Back

Kim Mehmeti: Vrasjet haraç i politikës inferiore

Publicisti Kim Mehmeti, në edicionin e lajmeve në Radio Televizionin e Kosovës, u shpreh për protestat që u mbajtën në Gostivar lidhur me vrasjen e dy të rinjve shqiptarë nga një polic maqedonas. 

Ai u shpreh se tashmë ka kaluar koha e protestave, të cilat bartin mesazhin “poshtë sunduesi, rroftë vasali”. 

“Protestat e forcojnë pozitën e sunduesit, ndërsa vasalin e bëjnë edhe më të dëgjueshëm. Fatkeqësisht, ne shqiptarët e Maqedonisë kemi përfaqësues politik që nuk iu dëgjohet zëri për çfarëdo fatkeqësie që i  ndodh popullit të vet.  Edhe në rastin e Radushës, kur u ekzekutuan katër shqiptarë pa i shpallur gjykata të fajshëm, askush nuk doli ta dënojë këtë veprim. Pjesëmarrja e tyre në Qeveri është një tatim që shqiptarët ia paguajnë këtij shteti. Këto ngjarje që ndodhin janë gjithashtu rezultat që ne i kemi “Gruevskat” tanë brenda në qeveri” – tha Kim Mehmeti.

Në pyetjen se a pritet dorëheqja e ministres së Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, ai u shpreh se një gjë e tillë lëre që nuk do të ndodh, por për më tepër, shpejt do të dalin pushtetarët shqiptarë dhe do ta shpallin këtë ngjarje si diçka e zakonshme që ndodh kudo, si dhe do t’i përsërisin fjalët e njëjta se ata mbeten të përkushtuar në ndërtimin e të ardhmes së përbashkët evropiane. 

“Sot përgjegjësinë ne nuk duhet ta kërkojmë tek pala maqedonase, sepse politikanët shqiptarë të këtushëm janë bërë shokë me ata që në bërthamë e kanë antishqiptarinë, kështu që problemin duhet kërkuar tek vetvetja”, tha Kim Mehmeti.

Ai gjithashtu shtoi se “Populli shqiptar në Maqedoni paguan haraç çdo ditë, o me përmendore, o me kisha, o me vrasje dhe rrahje, sepse neve në qeveri na përfaqësojnë injorantët të cilët inferioritetin mundohen ta shesin si urtësi dhe tolerancë. Injoranca nuk është tolerancë. Element i tolerancës është vetëdija.” 

Në pyetjen rreth të ardhmes së shtetit të Maqedonisë, publicisti Kim Mehmeti u shpreh se Maqedonia kurrë nuk do të bëhet shtet, por do të ketë dualizëm ku shoqëritë do të veprojnë sipas rendeve të veta.

 “Është e pashmangshme që në të ardhmen do të kemi një Maqedoni që do të funksionojë në baza dy etnike. Shqiptarët vetëm kështu mund të kenë të drejtat e barabarta dhe nuk do të prezantohen më nga tenderokratët që për heshtjen e tyre shpërblehen me tenderë nga Gruevski”, tha në fund të kësaj interviste publicisti Kim Mehmeti. http://almakos.com/lajme/maqedoni/4283-kim-mehmeti-vrasjet-harac-i-politikes-inferiore.html