Back

Kim Mehmeti: Ky është bajraktaro-komunizëm

Intelektuali i shquar shqiptar nga Maqedonia reagon për sulmin e qeverisë

Intelektuali dhe shkrimtari i njohur, Kim Mehmeti, e ka cilësuar agresionin e qeverisë ndaj "Top Channel", si shenjë e qartë e bajraktarizmit të politikës shqiptare, se liria e medias sulmohet pikërisht nga përfaqësuesit e politikës, që vjen nga komunizmi, por që ka veshur kollaret perëndimore. Në një intervistë për "Shqip", Kim Mehmeti thekson se Shqipëria rrezikohet nga bajraktarokracia…

Lajmi më kryesor nga Tirana sot ishte pikërisht gjoba dhe sulmi i qeverisë ndaj "Top Medias". Si e konsideroni ju këtë zhvillim?

Nuk duhet harruar kurrë se ne kemi ende politikanë që kanë ardhur nga e djeshmja, komunistë dhe vetëm kanë vënë kravatat e demokracisë. Dhe si të tillë këta politikanë, armik më të madh kanë mendimin e lirë dhe ajo ndodh kudo në shoqërinë shqiptare dhe në Shqipëri. Por, në Shqipëri mendoj se mediat kanë arritur një front të vetin, që arrijnë t‘i kundërvihen sulmit të demokratëve që na kanë ardhur nga komunizmi. Në të vërtetë demokracinë këto e ndërtojnë me vetëdijen e një mendësie ku: gjithçka që është kundër mendimit tim është dhe armiku im. Në këtë drejtim mediave do t‘u duhet kohë të bindin elitat tona politike se aty ku ndalohet mendimi i lirë nuk mund të flitet për demokraci, aty mund të flitet vetëm për një diktaturë të shpërndarë në më shumë parti.

Mendoni që qeveria po krijohet si një model rus, serb, apo venezuelian, ku krerët politikë shtypin mediat që raportojnë edhe lajme që nuk i pëlqejnë…

Në të gjitha shtetet postkomuniste ndodhin gjëra të tillë. Çdo pushtetar udhëhiqet me mendimin ose je me mua, ose vdis. Çdo njeri që nuk është me mua është armik. Prandaj, them që në shoqërinë shqiptare ndodh një bajrako-komunizëm i ri, i cili është shpërndarë në fise. Çdo fis që e merr bajrakun në dorë urdhëron që të gjithë të mendojnë ashtu. Në këtë drejtim mund të them se në shoqërinë shqiptare shkohet edhe më thellë, sepse këtu bajraktarokracia është më e ashpër dhe më e vrazhdë. Nëpër shoqëri të tjera ish-komuniste ndodhin gjëra të ngjashme, por atje sido që të jetë lihet një shfryrje e vogël, që të ketë hapësirë për korrigjim. Ndërkohë, ndonjë bajraktar i yni kur e merr hapin të shkatërrojë mediat, atë nuk e ndal asnjë. Çfarë kuptimi do të kishte nëse Shqipëria do të varej nga një njeri, nga një mendim. Begatia e të menduarit flet për tolerancën e një shoqërie. Mosdurimi i mendimit të lirë tregon se shoqëritë shqiptare nuk i tolerojnë bashkëbiseduesit. Unë do të jem gjithmonë anti-njëmendësisë që e shkatërron konkurrencën dhe mendimin e lirë e nuk e lejon atë të zhvillohet. Mënyra se si shpallen armiqtë e popullit është trishtueshme. Sepse nga kjo del se neve kemi më shumë armiq të popullit sesa miq. E nëse është kjo, nuk ka ardhmëri. Pa lirinë e individit, të flasësh për demokraci, është njësoj sikur të flasësh për komunizmin shumëpartiak.