Intervistë me shkrimtarin dhe analistin politik nga Maqedonia, Kim Mehmeti
Ardian Zejnaj
Focus: Z. Mehmeti, Kosova së fundi u gjend në mes të “konfliktit” për emrin kushtetues mes Maqedonisë dhe Greqisë. Pse iu dasht Kosovës të hyjë në këtë “konflikt”, apo pse këto dy shtete e duan Kosvën në këtë mes?
Mehmeti: Ka gjëra që nuk varen nga ju (Kosova), kur bëhet fjalë për këto lojëra regjionale. Herëdo-kurdo, Kosova do bëhej pjesë e kësaj loje. Nëse jo për hiçgjë tjetër, atëherë shkaku se asaj i nevojitet pranimi edhe i Greqisë edhe i Maqedonisë. Dhe deshi apo jo, Prishtina zyrtare duhet të mbajë “anën” e njërës palë. Sa i përket emrit të përkohshëm të Maqedonisë, ajo vetë pranoi që në Kombet e Bashkuara ta emërojnë si IRJM. Andaj ajo s’ka pse t’u hidhërohet atyre që u përmbahen vendimeve të KB.
Qëndrimi maqedonas ndaj pavarësisë së Kosovës, krejtësisht proserb
Focus: Realisht, çfarë pozicioni do të duhej të mbante Kosova kundrejt kësaj çështje?
Mehmeti: Në politikë vlen vetëm një parim: ai që mbron interesin e shtetit tënd. Në interes të Kosovës është që ajo të ketë krahë vetes një Greqi, e cila është anëtare e BE dhe NATO-së. Një Greqi, e cila në fund të fundit, njihet si “mike” e Serbisë. Sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e shtetit ku jetojnë rreth 30% përqind shqiptarë, ai duhet të jetë problem i shqiptarëve të Maqedonisë, e jo i Kosovës. Andaj, Kosova edhe nuk duhet të merret me Maqedoninë. Me qëndrimin e Shkupit zyrtarë ndaj Kosovës duhet të merremi ne shqiptarët e këtushëm. Sepse, qëndrimi i qeveritarëve maqedonas ndaj pavarësisë së Kosovës –i cili qëndrim tani për tani është krejtësisht proserb – shpjegon shumëçka edhe për relacionin e Maqedonisë ndaj neve shqiptarëve si qytetarë të saj. Kështu që, mosnjohja e Kosovës nga ana e Maqedonisë, është përgjegjësi e neve shqiptarëve të Maqedonisë dhe kjo situatë portreton potencën tonë politike në këtë shtet.
Focus: Mund të konsiderohet çështja e demarkacionit të kufirit si arsyeja kryesore që Maqedoni ende nuk e ka njohur pavarësin e Kosovës, apo ka arsye të tjera këtu?
Mehmeti: Unë personalisht nuk gjejë asnjë arsye të logjikshme pse Maqedonia kaq e vonoi njohjen e pavarësisë së Kosovës. Arsyen logjike që mund ta them është ajo, se këtë shtet e udhëheqin qarqe politike maqedonase që janë të ngarkuar me antishqiptari, apo të cilat edhe nuk i intereson gjithaq stabilizimi i brendshëm i shtetit dhe harmonizimi i marrëdhënieve ndëretnike. Cili është qëllimi i kësaj politike nuk e di. Por fundin e sajë mund ta paragjykojë: kalbja e brendshme e shtetit.
Mbase çdokush që pranon realitetin shumetnik të Maqedonisë e dinë se me njohjen e Kosovës, kontribuohet në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni, se kjo ndikon në stabilitetin e brendshëm të shtetit. Andaj them: Maqedonia do të duhej të njihte pavarësinë e Kosovës ende pa u shpallur ajo si shtet i pavarur, e jo me kaq vonesë. Këtë do të duhej ta bëj jo shkaku i Kosovës, sa shkaku i vetvetes, shkaku i respektit ndaj 30 perqind të shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët pavarësinë e Kosovës e ëndërronin po aq sa edhe vet kosovarët.
