Back

Kim Mehmeti: "Jugosllavie e re" projekt për të përçarë shqiptarët

Shkrimtari dhe mendimtari i njohur shqiptar, Kim Mehmeti, shprehet kundër nismës së Malit të Zi, për krijimin e Unionit Ballkanik me qendër në Serbi, duke rikthyer në një formë më moderne dhe të kamufluar Jugosllavinë e Millosheviçit. Publicisti Kim Mehmeti, në një reagim për gazetën “SOT”, e konsideron nismën në fjalë si një fantazmë e dalë nga pusi i së kaluarës. Mehmeti, i njohur si një ndër shqiptarët më me influencë në Shkup, pohon se projekti në fjalë nuk është gjë tjetër veçse një sajim dhe mbulesë për të mbuluar krimin dhe korrupsionin në gjashtë vendet, të cilat pretendojnë të jenë pjesë e federatës së re, përfshirë edhe Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë. “Ne jetojmë në hapësirë ku e sotmja bashkëjeton me fantazmat që dalin nga pusi i thellë i së kaluarës. Pastaj, ne jetojmë në shtete të ngulfatura nga korrupsioni, nga krimi, në shtete në të cilat institucionet nuk janë në shërbim të qytetarëve, por shërbejnë si mbulesë për veprimtarin “hajdutokrate” të pushtetmbajtësve. Pra, ajo që i barazon mes veti këto shtete është “hajduktokracia”, e cila i çon elitat politike të këtyre vendeve ngutshëm të kërkojnë forma të reja të organizimit, vetëm për t’i mbuluar veprimtaritë e tyre të deritanishme”, pohon Mehmeti. Ai deklaron se idea e Malit të Zi është kundër faktorizimit të shqiptarëve në rajon. “Një ndër ato forma është edhe ky propozim, për mua i papranueshëm edhe nëse për hiçgjë tjetër, atëherë shkaku se ne shqiptarët ende nuk i kemi rrënuar as muret mendore që na ndajnë mes veti, e jo më me të tjerët. Pastaj, në këto iniciativa ka ngandonjëherë edhe diçka që është kundër nesh: ato duan t’i paraprijnë e ta pengojnë të pashmangshmes që duhet të ndodhë – bashkimin dhe faktorizimin e shqiptarëve. Andaj mendoj se shqiptarët nuk kanë nevojë për unione ballkanike por, në mos më shumë, për union mbarëkombëtar në të menduarit “shqip”. Më në fund, bashkimi i më shumë të verbërve, vetëm e bën më të gjatë kolonën, e ngadalëson ecjen e saj, nuk ndihmon në gjetjen e rrugës dhe sjell vetëm një të mirë: arsyetimin e “të verbërve” se dikush tjetër e pengon ecjen përpara”, ka deklaruar Mehmeti.

Projektet

Mehmeti ka deklaruar se nuk është ndërmarrë ende asnjë projekt mbarëshqiptar vetëm për interesat e shqiptarëve. “Sot duhet të kishim shumë projekte mbarëshqiptare, që do mundësonin edhe veprim tonë si një popull. Por ndodh thuajse e kundërta! Më thoni një projekt mbarëshqiptar, të cilin e përkrahin të gjitha qeveritë e “Shqipërive” tona, e që ka të bëjë me mbrojtjen e interesit mbarëshqiptar? Më thoni pse Tirana e Prishtina zyrtare lënë përshtypjen se as që e dinë se ku ndodhet Shtëpia e Kongresit të Alfabetit? Më thoni, për shembull, pse pushtetarët në Tiranë e Prishtinë nuk heqin dorë nga darkat e drekat që i paguajnë me paratë e popullit, e që me ato para të ndërtojnë ndonjë shkollë në Luginën e Preshevës…? E din pse nuk ka projekte mbarëshqiptare: sepse sikur të ishte e mundur, ne do kishim aq Shqipëri sa edhe parti politike, sepse çdo “bajraktarokrat” yni, don të ketë shtetin e vet”, ka theksuar Mehmeti.