Back

Kim Mehmeti: Na shpallin "masha" të Cërvenkovskit, ata që janë dorë e zgjatur e Gruevskit!

Kim Mehmeti, shkrimtari shqiptar nga Maqedonia në një intervistë ekskluzive për shqiptarja.com, jep një panoramë sipas mendimit të tij për shqiptarët e Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Malit të zi…Ironizon politikanët e gjithë këtyre vendeve kur integrimin e gjithë shqiptarëve në rajon e konsideron si një familje që e kanë hipur të udhëtojë në katër pesë trena të ndryshëm. Ashtu sikurse na thotë në intervistë se Ballkani i duket i ngushtë, e jo më Shqipëria e madhe. E për Kim Mehmetin, përpara se të flitet për kufijtë, shqiptarët duhet të heqin muret ndarës brenda vetes.

Për Kim Mehmetin, ka pasur në dy vitet e para një lloj zhgënjimi për Edi Ramën, por mendon se tani është kthyer në rrugën e duhur, e të bërit politikë me vizion. Për Berishën, ka disa akuza kur e atakon me shprehjen e tij se nga pushteti do ta heqë perëndia. Për presidentin, Kim Mehmeti thotë se çuditet kur sheh në korridoret e errëta të politikës përherë dy emra, Berisha e Nano. Por edhe këtë, e krahason me odën e shqiptarëve.

Z.Mehmeti, në Shqipëri s’ka shenja të mira për të ardhmen. Abuzime dhe skandale ne administratë e drejtësi, krizë financiare, lojë e egër politike, demokraci e rrezikuar… 

Në Kosovë koncepti republikë sulmohet çdo ditë nga akte të panumërta kërcënuese të serbëve…Në Maqedoni shqiptarët ngjajnë se janë futur në një rreth vicioz, i cili forcohet çdo ditë nga sulmet etnike, varfëria e alternativave dhe potenca e politikanëve shqiptarë… A janë shqiptarët sot në udhëkryq, të kërcënuar, një komb e ardhmja e të cilit po mbulohet prej pikëpyetjesh?

K.Mehmeti: Ju më shtroni pyetjen që shpesh ia shtroj vetvetes. Dhe sa herë që pyes veten si tutje, më fanitet një familje që udhëton e ndarë në katër-pesë trena të ndryshëm. Dhe mua nuk më shqetëson gjithaq ky lloj udhëtimi, por më trishton e vërteta se elitat tona politike – duke na gënjyer se gjithë trenat tonë do na mundësojnë të takohemi në Bruksel – nuk e peshojnë drejtë barrën që bartim gjatë këtij rrugëtimi: të kontribuojmë për ruajtjen e stabilitetit të pesë shteteve të Ballkanit, por pa pasur asnjë garanci se ky kontribut yni do shpërblehet me mos tkurrjen e trojeve tona etnike. Nuk kam dyshim se një ditë do arrijmë edhe përtej Brukselit, por kam frikë se të joshur nga udhëtimi drejtë BE-së, ne nuk shohim sa shumë vendbanime periferike të shqiptarisë, mbeten pa shqiptarë, nuk shohim se nuk kanë marr fund “spastrimet” e heshtura etnike. Pra, do mund të na ndodh që, kur të takohemi në Bruksel, të shohim se “evropizimin” tonë e kemi paguar me vendbanime shqiptare që kanë pësuar fatin e Manastirit, Mitrovicës Veriore, Medvegjës…, që mbetën pa shqiptarë. 

– Çfarë po i frymëzon, sipas jush sulmet antishqiptare në Maqedoni? Pse po agravojnë nga dita në ditë?

