkulur shumë politikanëve, kanë përshëndetur me brohoritje shumë prijës, kryetarë e perandorë. Kanë ngritur obeliskë, kanë vënë lule pranë tyre, e më pas i kanë pështyrë përmendoret që kanë shënuar gabime në kalendarin e zhvillimit të tyre shoqëror. Pra, kanë vepruar ashtu si çdo popull tjetër që shpreson, të cilit premtimet e reja i tingëllojnë më bindëse e më joshëse se ato të mëparshmet. Por, instinkti i brendshëm për të mbijetuar, gjithmonë i ka çuar kujdesshëm të ecin edhe rrugës që e njohin, kështu që shumë rrallë emrat e politikanëve i kanë përdorur për të emërtuar rrugë apo shkolla. Madje, edhe këngët që ua kanë kënduar atyre, i kanë thurur në atë mënyrë që emri i udhëheqësit politik të mbetet gjithmonë në mes të vargut, e që më vonë lehtë të zëvendësohet me atë të pasardhësit. Pra, ky popull gjithmonë i ka mbajtur gati çiftelitë me dy tela, por vargjet për politikanët nuk ka pas nevojë t‘i ndryshojë së tepërmi, sepse "partia" kishte të njëjtën metrikë dhe rimë me "atdhetaria", "liria" me "shqiptaria", njësoj si edhe mbiemrat e prijësve partiak shqiptarë, që lehtë zëvendësoheshin nga "Halimi" në "Aliti", nga "Arbër atdhetari" në "cilindo tradhtari", e kështu me radhë.

Është e vërtetë se shqiptarët e Maqedonisë i kënduan edhe demokracisë, si dhe shumë udhëheqësve partiakë. Posaçërisht në fillimet e demokratizimit të shoqërisë së tyre. Duke mos u shkuar mendja se ndoshta dikur, atje thellë në të ardhmen, e që tani quhet e sotme, do përballen edhe me parti të cilat në fillim kishin grupe aktivistësh, a sot kanë edhe "banda" demokratike me ndihmën e të cilave, siç duket kanë vendosë ta përmbyllin procesin e "bandokracizimit" të shoqërisë shqiptare të Maqedonisë. Gjë e cila siç duket fare nuk i pengon qeverisë së sotme të Gruevskit, mbase shkaku se ndodhë ajo që shumëkush këtu edhe e nxitë dhe e dëshiron: Shqiptarët t‘ia hanë kokën njëri- tjetrit. Edhe atë në kohë kur Kosova në ankth merret me realizimin e ëndrrës shekullore – pavarësinë.

Sot kur Kosova proteston kundër atyre që ia vrasin policët elitarë, kur Shqipëria vendosmërisht donë të çlirohet nga kthetrat e krimit, shqiptarët e Maqedonisë thuajse merren me akordimin e çiftelive dhe nuk kanë kohë të shohin kriminalizimin që ndodh në shoqërinë e tyre. Dhe nuk arrijnë të shohin se thuajse çdo fshatë ka heroin e vet lokal, e çdo "kryebandit" partiak ka "bandën" e vet që ia mban nënë kontroll popullin. Kështu që ndodhin rrahje, vrasje, keqtrajtime shqiptaro-shqiptare. Dhe në tërë atë rrëfim nuk dihet kush është viktimë: "banditët" apo qytetarët e rëndomtë. Sepse edhe ata të rinj në shërbim të "kryebanditëve" partiakë, janë viktimë e papunësisë, e shpresave të kota se partia do t‘ua zgjidhë të gjitha problemet. Por, nëse nuk dihet kush e pëson më së shumti, dihet se kush fiton: qarqet antishqiptare që nxisin dhe arritën të realizojnë atë që mbase e kishin ndërruar me vite – që grindja brenda shqiptare të jetë sa më e thellë dhe të shkojë drejtë rrugës së vëllavrasjes.

"Bandokracizimi" i shoqërisë së shqiptarëve të Maqedonisë është proces që zgjat me vite. Ky proces sot ka arritur kulmin. Sot ai nuk mund të mbulohet me asgjë. Dhe mbase ka ardhur faza kur "kryebanditët" partiakë e shohin se kanë mbetur peng i kështjellës së "bandokracisë", por nuk dinë si të dalin nga aty ku ndodhen. Sepse, të prirë nga parimi se "ardhja në pushtet i arsyeton të gjitha mjetet", veprimin partiak ata e shndërruan në fushëbetejë "për jetë a vdekje". Mbase kështu dëshmuan se nuk e njihnin as parimin elementar të veprimit politik: se politika është pasqyrë ku shihet fytyra e atyre që luajnë rolet kryesore në të, por edhe e atyre në emër të të cilëve protagonistët politikë e zhvillojnë lojën. Pra, në atë pasqyrë nuk duket vetëm fytyra e të zgjedhurve të popullit, por edhe portreti grupor i vetëdijes politike të zgjedhësve. Dhe ajo pasqyrë, si gjitha të tjerat, gjithmonë qëndron përpara protagonistëve, asaj nuk mund t‘i ikësh edhe kur e anashkalon, ajo lëviz, gjithmonë kthehet nga ana ku zhvillohen ngjarjet, i pasqyron fytyrat edhe atëherë kur personazhet nuk e shohin atë.

Kjo që ndodh sot me shoqërinë e shqiptarëve të Maqedonisë, është rezultat i bindjes perverse të ndjekur nga disa politikanë të papërgjegjshëm të këtushëm, të cilët besonin se politika është kurvë, e cila bie në shtrat me të pasurin për shkak të pasurisë, me injorantin për shkak se ai është më i dëgjueshëm se i mençuri, me të dhunshmin për shkak se ai mund t‘i dhunojë të padëgjueshmit. Bima e sotme e kriminalizimit të disa vendbanimeve të shqiptarëve të Maqedonisë, ka mbi nga fara që e mbollën disa politikanë të këtushëm gjatë dekadës së kaluar të demokratizimit të Maqedonisë. E të cilët nuk mbanin llogari që të mbronin dinjitetin dhe nderin e anëtarësisë së vet, simpatizantëve, të një kolektiviteti të tërë. Andaj edhe "kryebanditë" partiak mbajnë përgjegjësi për këtë që ndodh sot me shoqërinë e shqiptarëve të Maqedonisë, e jo "banditët" e rinj që mbetën të papunë nëpër çajtore e internet-kafene.

                                                

(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)