Back

Kim Mehmeti flet për ca shqiptarë “demokrat” kundër ERDOGANIT!

Njeriu i drejtë, i paanshëm dhe i pangarkuar me paragjykime, e dinë se të presësh më shumë të drejta individuale, më shumë hapësirë për mendimin e lirë, standarde më të larta demokratike…, nga gjeneralët e rebeluar – e jo nga politikanët e ‘dalë’ nga kutitë e votimit – është njësoj si të presësh të pjellë mushka! Pa dyshim se këtë e dinë edhe ‘demokratët mendjehapur’ shqiptarë, që janë duke analizuar ngjarjet e fundit në Turqi, disa nga të cilët as që e fshehin pikëllimin e tyre pse puçi i atjeshëm ushtarak dështoi!? Dhe një shqiptar që jeton në paqe me përkatësinë e vet etnike dhe fetare, s’ka si mos e thotë – mjerë viktimat, dhe s’ka si mos e pyet vetveten se cilët janë ata që shkelin mbi parimet bazë të një shoqërie të hapur dhe vihen në anën e gjeneralëve, duke harruar kështu edhe fatin e disa milionave shqiptarë që jetojnë në Turqi?! Mbase përgjigjja nuk është gjithaq e komplikuar, por ne ngurrojmë atë ta themi hapur: ata janë të verbëruar nga paragjykimet ndaj çdo gjëje që vjen nga Lindja dhe bota islame dhe andaj, u duket shumë normale dhe civilizuese, kur për shembull, një burrështetas i krishterë Perëndimor, shkon në faltore dhe e puth kryqin, por shumë jocivilizuese kur një drejtues mysliman i shtetit, pohon hapur se është besimtar i devotshëm! Shkurt e shqip, debati rreth puçit në Turqi, shpalosë diçka që është duke e dëmtuar së tepërmi shqiptarinë: betejën e drejtuar nga disa qarqe mediatike dhe nga disa ‘mendimtarë properëndimorë’, e që ka të bëjë me atë se cila nga fetë më bukur i rrinë shqiptarësi! Dhe sa u përket patriotëve dhe mendimtarëve tanë që duan të na bindin se kryqi vetvetiu të legjitimon si të civilizuar, e çerekëhëna si të prapambetur, ndaj tyre njeriu duhet të sillet si ndaj të afërmve të vet me aftësi të kufizuara: t’i ndihmosh dhe të jesh i vetëdijshëm se po ua hoqe antiturqizmin dhe antiislamizmin, ata nuk do mundë ta sigurojnë as bukën e gojës, e le më të bëjnë karrierë politike, apo të shkruajnë analiza politike dhe të dalin në debate televizive!”.Shekulli Agency