Back

Kim Mehmeti: Opozita prostitutë që i ka humbur bordellë-pushteti, qeveria shpresa e fundit për shtetin e shqiptarëve

Shkrimtari dhe mendimtari i njohur shqiptar, Kim Mehmeti, komenton 100 ditët e para të qeverisë “Rama”. Mehmeti mendon se qeveria e re është e përkushtuar për të ndërtuar shtet. Ai ka pohuar se shqiptarët duhet fillimisht të integrohen brenda vetes dhe të mos shkojnë në Bruksel si principata. Ndërkaq, duke u ndalur tek roli i opozitës, Mehmeti thekson se në Shqipëri aktualisht nuk ka opozitë të konsoliduar. Veprimtari i njohur shqiptar, i krahason partitë opozitare me ato prostitutat që turpëruan familjen.   -Si i vlerësoni 100 ditët e para të qeverisë “Rama”? 100 ditë janë pak për ta vlerësuar punën e një qeverie, por ato janë mjaftë si paralajmëruese për  rrugën nga është katandisur ajo. Kam përshtypjen se qeveria e sotme e Shqipërisë është e vendosur të ndërtojë shtet të përshtatshëm për shqiptarët dhe më të përkushtuar për të mirën e mbarë shqiptarisë. Personalisht më pëlqen edhe mbështetja te ekspertët e rinj, që nuk kanë hipoteka nga e kaluara dhe mbase me të drejtë e lexojnë kalendarin e ri në të cilin jetojmë. Pastaj dua të besoj se Tirana zyrtare do e merr rolin që i takon: atë të lokomotivës për projektet mbarëshqiptare, atë të udhëtreguesit se si do ia dalim të integrohemi brenda vetvetes që në Bruksel të mos shkojmë si “principata” të ndara. Ka lëmi ku duhet të veprojmë bashkërisht, ku ne jemi të vonuar, e që nuk u realizua edhe shkaku se elitat tona politike duan që çdonjëra të ketë “Shqipërinë” e vet. Shikuar nga ky këndvështrim, qeveria e sotme e Shqipërisë është shpresa e fundit që të kompensojmë kohën e humbur. Dhe shoh shenja se këtë e kanë kuptuar qeveritarët e sotëm shqiptarë.   -Cili është mendimi juaj për rolin e opozitës aktuale në Shqipëri? Opozita në Shqipëri është ende në kërkim të vetvetes. Ajo përpëlitet në shtratin e ri opozitar, por duke parë ëndrrat e dikurshme, që të kthenin në qeveri vetëm në bazë të sasisë së grindjes ndërpartiake që prodhon. Mendoj se kjo kohë ka kaluar. Tani për tani, në Tiranë thuajse nuk ka opozitë të konsoliduar. Arsyet janë të shumëllojshme, por ke përshtypjen se të gjitha partitë shqiptare, kudo që janë, dinë të sundojnë por nuk dine të ndërtojnë shtet. E them këtë ngaqë  partive tona, u kujtohet e mira e popullit dhe e shtetit vetëm kur janë në opozitë. Dhe mbase këtë e ka kuptuar populli ynë, andaj edhe atyre nuk u beson. Më duket se tani vjen periudha kur partitë opozitare nuk do mund ta marrin veten si dikur, ngaqë ato u treguan të ngjashme si ato prostitutat të cilat, deri sa ndodhen në shtëpinë publike (lexo: në pushtet) harrojnë për turpin që ia bëjnë familjes e fisit dhe përqendrohen vetëm tek përfitimi personal e porsa i largojnë nga aty (lexo: posa dalin në opozitë), bëhen vasha “namuzlike”. Është koha që kjo të ndryshojë, është koha që ta kuptojmë se shteti ndërtohet bashkërisht, me pozitë dhe opozitë të mirëfilltë. Pra, se edhe opozita matet nëpërmjet asaj sa ke bërë për të mirën e shtetit dhe popullit, e jo sa është grindur me partinë në qeveri. Intervistoi: Adriatik Doçi