Ndodh që në tërësinë e veprave të një shkrimtari të gjendet ndonjë syresh e cila të ndihmon ta kuptosh shkrimtarin më mirë, më lehtë dhe më shpejtë sesa prej leximit të shkrimeve kritike dhe analizave të sshumta mbi atë shkrimtar. Në prozën e shkurtër të Kim Mehmetit gjen tregime të tilla ku rrëfimi i personazhit përziehet herë pas here me një shqetësim të vazhdueshëm të autorit. Është shqetësimi për t’u marrë vesh me lexuesin që në krye të herës. Për t’i shpjeguar atij mënyrën se si shkruan e për ta këshilluar se si duhet lexuar proza e tij. “Sepse proza e Kim Mehmetit duhet lexuar ndryshe nga ajo e traditës klasike realiste”, do thoshte kritiku dhe studjuesi Ali Aliu.
Çfarë e bën të veçantë dhe të ndryshme prozën e Kim Mehmetit ndërkohë që rrëfimi i tij është i thjeshtë, i lehtë dhe i qartë? Çfarë e bën Kim Mehmetin që të kërkoj me shumë ngulm besimin e lexuesit? Mjafton që të lexosh disa nga tregimet e përmbledhjes “Në xhepin e jelekut të gjyshes” ose “Shtëpia në fund të fshatit” për të kuptuar se pse proza e tij është e ndryshme dhe se pse shkrimtari, në çdo çast është i kujdesshëm dhe nuk të le vetëm me prozën e tij, por të udhëheq, të shoqëron duke u bërë njësh me ty dhe me kërshërinë tënde si lexues. Ndodh që, rresht pas reshti e faqe pas faqe shkrimtarin fillon edhe zbulohet përpara syve të lexuesit. Jo të gjithë shkrimtarët e pëlqejnë këtë. Ka nga ata, që zgjedhin të fshihen dhe të paraqiten jo ashtu si janë por, ashtu si do të dëshironin të ishin. Përkundër këtyre, ka të tjerëve, si Kim Mehmeti, që nuk i tremben lakuriqësisë përpara lexuesit.
Kim Mehmeti pranon frikën. “Andaj, shkruan ai, tani kur jam duke bërë gati shtratin nga do të rrjedhë rrëfimi që dua ta lexoni, përderisa qëndroj i trishtuar pranë lumit të ngjarjeve dhe përjetimeve që dua t’ua rrëfej, ndihem si ai që trishtueshëm pëballet me shtrëngatën mes të cilës është gjetur papritur dhe që ngushëllohet vetëme me atë që askush nuk është dëshmitar i frikës së tij”. Të vërtetat dhe pohimet që bëjnë personazhet e tij janë të vërteta të vështira për t’u pranuar lehtësisht. Rrëfimi i nënës mbi atësinë e fëmijës është një pohim sa i dhimbshëm po aq edhe i guximshëm për shoqërinë shqiptare.
“Njërin nga ata e ndëshkova, rrëfehet ajo, e kam bërë t’i gëzohet fëmijës që nuk është i tij, djalin që e ngjiza me atë që ma donte zemra”. Tradhëtitë, pabesitë, dyshimet, xhelozitë, shprishjet dhe mjerimi moral janë zbulesat e shëmtuara të lakuriqësisë së shoqërisë janë dëshmi e qëllimit, të Kim Mehmetit, për të mbetur ”asketisht fanatik i zërit të vet. Si njeri totalisht i lirë dhe me një programim të vet të brendshëm”. Në vetëdijen e Kim Mehmetit, Ballkani ekzsiton si “fytyra e pazbukuruar e evropës”. Kjo mënyrë të pari të nxit të mendosh se edhe personazhet, bashkëfshatarë të tij nuk janë gjë tjetër vetëm se një pëpjekje për të projektuar në letërsi fytyrën e vërtetë dhe të pazbukuruar të shqiptarit.
E gjithë proza tregimtare e Mehmetit rrjedh nga dy burimeve të ndryshme duke u zhvilluar, më pastaj, po në dy shtrate të ndryshme. Burimin e parë e gjejmë ndën vatrat e kujtesës së tij emocionale të përthyer filtrave të përjetimit fëminor. Nga këto vatra burojnë personazhe, histori, tronditje, bëma dhe gjëma të ndodhura fshatit të tij duke e klasifikuar këtë si prozë e realizmit magjik. Mjeshtërinë e këtij lloj rrëfimi Kim Mehmeti e ka arritur në tregimet “Në xhepin e jelekut të gjyshe”, “Shtëpia në fund të fshatit”, apo “Oda e burrave”. Prej burimit të dytë rrjedh një prozë e cila për nga forma e rrëfimit dhe teknikat narrative mund ta konsiderojmë si produkt i një imagjinate dhe fantazie të pastër të autorit ku pjesë e saj bëhen ëndërrat, magjitë, një botë mistike, irreale dhe e pashpjegueshme.
Kjo është atmosfera që vjen prej tregimeve si “Dasmë në Stamboll”, “Pronarja e ëndrrave”, “Peshku ekstazis, “Lulehëna” etj. Dy vektorë të tjerë, të cilët në prozën e Kim Mehmetit i gjejmë të zhvillohen ndryshe nga njëri tjetri, janë Koha dhe Hapësira. Me atë lehtësi dhe mjeshtëri që ndan dhe bashkon duke i shkrirë në një të vetëm shtretërit e realitetit konkret me atë imagjinar me po të njëjtën lehtësi shkrimtari zotëron dhe drejton kohën në tregimet e tij. Kalërimi mbi kategorinë e kohës vjen si një bredhje sa para aq dhe prapa saj, sa këtej aq edhe përtej kohës duke e drejtuar lexuesin në një pikë ku koha e humbet sensin e saj kronologjik. Historitë dhe personazhet e mbivendosura në kohë e bëjnë prozën e tij një prozë të pakohëshme dhe si rrjedhojë edhe të gjithkohëshme.
Ndryshe ndodh me hapësirën gjeografike në tregimet e tij ku skena dhe dekori i pjesës më të madhe të tyre është fshati i tij. Një fshat i ndërtuar si një botë e plotë e mbyllur e padëshiruar për të pritur apo për të nxjerr gjësendi a gjëkafsh jashtë saj. Një fshat i përhumbur në ajrin e të cilit duket se noton mistershëm një mallkim. Nga ana tjetër, një fshat i vizatuar dhe përshkruar kaq imtësish sa ndjen brenda teje besimimin se po të nisesh dhe ta kërkosh do ta gjesh atje majë kodrës si një pikturë post impresioniste. Me sheshin e xhamisë në truallin e të cilës ngrihen tri pemë të qëmotshme, me shtëpinë e braktisur të magjistares Fatkë mbuluar nga kullesa e gjelbër, me shtëpinë e malkuar në fund të fshatit prej ku fshatarët shmangin rrugën si kur shkojnë nën rrezet e verdha të diellit të mesditë ashtu edhe kur shkojnë nën dritën e ftohtë dhe të bardhë të hënës së plotë. Tabllotë e përshkruar me ngjyra të pastra nga Kim Mehmeti nuk ndryshojnë aspak prej tablove të Van Goghu-t “Fshati i kuq”, “Shtëpitë në muzg” apo “Natë me yje”. Si përfundim, proza e shkurtër e Kim Mehmetit, mbetet një udhërrëfyese e mirë për prozën e tij të gjatë.
Shkrimi u publikua sot (6.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)