Back

Kim Mehmeti: Dëboni nga lagjja e juaj laviret politike

U fol shumë për marrëveshjen midis dy subjekteve opozitare, LSDM-së dhe PDSH-së për bashkëpunim “teknik” në zgjedhjet e ardhshme vendore. Të gjithë e thane atë që mendonin se duhet thënë dhe u dhanë vlerësime nga më të ndryshmet. U fol edhe për moralin politik e në ndërkohë asnjëri nuk shpjegoi për çfarë etke dhe morali politik flitet kur që nga mëvetësimi i Maqedonisë e deri më sot, shqiptarët  votojnë për partitë e veta, që pastaj ato të vihen në shërbim të partive maqedonase në pushtet. Me çka del se partitë e këtushme shqiptare kërkojnë legjitimitetin nga popullit për t’i asistuar  partisë maqedonase në pushte që t’i realizojë programet e saja një etnike. 

Shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të debatojnë për atë sa është i moralshëm bashkëpunimi i kësaj apo asaj partie me partnerin maqedonas, por si erdhi puna deri te ky perversitet politik që partitë e këtushme shqiptare të legjitimojnë institucionet e shtetit që mbrojnë dhe afirmojnë vetëm interesin etnik maqedonas, shprehet publicisti dhe shkrimtari Kim Mehmeti në një prononcim për portalin Almakos. 

“BDI-ja i shërben  Gruevskit të cilin rreth 90 për qind të shqiptarëve nuk e duan dhe e konsiderojnë si antishqiptarë. PDSH – ja “teknikisht” do bashkëpunojë Cërvenkovskin. E kur këto dy parti akuzojnë njëra tjetrin për mospasje morali politik, nuk mund ta shmangësh përshtypjen se je duke dëgjuar dy lavire që falsin për ndershmërinë dhe moralin e lartë të femrave. Dhe problemi nuk qëndron te laviret që mund te thonë ç’të duan dhe gjërat t’i masin me peshoren e vet, as tek makrot e shtëpive publike – kryetarët e partive – që çdo gjë masin nëpërmjet profitit material, por te banorët e lagjes ku veprojnë ato  – te votuesit shqiptarë  – që lejojnë fati i vendbanimit të tyre të varet nga morali që e përcaktojnë ata që më së paku e dine ç’është dhe si mbrohet morali”, shprehet publicisti Kim Mehmeti.

Andaj, thotë Kim Mehmeti, shqiptarët e Maqedonisë, një ditë  e më parë duhet t’i dëbojnë nga lagjja e shoqërisë së tyre këto lavire politike, pa marr parasysh se a është “krye-makro” i tyre Gruevski apo Cërvnekovski. 

“Ky pastrim politik i lagjes –shoqërisë – shqiptare është i pamundur pa themelimin e “parlamentit” të shqiptarëve të Maqedonisë të përbërë nga gjithë përfaqësuesit e partive të votuara nga populli, i cili pastaj do bëjë marrëveshje përfundimtare me të zgjedhurit maqedonas  se si do bshkëndërtohet e si do bashkëdrejtohet ky shtet maqedonaso-shqiptar” – thotë Kim Mehmeti për portalin “Almakos”./almakos.com