Back

Kah vetvetja

Shkruan:Kim MEHMETI

Nëse ndodheni në një mjedis ku ka shumë zhurmë, ku të gjithë flasin, ku të gjithë tregojnë diçka e askush nuk dëgjon, ta dini se ndodheni në selinë e ndonjë partie të shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe në atë mjedis mos i thoni të vërtetat tuaja, se ato nuk vlejnë gjë, në atë mjedis askush nuk është i interesuar ta dijë çka mendojnë të tjerët për ta, por e kuptojnë vetëm fjalinë: “Kryetari i partisë dhe ne rreth tij i dimë të gjitha dhe gjithmonë kemi të drejtë”. Nëse ju rastis të ndodheni në ndonjë mjedis ku të gjithë njerëzit e godasin ujkun e ngordhur, keni kujdes si silleni, se aty mund t’ju hajë ujku e askush të mos afrohet t’ju ndihmojë dhe duhet ta dini se ndodheni mes “analistëve” të shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët assesi ta kuptojnë se gjeli që këndon herët edhe mund të përfundojë në tepsinë e mish-orizit, por atë që këndon vonë askush nuk e dëgjon. Nëse arrini në ndonjë vend ku çdonjëri i shan gjithë të tjerët, ku çdonjëri mendon për vetveten se është më i bukuri dhe më i mençuri i botës, ta dini se ndodheni në mesin e “intelektualëve” shqiptarë të Maqedonisë. Dhe në atë rreth njerëzish ke përshtypjen se asnjëri nuk e ka parë vetveten në pasqyrë që nga fëmijëria, andaj edhe nuk e dinë se nga çdo foshnjë e lezetshme të cilën çdokush dëshiron ta puthë e përkëdhelë, një ditë rritet një rinosh narcisoid, nga i cili piqet një karrierist dhe grykës e që përfundon si një plakush i gërditshëm, të cilit nuk i afrohen as fëmijët e tij. Pra, nëse arrini në një vend ku të gjithë flasin e askush nuk dëgjon, ku të gjithë tregojnë trimëri mbi ujkun e cofur e askush nuk afrohet të të shpëtojë kur je i rrezikuar nga ujku i gjallë, nëse ndodheni në mjedis ku s’ka mbetur njeri i panjollosur, ku të mirin nuk e vlerësojnë nëpërmjet virtyteve dhe aftësive që ka, por sipas asaj sa është më pak i keq se më i keqi, atëherë të jeni të sigurt se ndodheni mes shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe pasi të jeni përballur me këto mjedise që nuk i bashkon asgjë mes veti, do e keni më lehtë ta kuptoni se nga cila “sëmundje” kolektive vuan ky popull, do e keni më të qartë pse për shqiptarët e këtushëm vendosin edhe njerëz të cilët mbase nuk janë të këqij e as nga ata që nuk e duan popullin e vet, por janë aq të paditur sa edhe familjarët e tyre thonë: Shyqyr që merren me punët e shtetit e nuk kanë kohë të na e prishin shtëpinë!

Nëse arrini në një qytet, në sheshin e të cilit ka më shumë përmendore se sa kalimtarë, ta dini se jeni në kryeqytetin e shtetit të cilin e udhëheqin macet politike, të cilave vetvetja u ngjason në luan. Pra, duhet ta dini se ndodheni në Shkup, në kryeqytetin e Maqedonisë dhe se përballë keni përmendoret e Gruevskit. Dhe duke i parë këto përmendore, ju do e kuptoni pse Kryeministri i Maqedonisë i harxhon paratë e taksapaguesve shqiptarë si t’i kishte trashëguar nga gjyshi i vet. Pra, do e kuptoni se Gruevski ndërton përmendore dhe teleferik deri te kryqi mbi Vodno edhe me parat e shqiptarëve ngaqë mbulesë ka Ali Ahmetin “që e mbanë fjalën” dhe i cili del përpara shqiptarëve e premton se në sheshin e Shkupit do ketë edhe përmendore të heronjve shqiptarë, e shqiptarëve të këtushëm nuk u shkon ndër mend ta pyesin atë se në cilën çajtore është vendosur për personalitetet që do nderohen me shtatore, apo cili komision ka caktuar figurat historike të shqiptarëve që meritojnë ta stolisin sheshin e Shkupit. Dhe shqiptarët e këtushëm nuk i thonë Ali Ahmetit se historia shqiptare nuk është çështje e një partia, ngaqë janë të zënë me leximin e librit të “Gjeografisë” për shkollat e mesme, ku thuhet se ata janë të rrezikshëm për Maqedoninë, ku shkruan se ata kanë origjinë sllave e rome, e nga i cili libër fëmijët e tyre mësojnë plot shtatë vite me radhë, libër të cilin e ka përkthyer ndonjë shqiptarë që mbase nuk e ka ditur origjinën e popullit të vet dhe e kanë përdorur profesorë që ndoshta janë diplomuar tek “universiteti” i Qafës së Thanës, ku edhe sot ta sjellin diplomën të vendosur në kornizë luksoze, por vetëm nëse atë kornizë e paguan aq sa kushton një pikturë e vlefshme disa mijëra euro.

Nëse këto ditë shëtitni nëpër vendbanimet e shqiptarëve të Maqedonisë, do e ndjeni dëshpërimin e kësaj popullate nga të gjithë përfaqësuesit e saj nëpër institucionet shtetërore. Por gjithsesi, do vëreni se shqiptarët e këtushëm e kanë të vështirë ta kthejnë shikimin kah vetvetja e të shohin se ata përfaqësues i ka votuar vetë ky popull, se deputetët e ministrat që i ndërrojnë partitë më shpesh se sa çorapet, janë po ata të cilëve ky popull u brohoriste dhe u duartrokiste nëpër mitingjet parazgjedhore, se ata që vendosin për përmendoret, për librat shkollorë ku ofendohen shqiptarët, janë injorantët e propozuar nga partitë shqiptare, se profesorët që ligjërojnë sipas librave që nuk i kanë lexuar asnjëherë, janë “intelektualët” tanë, se disa “analistë” që sot shajnë ambasadorët, qeveritarët e parlamentarët shqiptarë, janë ata të djeshmit që bënin gjumë përpara kabineteve të kryetarëve të partive vetëm që të bëheshin përfaqësues diplomatikë të Maqedonisë apo ministra e deputetë. Pra, nëse shqiptarët e këtushëm do e kthenin shikimin kah vetvetja, ata do e shihnin se çfarë fatkeqësie kolektive dhe individuale është të jetosh në një vend ku të gjithë flasin e askush nuk dëgjon, ku nuk ka vlerë e mira që thua, por e keqja që bën, ku të gjithë tregojnë trimëri mbi ujkun e cofur e askush nuk afrohet të të shpëtojë kur je i rrezikuar nga ujku i gjallë, kur jeton në mjedis ku s’ka mbet njeri i panjollosur, ku të mirin nuk e vlerësojnë nëpërmjet virtyteve dhe aftësive që ka, por sipas asaj se është më pak i keq se më i keqi.