K.Mehmeti: Antishqiptaria në Maqedoni nuk ka të bëjë me atë që karakterizon çdo shoqëri: të ketë individë e grupe që urrejnë, apo kanë animozitete ndaj atyre që u takojnë grupeve të tjera etnike, apo religjioze. Antishqiptaria në Maqedoni ushqehet edhe institucionalisht. Shumë projekte njëetnike që përjashtojnë jomaqedonasit, bartin autorësinë e qeverisë aktuale të Gruevskit. Nuk duhet harruar: “Enciklopedinë maqedonase” që ofendonte e përbuzte shqiptarët, nuk e botuan maqedonas albanofob, por Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë dhe atë e financoi qeveria maqedonase. Nuk duhet harruar se qeveria maqedonase ishte ajo që donte të ndërtojë kishë ortodokse mbi themelet e shtëpisë së lindjes së Nënë Terezës, se kishën në kalanë ilire të Shkupit e ndërtuan qeveritarët e sotëm të Maqedonisë, se tifozët maqedonas kërkojnë “Dhoma gazi” për shqiptarët duke e bërë këtë para syve të zyrtarëve maqedonas se…, se… Pra, antishqiptaria në Maqedoni nuk ndëshkohet, por në njëfarë mënyre edhe shpërblehet. Dhe duke qenë antishqiptaria “biznes” që të siguron status të lartë shoqëror, sot, për shembull, më të mbrojturit dhe më të përkëdhelurit e qeverisë maqedonase janë “opinionistët” dhe mediat që dëshmojnë se shqiptarët “gjenetikisht janë destruktiv”. 

– A po e kryejnë misionin e tyre politikanët shqiptarë në Maqedoni? 

K. Mehmeti: Neve këtu na ka ngulfatur injoranca politike. Të zhytur në baltën e kësaj injorance politike, ne sot nuk diskutojmë për atë si të bëhemi bashkësundues e bashkëpronar të Maqedonisë, por për atë se cili “vasal” është më i mirë: ai që i shërben Gruevskit, apo ai që është shërbëtor i Cervenkovskit. Para disa ditëve, dëgjoja liderin e partisë shqiptare në pushtet, atë të BDI-së si me lehtësi marramendëse na shpallë “masha” të Cërvenkovskit të gjithë neve që kritikojmë qeverinë e Gruevskit. E unë, duke pasur konsiderata ndaj atyre që kanë votuar për BDI-në, nuk them se kjo parti është dora e zgjatur e Greuvskit që ngulfat interesat e shqiptarëve të Maqedonisë – këtë le ta thonë e le ta vlerësojnë ata që kanë votuar për të – por e them se me asgjë nuk dallon vasaliteti ndaj cilitdo sundues maqedonas. Unë them se është e turpshme dhe se është injorancë politike të mendosh se bashkëpunimi me VMRO-DPMNE-në na qenka patriotizëm, të mendosh se shqiptari i këtushëm mund të jetë vetëm mashë e dikujt, se nuk ka shqiptar që është shërbëtor i ndershëm i bindjeve të veta. Unë e pranoj: ndjehem i lodhur nga kjo mendësi që i është imponuar shoqërisë së këtushme shqiptare, mendësi që ka pushtuar hapësirën publike duke na e imponuar ta shohim vetveten të atillë siç dukemi në pasqyrën e qarqeve politike maqedonase, e jo në atë që ka të bëjë me ne. 

– Cili do të ishte portreti i një politikani ideal që do të përfaqësonte komunitetin e madh shqiptar atje?

K.Mehmeti: Ai do duhej të ishte një individ i ditur, i moralshëm, i ndërgjegjshëm, i përgjegjshëm ndaj vetvetes dhe atyre që i përfaqëson. Politikani i mirëfilltë është ai të cilit edhe kur ia nxjerr emblemën partiake, mbetet e dallueshme fytyra e tij personale. Ne sot kemi politikanë të cilëve po ua hoqe emblemën partiake, nga ata mbetet vetëm kollarja e shtrenjtë. 

-Ç’pjesë e botës shqiptare në Maqedoni është më e kërcënuara sot?