Maqedonia vështirë arrin të ruaj vetveten
Focus: A është aq e fuqsihme apo në pozitë Maqedonia që të mund ta kushtëzojë Kosovën për çfarëdo çështje, para se ta njohë si shtet të pavarur?
Mehmeti: Maqedonia është “protektorat” i llojit tjetër. Ajo është shtëpi e ndërtuar mbi themelet e betonuara nga dëshira e bashkësisë ndërkombëtare që ta dëshmojë si të suksesshëm eksperimentin multietnik ne Ballkan. Si e tillë, Maqedonia vështirë arrin të ruaj vetveten, e jo më të ndikojë në fatin e shteteve të tjera në Ballkan. Por, si “zonë neutrale” në këtë pjesë të Ballkanit, ajo ka rëndësinë e vet. Ky shtet më shumë ekziston shkaku i shqiptarëve të këtushëm, se sa i maqedonasve etnik. Këtë e thotë logjika e shëndosh, e oportuniteti politik i rrjedhave globale thotë diçka tjetër: se një Maqedoni e “arnuar” nga më shumë popuj, ruan baraspeshën e mosmarrëveshjeve ndëretnike në Ballkan. Deri kur ajo do mund të qëndrojë si akrep i peshores që tregon se nga shkon Ballkani, nuk di ta thotë askush.
Focus: Kryeministri Gruevski thotë se ende nuk ka ardhur momenti për këtë vendim, ndërsa Presidenti Cervenkovski ka deklaruar, se ka menduar që lajmin për njohjen e Kosovës do t’ua kumtonte më 22 shtator shqiptaro-amerikanëve në takimin që ka realizuar më ta në Amerikë. Mendoni se ka mosmarrëveshje mes qeverisë dhe presidencës maqedone rreth njohjës së pavarësisë së Kosovës?
Mehmeti: Kryeministri dhe Presidenti i Maqedonisë bashkëpunojnë mes veti ashtu sa shpesh ke përshtypje se janë burrështetas të shteteve të ndryshëm dhe armiqësore. Normalisht, kjo ndikon edhe në politikën e jashtme, edhe në atë të brendshme të Maqedonisë. Mendoj se kjo është fryt i të vërtetës, se edhe elitat politike të etnitetit maqedonas, ende nuk kanë vizion të qartë për të ardhmen e Maqedonisë. Sjellja e Gruevskit dëshmon se ai edhe nuk ngutet që Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-së. Mbase këtë nuk e dëshiron, sepse elitave të këtushme politike maqedonase, u nevojitet kohë që të bëjnë shpërndarjen e kapitalit të brendshëm; ata kanë nevojë që të mbeten jashtë “standardeve” të BE-së që të bëjnë rirreshtimin e brendshëm që ka të bëjë me kapitalin, e ku shqiptarët me asgjë nuk marrin pjesë.
Focus: Po ashtu ka dalë në pah një tension i ri politik mes kryeministrit Gruevski dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, po për çështjen e Kosovës. Shihni ndonjë lojë politike nga ana e Gruevskit në raport me Kosovën këtu, e cila lojë mund të jetë si rezultat i ndonjë presioni në heshtje nga ana Serbisë?
Mehmeti: Gjithmonë duhet pasur parasysh një të vërtetë: qeverinë maqedonase e udhëheq partia më antishqiptare – ajo e VMRO-DPMNE-së. Si e tillë, ajo e përdorë çdo rrethanë që të dobësoj faktorin politik shqiptarë të këtushëm. Si e tillë, e mësuar nga Arbër Xhaferi ( i cili këtë parti ( VMRO-DPMNE) e shpalli partner strategjik të PDSH-së), se partitë shqiptare nuk meritojnë asgjë përpos rolit vasal të tyre në qeveri, ajo tani bënë çmos që të de-faktorizojë partitë e këtushme shqiptare. Dhe Ali Ahmeti nuk e ka të lehtë të kthej pozitën e shqiptarëve të këtushëm aty ku ishte pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2002. Nuk e ka të lehtë, sepse me pjesëmarrjen e vet në koalicionet qeveritare të VMRO-DPMNE-së, PDSH-ja ua “zbriti” çmimin politik shqiptarëve të këtushëm më poshtë se që mund ta paramendonte njeriu. Askush nuk ka shpjegim logjik pse e bëri këtë PDSH-ja dhe pse Arbër Xhaferi, përderisa ishte “pronar” i kësaj partie, lejoi që VMRO-DPMNE-ja, PDSH-në ta bëjë si degë të saj. Ali Ahmeti tani paguan çmimin e bindjes së Gruevskit se ai mundet të blejë cilëndo parti shqiptare, e paguan çmim bindjes së Gruevskit se, mund të bëjë qeveri me cilëndo parti shpotare, e bile edhe pa to. Sepse Arbër Xhaferi, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006, publikisht tha se Mandatari është ai që duhet të vendosë fatin e partive shqiptare, e jo votuesi shqiptarë dhe hyri në koalicionin qeveritarë duke e ditur se nuk i kishte fituar zgjedhjet në bllokun shqiptarë dhe se me këtë i jepte legjitimitet qëndrimit mospërfillës të Gruevskit ndaj votës shqiptare .
