Back

Kim Mehmeti flet për "Vitet e urithit" me lexuesit e tij

“Libri që lexova…” është aktiviteti më freskues i të rinjve që ka filluar të zhvillohet në Shkup, i cili bëhet për qëllim siç tha edhe inicuesi i saj, Ben Rexhepi për afirmimin e kulturës, të librit dhe leximit. 

Aktiviteti “Libri që lexova…” për herë të parë fillojë me librin “Vitet e urithit” të autorit Kim Mehmeti, ku në këtë rast pati bashkëbisedim edhe me autorin në fjalë.

Rexhepi gjatë prezentimit të Kim Mehmetit tha se “njëher isha i ulur unë atje diku në fund në vendin e publikut po në këtë sallë, dhe i ftuar ishte Kim Mehmeti, për një çast të gjithë filluan të brohoritnin: Kimi për kryeministër, Kimi në politikë. Kurse vetëm unë e kundërshtova më duket atëher një gjë të tillë duke thënë: Kimi jo në politikë, por në letërsi”. Dhe e gjithë kjo sipas Ben Rexhepit, aktivist qytetarë, me qëllim që edhe më tej të bëhet më tepër afirmimi i leximit dhe librit.

Ndërsa autori i librit “Vitet e urithit”, Kim Mehmeti tha ndër të tjera se “ne kemi sot lexues më të mirë, këtë e them shkaku se në këtë kohë kur ju keni televizionet keni celularët tuaj, është interneti, dhe sërish gjeni kohë për të lexuar libra është e vështirë, prandaj e them se tani lexuesit janë në një sfidë më të rëndë”. 

Mehmeti më pas tha “unë jam munduar që me librin “Vitet e urithit” të jap dimensionin e asaj kohe kur kanë jetuar shqiptarët, që shpeshherë është dashur të bëhen sikur “urithi të padukshëm” që t’u mbijetojnë atyre kohërave tejet të vështira për popullin tonë”.

“Ka popujë që janë zhdukur nga ky rruzull tokësorë, mirëpo popujtë asnjëherë nuk janë zhdukur për shkak se nuk kanë patur politikanë të mirë, por ato janë zhdukur kur nuk kanë patur gjuhën e tyre dhe kulturën. Sepse një popull identifikohet, pra ka letërnjoftim të tij, së pari elitat kulturore e shkencore, e më pas vijnë të gjitha të tjerat” – tha ndër të tjera Mehmeti para një auditori të gjerë.

Më pas është diskutuar gjatë për librin “Vitet e urithit”, ku të rinjtë shprehnin përshtypjet, pikëpamjet, dhe interesin e tyre edhe duke pyetur autorin e librit për çëshje të ndryshme që kishin të bëjnë me zbërthimin e disa pjesëve të romanit “Vitet e Urithit”

Ndryshe, romani “Vitet e urithit” nga Kim Mehmetit në vitin 2008 u shpall romani më i mirë shqiptarë, duke fituar çmimin “Rexhai Surroi”. Kurse arsyetimi i jurisë për ndarjen e këtij çmimi ishte:

Arsyetimi i Jurisë: Për shkathtësinë dhe koloritin e rrëfimit poetik, për mjeshtërinë e ndërtimit të prosedeut romantik, midis magjisë dhe reales, të vërtetës dhe fiktives, të ambientuar në fshatin e tij metaforik, në të cilin ndërthuret e tërë historia jonë, në një periudhë të ndjeshme të agonisë së Perandorisë Otomane, Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, stalinizmit dhe titizmit, juria vendosi njëzëri që çmimi t’i jepet shkrimtarit Kim Mehmeti, për romanin “Vitet e urithit”, botuar nga Toena, Tiranë më 2007.