K.Mehmeti : Më e kërcënuar sot në Maqedoni është rinia e këtushme dhe shtresa intelektuale e shoqërisë shqiptare. Më të kërcënuar janë ata që duan të ruajnë boshtin e vetë njerëzorë, ngaqë kjo shtresë përballet me injorancën e pushtetarëve shqiptarë, përballet me ata që paaftësinë e tyre duan ta mbulojnë me heshtjen tonë të plotë. Këtu më të rrezikuar janë ata që thonë se pjesa më e madhe e elitave politike shqiptare është po aq e dëmshme për shqiptarinë e këtushme sa edhe disa qarqe politike maqedonase. Ata që janë kritik ndaj pushtetarëve të Maqedonisë, sot përballet me sulëm të dyfishtë: me atë që u vjen nga pala maqedonase në pushtet dhe nga sulmet e “vasalëve” shqiptarë që janë të ngarkuar ta mbrojnë sunduesin maqedonas nga shqiptaria që nuk e donë atë sundues. Andaj tani jemi në një pozitë absurde: të mos dimë nga cili të mbrohemi. Apo të kemi kujdes që të mos e sulmojmë Gruevskin, ngaqë me vetë këtë e irritojmë Ali Ahmetin dhe e detyrojmë atë të na shpallë shërbëtor të Cërvenkovskit. Me çka ne mbetëm të rrezikuar edhe nga mendësia vasale, e cila bënë çmos të na bind se mendimi kritik, e jo injoranca politike, është ai që e dëmton shqiptarinë e këtushme. Pra, këtu është rrezikuar ajo më e vlefshmja që e çon përpara një shoqëri: mendimi i lirë dhe kritik. Ky mendim është shpallur si më i dëmshmi për shoqërinë shqiptare, me çka mendimtarët e lirë janë shpallur si armiq më të mëdhenj të shqiptarisë së këtushme. 

– A e keni menduar ndonjëherë opsionin e politikanit…pra ta lini rrugën tuaj si shkrimtar e kolumnist e t’i kushtoheni politikës?

K.Mehmeti : Kurrë nuk e kam menduar, por më kanë çuar ta mendoj ata që shpeshherë – njësoj si edhe ditëve të fundit – kanë kërkuar nga unë që ta tradhtojë shkrimtarin në vetvete e t’i përkushtohem politikës. Spekulimet mediatike të ditëve të fundit se do formoj partinë time, i çoi rojtarët e BDI-së të marrin masat mbrojtëse e të përhapin lajmin se partia e re shqiptare themelohet me urdhër të kryesuesit të opozitës maqedonase, Crvenkovskit. Me çka të çojnë të pyesësh veten: vallë kush e ka themeluar partinë e tyre nëse ata mendojnë se nuk ka bir mamaje që mundet të themelojë parti shqiptare pa përkrahjen e qarqeve politike maqedonase? Por si do që të jetë, e kam thënë e do e përsërisë: kurrë nuk kam menduar të merrem aktivisht me politikë, as në ëndërr nuk më ka shkuar ndërmend të bëjë atë që kam kritikuar: t’i përçaj shqiptarët vetëm që të sigurojë të mira për një grup njerëzish. Unë lus Zotin vetëm një gjë: kurrë të mos i tradhtoj bindjet e mia, që mos bëhem si ata që thonë atë që dëshiron ta dëgjojë populli e bëjnë atë që ua pëshpërit grykësia individuale. Këtë nuk guxojë ta bëjë edhe hir atyre që eventualisht me besojnë, hir atyre që duhet të besojnë se në këtë jetë ka vetëm një mënyrë si ta arsyetosh lindjen: të vdesësh si rob i bindjes se e mira e të tjerëve është e barabartë me atë që ia dëshiron vetvetes. Unë jam si gjithë të tjerët, kujdesem për të mirën time dhe atë të të afërmeve të mi, por atë nuk dua ta ndërtojë duke tradhtuar vetveten – shkrimtarin në mua. Pastaj unë besoj se aktiviteti politik nuk ndërlidhte medoemos me partitë politike. Unë nuk dua t’i rrezikoj të tjerët shkaku i bindjeve të mia, por dua të ndihmojë të mirën kolektive duke rrezikuar vetëm vetveten. Jetoj me bindjen se të përfitosh nga mjerimi i popullit tënd është mallkim. Por gjithashtu, njerëzorja në mua më thotë se të mbetesh vetëm vëzhgues i mjerimit të popullit tënd atëherë kur të është dhënë mundësia t’i demaskosh ata që e thellojnë këtë mjerim, gjithashtu është mallkim. Duke mos dashur të më pllakos asnjë nga këto dy mallkime, unë bëjë të mundshmen: e flijojë rehatin time duke i shpallur publikisht mendimet e mia, gjë që më sjellë shqetësime si edhe më përballë me rreziqe. Unë bëjë të mundurën që më takon si i tillë siç jam. Dhe nga këtu ku jam e them: nuk ndjehem përgjegjës për veprimet e mia ndaj askujt, përpos para vetvetes. Ngaqë këtu ku jam, më ka sjell shenja individuale dhe ajo që kamë bërë. Si i tillë, nuk ndjej nevojë që këtij portreti individual t’ia shtojë cilëndo emblemë grupore apo partiake. 

