Kim Mehmeti: Mos manipuloni me emrin tim!

“Ju lutem që të mos manipuloni me emrin tim kur bëhet fjalë për atë që nuk e kam thënë dhe tani për tani nuk e kam ndër mend ta bëj”, thuhet në reagimin me shkrim të Kim Mehmetit

Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti ka reaguar ndaj informatave të shpeshtuara për angazhim të mundshëm të tij në politikë. 

“Duke pasur konsiderata ndaj gjithë atyre që më mbivlerësojnë dhe mendojnë se kyçja ime në politikë do sillte diçka pozitive për shqiptarët e Maqedonisë, duke pasur respekt të tejskajshëm ndaj gazetarëve që luajnë rol të rëndësishëm në demokratizimin e shoqërisë shqiptare në Maqedoni, duke u ndje i përulur ndaj atyre që kërkojnë alternative politike për të dal  shqiptarët  nga kjo pozitë mjerane politike në të cilën ndodhen, përfshi këtu edhe miqtë e mi të “Pykës” – të cilëve kalimthi u dëshirojë që mos u ndodh ajo që i ndodhi “Zgjohu” që u zgjua në shtratin partiak të BDI-së, ju lutem që të mos manipuloni me emrin tim kur bëhet fjalë për atë që nuk e kam thënë dhe tani për tani nuk e kam ndër mend ta bëj”, thuhet në reagimin me shkrim të Kim Mehmetit. 

Ai thekson se angazhimin në politikë nuk e vlerëson si diçka të turpshme, por shton se nëse vendos të ndërmarrë një hap të tillë, nuk do ta fshehë nga opinioni. 

“Edhe një herë e them se u qëndrojë prapa gjitha thënieve të mia publike, se nuk e konsideroj të turpshëm aktivitetin politik – por përkundrazi, se sikur të vendos të merrem me politikë atë nuk do kem nevojë ta fsheh nga askush, se mendoj që shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë nevojë për parti të reja politike, por për një rirreshtim që do faktorizonte potencën e tyre politike që i ka hije një populli që përbën 30 për qind të banorëve të këtij shteti. Pra, e përsëris se përpos thënieve të mia publike, të cilave nuk ua heq as një presje, nuk merrem me asgjë që  do duhej ta fshihja  nga opinioni publik, aq më shumë kur të tjerët i kritikojë shkaku se flasin atë që dëshiron të dëgjojë populli, port veprojnë sipas asaj që ua pëshpërit xhepi i tyre. Andaj e them: nuk jam anëtarë i asnjë shoqate qeveritare, joqeveritare, i asnjë këshilli, i asnjë nisme apo forumi”, sqaron Mehmeti.

Njëkohësisht ai ka kërkuar nga mediat por edhe nga subjektet politike, që angazhimin e tij të mos e ndërlidhin me angazhimin e fëmijëve të vet, apo ndonjë familjari tjetër. 

“Gjithashtu i lus mediat dhe gjithë të tepërt, që aktivitetin tim të mos e ndërlidhin me veprimtarinë e fëmijëve të mi – të cilët janë mburrja ime më e madhe – ngaqë as ata janë Unë e as Unë nuk jam Ata. Unë e di që jetojmë në kohë kur ka edhe të atillë – posaçërisht në mesin e kryesuesve të partisë shqiptare në pushtet – të cilët do vepronin sipas stilit të “Xhaxhit Enver” e do internonin edhe familje të tëra shkaku i një anëtari të saj të shpallur armik, por shpresoj se do e përmbajnë veten dhe do e kuptojnë se çdonjëri mund të bëhet politikan e person publik, por njeri dhe burrë mbetet vetëm ai që del e të vret, por nuk të prek te fëmijët”, shkruan publicisti Mehmeti, në reagimin dërguar medieve në Maqedoni./lajm

Author avatar
Kim Mehmeti
https://kmehmeti.com