Shihni ministrin e Jashtme të Kosovës, dhe çdo gjë e keni të qartë
Focus: Së fundi Serbia ka parashtruar një kërkesë pranë KS të OKB-së, që ta dërgojë pavarësinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për ta vlerësuar ligjshmërinë e saj. Mendoni se do t’ia arrijë këtij synimi Seria?
Mehmeti: Serbia ka arritur shumë me vet aktualizimin e kësaj çështjeje përpara KB. Edhe pse nuk ka vendim që mund ta zhbëjë ëndrrën mbarëshqiptare për një Kosovë tani më të pavarur, mbetet e vërteta e hidhur, se diplomacia serbe arrin disa rezultate sa i përket ngadalësimit të njohjes së Kosovës si shtet të pavarur, nga disa shtete të botës. Këtë e arrin edhe shkaku i inferioritet të diplomacisë mbarëshqiptare. Më në fund, shihni se cilin e ka Kosova si Ministër të Jashtëm të saj, dhe çdo gjë do e keni të qartë.
Focus: Nëse kalon kërkesa serbe, çfarë pasojash mund të ketë pavarësia e Kosovës dhe rruga e saj në kërkim të njohjeve të reja?
Mehmeti: Nëse kalon kjo kërkesë, Kosova do e paguaj çmimin e ngadalësimit të njohjes së sajë nga disa shtete që kanë ende “dilema” lidhur me pavarësimin e saj. Pastaj nuk duhet harruar se jetojmë në kohën e internetit, kur ngjarjet globale ndryshojnë kahen brenda ditës, dhe duhet kuptuar se Serbia tani përdorë të vetmen që i ka mbetur: blenë kohë. Blen kohë duke shpresuar se mund të krijohen rrethana kur Kosova do “gjunjëzohet” dhe do jetë e detyruar të pranojë disa kushte të sajë. Andaj edhe diplomacia shqiptare duhet të veprojë ngutshëm, por me atë ngutjen për të cilën thuhet: shpejto kujdesshëm.
Focus: Në Kosovë ka pasur shumë kritika në drejtim të Ministrisë dhe politikës së jashtme të Kosovës, duke e akuzuar për paaftësi në lobim dhe jo seriozitet në raport me të tjerët. Mendoni se ka vend për kritika dhe cfarë do të duhej të ndryshonte apo çfarë do të mund të bënte më shumë ky dikaster?
Mehmeti: E thash më lartë: shihni cili është ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, dhe çdo gjë do e keni të qartë. E Kosova ka kapacitet njerëzorë të ketë diplomaci më efikase. Unë njoh së paku pesë veta që do të mund të ishin Ministra të punëve të jashtme të cilitdo shteti evropian. Andaj nuk e di pse Prishtina zyrtare nuk i përdorë këta njerëz tani kur të gjithë shqiptarët që kanë autoritet duhet të bëhen “ambasadorë” të Kosovës. Do i kisha këshilluar burrështetasit e Kosovës, të lexojnë disa libra për formimin e shteteve, e të kuptojnë se çdo të thotë kur një popull mobilizohet të bëjë shtet. Se për njohjen e shtetit angazhohet tërë potenciali njerëzor, se nuk mjafton Ministria e Jashtme që të arrihet kjo, por duhet të formohen qarqe lobimi, të cilat pse jo, duhet t’i financoj Kosova. E ky harxhim, nga ndonjëherë nuk është më i lartë se sa kushtojnë drekat e darkat mujore që i hanë burrështetasit e Kosovë, e i paguajnë me parat e shtetit. Pra nuk kushtojnë as aq sa paga mujore e presidentit të Kosovës e cila është më e lartë se e shumë shteteve të Ballkanit që nuk kanë as hallin e njohjes, as hallin e papunësisë në përqindje trishtuese.
