Analisti dhe publicisti Kim Mehmeti në intervistën dhënë për Lajm Kosovë, në lidhje me incidentet e fundit në Maqedoni ka fajësuar shërbimin sekret serb që vepron atje si shkaktarin kryesor të këtyre ngjarjeve.
Mehmeti thotë se Maqedonia ende ka mbetur “filiali” politik më besnik i Beogradit dhe “ara” më pjellore ku Beogradi mbolli farën antishqiptare. Sipas tij, nuk është asgjë e re nëse thua se Maqedonia është “Kazablanka” e Ballkanit ku shërbimet sekrete serbe veprojnë si pronar të këtij shteti.
Ai i quan institucionet maqedonase shërbëtore të partive që mbrojnë interesat partiake në pushtet e jo interesat e shtetit. Mehmeti vlerëson që, bazuar edhe në përvojën e kaluar, sa herë që Maqedonia ka dashur të mbulojë ndonjë problem të brendshëm, apo sa herë ka dashur të alarmojë botën se është e rrezikuar, qëllimi ka qenë që të përfitojë nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare.
Sipas tij, edhe marrëveshja e Ohrit është shkelur qysh moti, dhe ka vite që shërben si “adresë” pa numër nëpërmjet të cilës të huajt e identifikojnë Maqedoninë e shqiptarëve të atjeshëm dhe ua kujton shpresën e kotë se do mund të bëhen bashkësundues të atij vendi.
“Lajm”: z. Mehmeti, ditëve të fundit kanë ndodhur disa incidente ndëretnike në Maqedoni, si i shihni ju këto incidente?
Mehmeti: Qeveria fashizoide e Gruevskit e zhyti Maqedoninë në baltën ngjitëse të antishqiptarisë dhe urrejtjeve ndëretnike. Këtë e arriti sa nëpërmjet objekteve që ndërtojnë nga e para të kaluarën e munguar të etnitetit maqedonas dhe shkatërrojnë të ardhmen e shtetit – si për shembull projekti “Shkupi 2014”, po aq edhe nëpërmjet projekteve antishqiptare – si për shembull “Enciklopedia” dhe librat shkollorë ku ofendohet dhe përbuzen shqiptarët. Shkurt, nga të gjitha përmendoret që ndërtoi qeveria e Gruevskit, e ku bëjnë pjesë edhe përfaqësues shqiptarë, më e larta është “përmendorja” e antishqiptarisë dhe e ndasive etnike.
“Lajm”: A kanë ndonjë prapavijë politike këto incidente dhe a do të mund të shkaktojnë destabilizim të situatës atje?
Mehmeti: Përvoja e deritanishme tregon se sa herë që Maqedonia ka dashur të mbulojë ndonjë problem të brendshëm, apo sa herë që ka dashur ta alarmojë botën se është e rrezikuar – duke dashur kështu të përfitojë nga organizatat ndërkombëtare – ka nxitur kaos të kontrolluar ndëretnik, ku shqiptarët kanë qenë “fajtori kujdestar”. Andaj këto incidente ndëretnike mund të shihen edhe si orvatje të mbulohet dhe të relativizohet vrasja e dyfishtë në Gostivar nga ana e një polici maqedonas, pastaj edhe në funksion të ndërrimit të emrit të Maqedonisë. Këto incidente, nëse nuk janë të inskenuara nga vetë qeveria aktuale, atëherë gjithsesi se janë produkt i një politike fashizoide qeveritare, e cila thuajse nganjëherë në muaj i provokon shqiptarët e këtushëm. Personalisht mendoj se këto incidente kanë për qëllim edhe pastrimin e shqiptarëve nga disa lagje të Shkupit, ku ata janë pakicë. Siç duket, Gruevski ka vendosur ta realizojë projektin e dikurshëm të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë për ndarjen e Maqedonisë në baza etnike. Dhe, jo rastësisht, Shkupi është në epiqendër të kësaj ndarjeje, ngaqë ai që e kontrollon Shkupin, atij i takon e tërë Maqedonia.
