Back

Kim Mehmeti: Shqiptarët nuk vrasin fëmijë

Nuk duhet harruar se Maqedonia është “Kazablanka” e Ballkanit njësoj siç nuk duhet harruar se në këtë shtet shumëçka dëshmon se vendi është në duart e nëntokës politike e jo në ato të institucioneve shtetërore. Gjithashtu nuk duhet harruar se shumë qendra fqinje ende shpresojnë se nuk ka marrë fund rivizatimin i hartave të shteteve të Ballkanit shprehet ndër të tjera Kim Mehmeti.

Tribuna Shqiptare: Ndodhi tragjedia e vrasjes së pesë djemve. Në fillim pati akuza shabllone që autorësinë ua hidhnin shqiptarëve. Sa janë të rrezikshme këto incidente në këtë situatë të tensionuar?

Kim Mehmeti: Këto vrasje vijnë pas një vale incidentesh ndëretnike që ndodhën muajve të fundit. Vrasja e pesëfishtë ka ndodhur disa ditë para Pashkëve ortodoks. Viktimat janë nga një rajon ku gjatë konfliktit të 2001 pati dhjetëra viktima shqiptare dhe ku lagjet e pakta shqiptare janë të rrethuara nga fshatrat me banorë maqedonas. Gjitha këto rrethana të çojnë të mendosh se nëse vrasjen nuk e ka bërë ndonjë monstrum apo i sëmurë mendorë, atëherë autorë të saj mund të jenë struktura mirë të organizuara që kanë për qëllim Maqedoninë ta fusin në spiralen e vrasjeve ndëretnike që nuk do merrnin fund.

Cilët do që të jenë vrasësit monstruoz, kjo ngjarje tragjike do e çojë Maqedoninë edhe më pranë një destabilizimi të brendshëm. Sa për akuzat e pabaza që i përhapën disa media që donin të nxisnin hakmarrje ndëretnike duke pohuar se vrasësit mund të jenë shqiptarë, ato duhet shikuar nga prizmi i frymës së një mosbesimi ndëretnike të ushqyer edhe nga institucionet shtetërore e cila e solli Maqedoninë në situatë që edhe kur e kap gripi ndonjë maqedonas,  menjëherë për këtë fajësohen shqiptarët.  

Tribuna Shqiptare: A janë incidentet të orkestruara nga ndonjë qendër. Kush është i interesuar për ta destabilizuar Maqedoninë, qoftë edhe përkohësisht?

Kim Mehmeti: Destabilizimi i Maqedonisë nuk është interes shqiptarë. Më në fund, nëse shqiptarët do donin ta destabilizonin këtë shtet, atë do mund ta bënin pa marrë në qaf viktima të pafajshme, por thjeshtë duke thënë se nuk e duam këtë shtet. Pastaj unë dua të besoj se shqiptarët do e mbrojnë atë ma madhoren që kanë trashëguar nga e kaluara: kurrë mos vrasësh fëmijën të pafajshëm dhe kurrë mos i gëzohesh kujës së cilësdo nëne në këtë botë. Pastaj nuk duhet harruar se Maqedonia është “Kazablanka” e Ballkanit njësoj siç nuk duhet harruar se në këtë shtet shumëçka dëshmon se vendi është në duart e nëntokës politike e jo në ato të institucioneve shtetërore. Gjithashtu nuk duhet harruar se shumë qendra fqinje ende shpresojnë se nuk ka marrë fund rivizatimin i hartave të shteteve të Ballkanit. Dhe duke e ditur sa e brishtë është Maqedonia dhe sa lehtë këtu mund të kallet zjarri ndëretnik, ata bëjnë çmos dhe do bëjnë çmos që çdo gjë të fillojë nga e para dhe që Maqedonia të jetë ajo arë nga e cila çdonjëri do merr atë që mendon se i takon. /almakos