Back

Ka politikanë me bollëk

Pas informatave të plasuara në medie se Mehmeti është afër bashkëngjitjes në Demokracinë e Re (DR) të Imer Selmanit vetë shkrimtari i ka hedhur poshtë këto si të pavërteta, por nuk ka përjashtuar mundësinë që një ditë të kyçet edhe aktivisht në politikë

Do të kyçet shkrimtari Kim Mehmeti në parti politike, do të formojë subjekt të ri politik apo do të vazhdojë të veprojë si krijues dhe analist, këto janë disa nga dilemat e opinionit vendas këto ditë?! Pas informatave të plasuara në medie se Mehmeti është afër bashkëngjitjes në Demokracinë e Re (DR) të Imer Selmanit vetë shkrimtari i ka hedhur poshtë këto si të pavërteta, por nuk ka përjashtuar mundësinë që një ditë të kyçet edhe aktivisht në politikë.
Emri i Mehmetit u përfol në medie se do të udhëheqë listën e kandidatëve për deputetë të DR-së në njësinë zgjedhore numër 2 ose 6-të.
“Tërë jetën ia kam përkushtuar identitetit tim krijues, duke qenë njëkohësisht aktiv edhe në shpalosjen e mendimit tim të lirë rreth dukurive në shoqërinë tonë shqiptare. Ai identitet është ndërtuar pa mbulesa partiake, apo grupore. Dhe që atë identitet krijues t’ia huazojë atij politik do duhet të jem i bindur se ia vlen, se do mund sadopak të ndihmojë në realizimin e asaj që e them publikisht. Në ndërkohë më kanë shpallur përkrahës të partive të ndryshme, thuajse qëndrimet e mia duhet të jenë ‘jashtëtokësore’, thuajse unë nuk kam të drejtë të besoj e të përkrahës dhe në ndërkohë të zhgënjehem, ashtu siç më ka ndodhur shumë herë deri më tani”, ka thënë Kim Mehmeti.
Ai konfirmoi se jo vetëm tani, përpara këtyre zgjedhjeve të mundshme të parakohshme, por edhe më parë ka pasur oferta sa për të bërë parti të re, po aq edhe për t’iu bashkangjitur ndonjë subjekti politik.
“Kjo nuk ka ndodhur ngaqë kam besuar se ky popull ka shumë politikanë, por pak politik dhe se atij nuk i nevojitet edhe një si gjithë të tjerët. Çka do të ndodh tutje, nuk e di. Por, nëse do vendosi të merrem aktivisht me politikë, nuk kam asnjë arsye këtë ta fshehë ngaqë e di se ka politika të turpshme dhe politikanë të paaftë e të papërgjegjshëm, por nuk është e turpshme të merresh me politik nëse mbetesh përgjithmonë nën sundimin e atyre që të votojnë”, shtoi Mehmeti.
Nga ana tjetër, informatat për kyçjen e Mehmetit në DR i ka hedhë poshtë edhe zëdhënësi i kësaj partie Arjanit Hoxha. Ai tha se deri më tan, me Mehmetin nuk është biseduar për çështje të tilla. “Ne si Demokraci e Re kemi respekt të veçantë për të analistin dhe publicistin e njohur Kim Mehmeti. Ne si parti, jo vetëm me Kim Mehmetin, por edhe shumë analistë tjerë mbajmë konsulta të rregullta, me të cilët bisedojmë për zhvillimet e fundit politike në vend”, tha Hoxha duke theksuar se në takimet me Mehmetin nuk është biseduar për kyçjen e tij në strukturat partiake të Demokracisë së Re (DR). 
Nuk është turp të merresh me politikë
“Kjo nuk ka ndodhur ngaqë kam besuar se ky popull ka shumë politikanë, por pak politik dhe se atij nuk i nevojitet edhe një si gjithë të tjerët. Çka do të ndodh tutje, nuk e di. Por, nëse do vendosi të merrem aktivisht me politikë, nuk kam asnjë arsye këtë ta fshehë ngaqë e di se ka politika të turpshme dhe politikanë të paaftë e të papërgjegjshëm, por nuk është e turpshme të merresh me politik nëse mbetesh përgjithmonë nën sundimin e atyre që të votojnë”, tha Kim Mehmeti.
Konsultohemi me analistë
“Ne si Demokraci e Re kemi respekt të veçantë për të analistin dhe publicistin e njohur Kim Mehmeti. Ne si parti, jo vetëm me Kim Mehmetin, por edhe shumë analistë tjerë mbajmë konsulta të rregullta, me të cilët bisedojmë për zhvillimet e fundit politike në vend”, tha Arijanit Hoxha i DR-së.