“Lajm”: Çfarë po bëjnë institucionet atje për qetësimin e situatës dhe cili është bashkëpunimi i partnerëve të koalicionit qeverisës rreth tejkalimit të incidenteve ndëretnike?
Mehmeti: Për fat të keq, Maqedonia nuk ka institucione shtetërore por partiake. Si të tilla, këto institucione mbrojnë interesat e partive në pushtet, e jo të shtetit. Qytetarët e Maqedonisë, përfshirë edhe shqiptarët, nuk i takojnë shtetit, por pushtetit. Në këtë shtet “nuk ka popull”, po ka votues që janë pronë e partive. Andaj edhe partitë e këtushme shqiptare, u mjaftuan me atë të jenë pjesë e pushtetit, e jo të kenë në duar shtetin. Me çka u bënë shërbëtore të dëgjueshme të sunduesit maqedonas. Kështu që tani ke përshtypjen se qeveritarët shqiptarë më shumë janë të angazhuar ta mbrojnë Gruevskin nga shqiptarët, se sa shqiptarët nga qeveria antishqiptare e Gruevskit. Më në fund, pushtetarët shqiptarë – duke pranuar pozitën e tyre të vasalit, as që kanë ndonjë ndikim në qarqet e vendimmarrjes. Ata kanë vetëm një rol: ta bëjnë të padukshme pakënaqësinë e shqiptarëve të këtushëm me çka, mbase pa vetëdije, bëhen mbulesë e antishqiptarisë së Gruevskit.
“Lajm”: A mendoni se edhe Serbia mund të ketë gisht në këto incidente?
Mehmeti: Maqedonia ishte dhe mbeti “filiali” politik më besnik i Beogradit. Maqedonia ishte dhe mbeti “ara” më pjellore ku Beogradi mbolli farën e antishqiptarisë. Pastaj nuk është asgjë e re nëse thua se Maqedonia është “Kazablanka” e Ballkanit, ku shërbimet sekrete serbe veprojnë si pronarë të këtij shteti. Edhe sot e kësaj dite në Maqedoni, më të fuqishme janë qarqet që deri në fund i mbetën besnik Millosheviqit, gjë që mund ta shihni shumë hapur në mediat e këtushme maqedonase. Politikën e këtij shteti ende e përcaktojnë gazetarët që hapur shprehin antishqiptarinë e tyre dhe këtë e bëjnë ngaqë e dinë se këtu antishqiptaria shpërblehet e nuk dënohet. Nuk dënohet ngaqë shumë institucione të këtij shteti janë në duart e qarqeve që marrin pagë mujore në Maqedoni por i shërbejnë Serbisë.
“Lajm”: Me këto incidente ndëretnike, a po shkelet marrëveshja e Ohrit dhe cila palë nuk po e respekton?
Mehmeti: Marrëveshja e Ohrit është shkelur shumë më parë. Ajo ka vite që shërben si “adresë” pa numër nëpërmjet të cilës të huajt e identifikojnë Maqedoninë e shqiptarëve të këtushëm, ua kujton shpresën e kotë se do mund të bëhen bashkësundues të këtij vendi. Marrëveshjen e Ohrit e shkelën të gjithë, përfshi edhe partitë shqiptare, të cilat atë e kuptuan si “deklaratë” për punësimin e partizanëve të tyre partiakë dhe si dokument që u mundëson të marrin një përqindje nga tenderët që i ndanë qeveria. Kështu që shqiptarët e këtushëm mbeten “njëzetpërqindëshi” kushtetues, që u mundëson shumë pushtetarëve shqiptarë të përfitojnë “10 përqindëshin” nga ata pak tenderë që ua ndan Gruevski si pagesë për dëgjueshmërinë dhe si shpërblim për ngulfatjen e frustrimeve të shqiptarëve të këtushëm.
Interviste dhene per Lajm Kosove