– Si do ta portretizonit liderin e PS Edi Rama dhe pozicionin e tij aktual si politikan?

Jam nga ata që e kam mirëpritur ardhjen e Ramës në politikën shqiptare. Shpresoja se ai, së bashku me një gjeneratë të re politikanësh, do e ç’vesh politikën shqiptare nga egërsia, nga grindjet e pafundme. Shpresoja se politikës shqiptare, Rama do ia kthejë urtësinë, moralin dhe etikën e munguar. Shumëçka lidhur me veprimin e deritanishëm politik të Edi Ramës dëshmoi atë që është dëshmuar qëmoti: se veprimi sipas parimit “caku i arrirë i arsyeton të gjitha mjetet” është parim ushtarak e jo politik dhe se një veprim i tillë të bënë thuajse të njëjtë me atë që mbahet në pushtet duke vepruar sipas logjikës ushtarake e jo sipas asaj politike. Më duket se Rama e ka kuptuar këtë gabim të vetin dhe tani i është përkushtuar vizionit, më duket se e ka kuptuar se ndryshimet politike në Shqipëri mund t’i bëjë vetëm ai që nuk është vetëm politikan, por nga pak edhe misionar. Shpresoj se Rama, së bashku me politikanët e llojit të Pandeli Majkos, do ia kthejnë politikës shqiptare urtësinë, racionalitetin, përgjegjësinë dhe moralin e munguar.

– Po Berisha në frontin tjetër?

Berisha përfaqëson modelin dominues të politikanëve të sotëm shqiptarë, të cilët pushteti i ka shfytyruar dhe i ka bërë të pandjeshëm ndaj realitetit. Shpesh e kam dëgjuar Berishën të thotë se karriera e tij politike varet vetëm nga Perëndia dhe vota e shqiptarëve. Unë mendoj se për një politikan të mirë nuk mjafton vetëm kaq, por ai duhet t’i mbrojë votuesit nga vetvetja edhe atë duke mos lejuar që ta verbërojë pasioni i papërmbajtur për pushtet. Andaj, politikani i mirë, dëgjon zërin gruporë të atyre që e kanë zgjedhur, por duke mos ndërprerë lidhjen me vetveten, me zërin e boshtit të vetë njerëzorë, me moralin e vetë, me ndjenjën për përgjegjësi, me vetëdijen se popullit duhet t’i mundësosh të ketë zgjidhje e jo vetëm të zgjedh ata që ia imponon. Nuk dua ta barazoj Berishën me askënd, por ka pasur plotë politikanë që asnjëherë nuk i kanë humbur zgjedhjet, që kanë qenë më të votuarit, por janë shndërruar në përbindësh që më në fund e kanë gllabëruar edhe të ardhmen e popullit të vet. Dhe e dini pse? Ngaqë kanë vuajtur nga një sëmundje që të verbëron – pushtetin e kanë dashur më shumë se sa shtetin dhe popullin e vet. Dhe liderët që e duan më shumë pushtetin se sa shtetin dhe popullin që përfaqësojnë, herdo-kurdo e hanë fëmijën e vet. Andaj mendoj se Berisha, duke u mbështetur në vetëdijen se vetëm Perëndia e votuesit janë ata që përcaktojnë fatin e tij politik, harroi se ka edhe në faktor tjetër që i karakterizon politikanët e ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm: vetëdija se sa më gjatë sundon mbi të tjerët, aq më shumë e humb pushtetin mbi vetveten. 