Shqiptarët s’kanë nevojë për parti të reja, por për vizion të qartë politik
Focus: Të kthehemi tek zhvillimet politike në Maqedoni. Partia që humbi zgjedhjet (PDSH) u nda në dysh. Çfarë e dërgoj këtë subjket politik drejtë këtij fati apo përfundimi?
Mehmeti: PDSH-ja ishte parti e varur nga forca e VMRO-DPMNE-së. Në çastin kur VMRO-DPMNE-ja ishte e detyruar ta lë PDSH-në jashtë qeverisë, kjo parti nuk kishte me çka të ushqejë kohezionin e brendshëm partiak. PDSH-ja ishte në shërbim të “partnerit të vet strategjik” – VMRO-DPMNE-së – e jo të shqiptarëve të Maqedonisë. Andaj ajo edhe nuk mbështetej në vullnetin politik të shqiptarëve të këtushëm, por në atë të Gruevskit. Të tillë e bëri PDSH-në Arbër Xhaferi.
Duke e lënë në çeltirë PDSH-në, Gruevski donë të arrijë dy qëllime: atë ta copëtojë dhe të ndikojë edhe në destabilizimin e BDI-së. Andaj Gruevski ndoshta nuk do ta realizojë platformën e vetë “njëqind hapësh” për zhvillimin e Maqedonisë, por ka gjasa të realizojë qëllimin e vet “disa hapësh” për t’i dëmtuar partitë e këtushme shqiptare. Për t’i çuar shqiptarët të merren me atë që merreshin edhe gjatë shtatëmbëdhjetë viteve të kaluara: me themelimin e partive të reja, në pritje të vijë i “treti”, më ndryshe nga të mëparshmit. Duke u marr me themelimin e partive të reja, shqiptarët e këtushëm nuk patën kohë të shihnin se Arbër Xhaferi i mësoi të mendojnë mbrapshtë politikisht: se ata nuk mund të arrijnë sukses nëpërmjet bashkëpunimit mes partive të tyre, por me një partner të fortë strategjik maqedonas. Tani shqiptarët e paguajnë çmimin e kësaj mendësie të dëmshme politike.
Focus: A mendoni se me këtë hapë po tentohet të minimizohet roli i Menduh Thaqit në njerën anë, dhe në anën tjetër të krijohet një parti apo profil i ri politik tek shqiptarët që do ta bënte me demokratike konkurencë mes kampit shqiptarë?
Mehmeti: Me këtë hapë tentohet të de-faktorizohen të gjitha partitë shqiptare. Sepse degëzimi i tyre, e dendëson mjegullën politike të shqiptarët e këtushëm. Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë nevojë për parti të reja, por për vizion të qartë politik. Më në fund, partitë e reja nuk mbushin ndonjë spektër ideologjik që u mungon shqiptarëve, por vetëm shtojnë numrin a atyre që kanë qëllim hyrjen në qeveri pa asnjë kusht. Si të tilla, partitë e këtushme shqiptare e kanë gojën përplot shqiptari derisa janë në opozitë, e posa vijnë në pushtet, bëhen vasal të pushtetmbajtësit maqedonas. Si të tilla, ato edhe nuk dallojnë shumë mes veti.
Askush nuk ta jep atë që nuk din ta marrësh
Focus: Shihni ndonjë ndryshim në politikat dhe sjelljen e kësaj qeveria, krahasuar me atë paraprake?
