Dark

Light

Dark

Light

Scroll to top

Kim Mehmeti: Shqipëria e Enverit ishte burg, kjo e Piktorit është cirk!

Shkruan: Kim Mehmeti

Në Maqedoni zhvillohet perveristeti i radhës politik: BDI-ja dhe VMRO-DPMNE-ja e kanë vërshuar Parlamentin republikan me mijëra amendamente për ta pamundësuar propozimin që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore.

Dhe mbase nuk ndodh asgjë e papritur kur dihet se BDI-ja thuajse kurrë nuk ka qenë e interesuar për faktorizimin politik të shqiptarëve të këtushëm, por për interesin personal të drejtuesve të saj.

E në ndërkohë, drejtuesit e BDI-së ishin dhe mbetën pjesë e ‘koalicionit’ të fatkeqësisë së shqiptarëve të Maqedonisë dhe anëtarë të vëllazërisë së qarqeve policore e politike antishqiptare. Me çka shqiptarët e këtushëm ishin e mbeten në duart e njerëzve që nuk kanë frikë as popull as Zot.

Në Kosovë tani më thuajse është bërë traditë që pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, të kalojnë muaj deri sa të ndahen postet ministrore mes partive që do përbëjnë koalicionin qeverisës. Dhe thuhet se kësaj radhe puna ka ngecur rreth marrëveshjes se cilës partie do i takojë posti i Presidentin të vendit. Pra, si gjithmonë, nuk ka mosmarrëveshje lidhur me atë si duhet çuar përpara shteti, por si të kënaqen ambiciet e sunduesve.

Sa u përket kandidatëve të mundshëm për president të Kosovës, përfolën kryesisht emra pleqsh. Mes të cilëve edhe ato të ‘baballarëve’ të vetëshpallur të popullit që gjatë luftës së vitit 1999 thanë se është tradhti ta braktisësh Kosovën, që pastaj, me mjekra të rruara e të veshur tebdil, të iknin nga atje. E të mbylleshin në vilat qeveritare të Tiranës nga do dilnin pasi do u rritej mjekra, që të deklaronin se gjithë ata intelektualë e politikanë që kishin mbetur në Prishtinë ishin të mbrojturit e Millosheviqit?! Me çka shpërfaqën se lëngonin nga një sëmundje e pashërueshme: xhelozia dhe urrejtja ndaj Presidentit Historik të Kosovës dhe ndaj LDK-së. Si dhe shpalosën egërsinë me të cilën i gjykonin gjithë ata të cilëve ua kishin zili si dhe, lehtësinë e turpshme me të cilin e shpallnin patriotike çdo veprimtari të veten.

Në ndërkohë, në Shqipëri edhe dasmat edhe varrimet janë pjesë e të njëjtit spektakël që e drejton dhe që i shërben Piktorit të ‘Rilindjes’. Gjë që më së miri u pa pas tragjedisë që i ndodhi mëmëdheut, e kur populli tregoi se e dinte që fatkeqësitë kolektive janë matëse të sakta të boshtit të tij kurrizorë dhe kur burrështetasit e atjeshëm s’kishin si ta fshihnin të vërtetën se dinë si ta plaçkitin popullin, por jo edhe të ndërtojnë shtet.

Dhe tërmeti që e veshi shqiptarinë në të zeza, tregoi diçka që i barazon mes veti gjitha ‘Shqipëritë’ tona: ato më shumë varen nga organizatat bamirëse, se sa nga institucionet e shtetit. Pastaj ky tërmet na e rikujtoi se aty ku nuk u besohet institucioneve shtetërore, lulëzon një ‘biznes’ fitimprurës që ka të bëjë me menaxhimin e bamirësisë kolektive.

Po, tragjedia që i ndodhi mëmëdheut tonë shpërfaqi të vërtetën se Shqipëria ka qeveritarë që fotografohen e sillen si misionarë, e misionarë që aktrojnë burrështetas. Duke harruar se aty ku nuk merret vesh kush është politikan e kush misionar, shtohet numri i dallaveraxhinjtë dhe, aty nuk ka as politikë, as misionarizëm.

Sidoqoftë, vlen të mos harrohet se përpos dhembjes dhe lotëve, nga tragjeditë mund të vjelësh edhe urtësi dhe të vërteta për vetveten. Pra më mire se çdo gjë tjetër ato e shpërfaqin fytyrën e një populli dhe të shtetit që ai ka. E sa i përket fytyrës së Shqipërisë, shihet qartë se për dallim nga ajo e dikurshmja e Enverit që ishte burg, kjo e sotmja e Piktorit të ‘Rilindjes’ është cirk.

Kim Mehmeti

Author avatar
Kim Mehmeti
https://kmehmeti.com

Post a comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

We use cookies to give you the best experience.