– Një president nga PD, nga PS, apo një emër që nuk është zënë në gojë deri më tani.. Cili president do i duhej shqiptarëve në këto rrethana?

K. Mehmeti: Shqipërisë i duhet një president me të cilin do mund të identifikoheshin edhe shqiptarët jashtë Shqipërisë, një president që do i kthente disa vlera që i ka humbur politika shqiptare, si për shembull, respektin ndaj institucioneve shtetërore, ndjesinë dhe vlerësimin e të përbashkëtës që kanë shqiptarët. Mos harroni, ne mbetëm pa vlera të përbashkëta publike mbarëshqiptare. As festat tona kombëtare nuk kanë më dimensionin gjithëpopullor, por ato janë privatizuar nga partitë në pushtet. Edhe institucionet tona publike, janë bërë prona partish. 

– Si e përjetuat rishfaqjen e Fatos Nanos në korridoret e politikës pas një heshtje relativisht të gjatë?

K.Mehmeti: Korridoret politike të Tiranës janë të errëta. Ato i ngjajnë një labirinti në të cilin nga do që të shkosh, të shfaqen Berisha dhe Nano. Dhe për këtë nuk janë gjithaq fajtorë këta dy politikanë që e shënjuan politikën e deritanishme shqiptare, por edhe vetëdija jonë kolektive e cila liderin politik e përjeton si “baba” me të cilin mund të mos pajtohesh, por nuk guxon t’ia zësh vendin në krye te “odës së burrave”. Labirinti politik i Shqipërisë duket i komplikuar ngaqë korridoret e tij janë pushtuar nga ata që partitë i kanë shndërruar në “kompani private” që u sjellin përfitime të mëdha pronarëve të tyre.

– Ç’koncept keni për kufijtë që ndajnë sot shqiptarët e Kosovës të Maqedonisë e të Shqipërisë?

K.Mehmeti: Mua nuk më trishtojnë gjitha kufijtë që ndajnë Shqipëritë tona, sa muret ndarëse në vetëdijen tonë, mure që na pengojnë të shohim interesin tonë mbarëshqiptar. Andaj dua që para se të merremi me shqyrtimin e kufijve shtetërore që na ndajnë, t’i rrënojmë muret në vetëdijen tonë, ato mure që na pengojnë të bashkëveprojmë e të kemi projekte të përbashkët për të ardhmen tonë mbarëkombëtare.

– Një Shqipëri e madhe me kufij të zhvendosur, apo një Ballkan pa kurrfarë kufijsh fizikë? Si e shihni të ardhmen e rajonit?

K. Mehmeti: Nuk jam nga ata që më shumë e duan tokën se sa njeriun, për mua gjithmonë ka qenë e huaj logjika e disa qarqeve politike sllave për të asgjësuar njeriun vetëm që t’ia grabitësh pronën, apo vetëdija se toka ka përkatësi etnike dhe religjioze, Por e di se jetoj në hapësirë ku shumëkujt i pengon ekzistenca fizike e shqiptarëve. Dhe duke e ditur këtë, unë mundohem të jem racional, t’i them popullit tim të ndërtojë strategji mbarëshqiptare, t’i luftojë ata që më shumë e duan tokën se sa njeriun, të ndërtojë mekanizma mbrojtës kundër atyre që duan të asgjësojnë shqiptarët vetëm që t’ua marrin tokat. Unë Ballkanin e ndjej si atdhe më të gjerë timin, në të cilin Shqipëria ima shtrihet deri aty ku ka shqiptarë. Mua i tërë Ballkani më duket i ngushtë, e le më Shqipëria etnike. Andaj, do doja një Ballkan pa kufij, por ngaqë e di se kjo ëndërr është e pamundur që të realizohet, angazhohem për të mundshmen: që ne shqiptarët të fillojmë të kultivojmë vetëdijen se edhe kur jetojmë në shtëpi të ndara, kopshtin e kemi të përbashkët. Dhe se ai kopsht shtrihet deri atje ku jetojnë ata që i thonë bukës bukë e ujit ujë./shqiptarja