Mehmeti: Ndryshime të mëdha nuk ka, sa i përket qëndrimit të kësaj qeveria ndaj kërkesave të shqiptarëve. Dhe nuk duhet pritur ndryshim nga qeveritarët maqedonas, përderisa shqiptarët e këtushëm nuk e ndryshojnë veprimin e tyre politik. Pra, që të ndryshojë qëndrimi i qarqeve politike maqedonase, shqiptarët duhet të ndryshojnë partitë e këtushme shqiptare. Nëse partitë shqiptare vazhdojnë të mbeten të mbisunduara nga mentaliteti i tyre i vasalit, atëherë pse Gruevski të ndryshojë qëndrimin e vet mospërfillës ndaj shqiptarëve të këtushëm.
Focus: Ka shumë kritika edhe ndaj qasjës së kësaj qeverie, duke e akuzuar për mosrespektim të marrveshjeve, siç eshtë ajo e Ohrit. Kush do të mund ta detyronte këtë qeveri të respektoj marrëveshjet e nënshkruar dhe të përmbush obligimet që ka?
Mehmeti: Kjo, dhe cilado qeveri tjetër, do respektojë Marrëveshjen e Ohrit dhe do i përfill kërkesat e shqiptarëve të këtushëm, aq sa do arrijnë partitë shqiptare të dëshmohen si faktorë që din dhe mund të marrin atë që u takon. Pra, çdo gjë varet nga ajo sa do të arrijnë partitë shqiptare të braktisin rolin e “lypsarit” e të ngritën në atë të të Zotit të shtëpisë së përbashkët. Tjetër rrugë nuk ka, sepse askush nuk ta jep atë që nuk din ta marrësh.
Greqia bënë atë që ia lejojnë rrethanat
Focus: Duket se Maqedonisë përseri do t’i ik treni për në Europë, ngase nuk pritet të ketë ftesë nga ana e BE-së drejtë saj për t’u bërë kandidatë për anëtarësim. Kur prisni që Maqedonia të mund të bëjë kërkes për anëtarësim?
Mehmeti: Maqedonia do bëhet pjesë e BE-së vetëm nëse bashkësia ndërkombëtare sjell vendim politik që atë ta shpëtoj nga kalbja e brendshme. Duhet thënë qartë: Maqedonia nuk ka ardhmëri nëse nuk bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-së. Dhe kjo e vërtetë mund të ndikojë që ajo të bëhet anëtare e institucioneve euroatlantike. Kur do bëhet Maqedonia anëtare e BE-së, e dinë vetëm “lojtarët” e Brukselit, të cilët tani luhaten mes “konceptit” Grekë dhe atij Amerikan. Mes konceptit që donë të dëshmojë se bëhet fjalë për një shtet “artificial” i cili nuk ka potencial të mbijetojë dhe atij që donë ta ruajë Maqedoninë si një “zonë neutrale” të Ballkanit.
Focus: Ende vazhdojnë bisedimet për emrin, por nuk shihet ndonjë marrëveshje apo zgjidhje në horizont. Edhe sa gjatë prisni të vazhdojë loja për emrin?
Mehmeti: Greqia mirë e ka lexuar, se Maqedonia ka aq probleme të brendshme sa mjafton një “xëgitje” e vogël nga jashtë, që ajo të luhatet e tëra. Greqia mirë e ka lexuar se vetë populli i vetëquajtur maqedonas, ende luhatet mes dilemave etnike, se vallë janë nipër të sllavëve të jugut, apo të Aleksandërit të Madh. Duke e ditur këtë, Greqia bënë atë që ia lejojnë rrethanat, duke qenë anëtare e BE-së dhe NATO-së; e vë në sprovë “eksperimentin” e quajtur Maqedoni. Dhe shpreson se kalbja e brendshme vazhdon me të njëjtin intensitet si më parë, se Maqedonia nuk ka potencial politik të qartësojë vizionin për ardhmërinë e saj shumetnike. Ku ta dish se kush do e fitojë këtë lojë. Ajo që dihet qysh tani, është e vërteta se shqiptarët e këtushëm janë jashtë kësaj loje. Ashtu siç mbetën jashtë shumë “lojërave” të tjera të këtushme, duke filluar me privatizimin e pronës shoqërore, e deri te pjesëmarrja në pushtet, pa pasur në dorë shtetin.