Back

Kim Mehmeti: Zhytja është për të guximshmit

 Elsa Demo

Dita Ndërkombëtare e Librit / Libri dhe të shkruarit

Shkrimtari Kim Mehmeti sjell përvojën e hershme dhe të vonë të leximeve si individ që i takon gjeneratës që s’kishte mundësi të shkollohej në gjuhën shqipe. Përgjigjet se në çfarë kampesh është ndarë lexuesi i sotëm dhe pse informimi dhe gënjeshtrat rreth nesh dominojnë përditshmërinë

Se çdo të thotë të futesh në "lagjet e letërsisë pa kompas" dhe të dalësh prej andej një kopshtar i mirë, Kim Mehmeti na tregon në këtë intervistë. Pretendimi për të gjetur receta dhe hartë të letërsisë që duhet ndjekur sipas tij, do të ishte thjesht pretendim, pasi shkrimtari biling, shqiptar i Maqedonisë, një nga lëvruesit e talentuar të prozës, të tregimit në veçanti, nuk ka ndjekur ndonjë rregull të caktuar si fjala bie nis e lexo Odisenë e Homerit dhe dil tek Uliksi i Xhojsit. Ekziston megjithatë një ndarje e qartë e atyre që leximin e kanë si një barkë që i çon atje ku do lundërtari dhe të tjerë që zhyten në thellësitë e jetës. Këta të fundit Kim Mehmeti i njeh si njerëzit-lexues që do duronin për një kohë të gjatë pa frymë edhe "kundërmimet e pakëndshme të jetës."

Çfarë jeni duke lexuar?

Sa herë që më pyesin se çfarë jam duke shkruar e çka jam duke lexuar, ndihem thuajse duhet të flas për dy sunduesit e jetës sime, sundimi i të cilëve më pëlqen, se askush i tretë nuk mund të ndërhyjë. Dhe kam ndjenjën se nëpërmjet kësaj pyetjeje kumtohet bindja se krijuesi gjithmonë diçka shkruan dhe lexon. Unë nuk u takoj atyre që s’lëshojnë ditë pa shkruar diçka, as atyre që e mbajnë për javë të humbur atë kur nuk kanë lexuar asnjë libër. Prej moti e kam kuptuar se nuk janë lexues ata që lexojnë shumë, por ata që dinë ç’ka lexojnë. Kur nuk lexoj, udhëtoj, që është gjithashtu një "lexim" tjetër i hapësirave dhe i njerëzve të ndryshëm. Dua të lexoj vetëm librat që të ofrojnë të përjetosh Festën e Leximit, e cila thuajse është e barabartë me atë të krijimit. Dhe ngutshëm t’i vlerësosh cilat janë ato. Kjo mjeshtëri arrihet pasi të kesh lexuar aq shumë libra sa ta kesh përvetësuar "leximin diagonal", i cili ta mundëson që pas disa faqeve të kuptosh se ia vlen apo jo të shkosh më tej. Ma shtroni këtë pyetje kur jam në fazën e leximit më intensiv dhe jam duke lexuar veprat e Hanif Kurejshit, një prozator shumë i mirë. Përfundova romanin e tij "Buda i paralagjes" tani jam duke lexuar "Albumin e zi". Ka shumë libra të mirë për t’i lexuar, e jeta është e shkurtër që të mund njeriu t’i lexojë të gjitha.

Cili është libri i parë që keni lexuar në jetë? Çfarë ju ka mbetur në mend?

Libri i parë që kam lexuar ishte në gjuhën maqedonase. Pasi kisha mbaruar klasën e dytë me sukses të shkëlqyeshëm, mora si dhuratë librin "Lulet pranë binarëve" ("Bullki kraj shinite"). Pra, në moshën kur nuk e dija mirë as gjuhën letrare amtare, si nxënës i një shkolle ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe, dhurata më erdhi në gjuhën që e njihja vetëm aq sa mundej një fëmijë të cilin e kishin mësuar të kishte kujdes të mos bëhej "kaur". Por, mbase isha i detyruar të mos e lë librin e dhuruar pa e shfletuar, sepse aso kohe, disa muaj mbeta i shtrirë në shtrat, dhe duke mos pasur asnjë libër tjetër, dhembjeve të këmbës iu shtova edhe orvatjet të zbërtheja shkronjat cirilike. I ndihmuar nga ilustrimet, nga ato pak fjalë që kuptoja nga ajo gjuhë, bëra një "lexim" mbase nga pak edhe të çuditshëm: pjesëve të paqarta të librit duhej t’iu shtoja përmbajtjet që i trillonte imagjinata ime, tu jepja ndonjë kuptim logjik me atë pak që kuptoja.

Kështu që nga ai libër më mbeti në kujtesë një përmbajtje që nuk kishte shumë lidhje me atë që lexova më vonë kur mësova shkrim e lexim në gjuhën maqedonase. Nga ai libër më mbetën në kujtesë shkronjat e çuditshme cirilike, ajo "tata" e gjuhës maqedonase, e cila gjuhë më vonë m’u bë e barabartë në shkrim me atë amtaren. Libri i parë të cilin mbase nuk arrita ta lexoja si duhet, më ndihmoi qysh në fëmini të kuptoj se për shumicën e neve shqiptarëve të ish- Jugosllavisë, "gjuha e nënës së tyre" do bëhej pjesë e jetës sonë, se ajo gjuhë do jetonte në mua paralelisht me gjuhën e qumështit të nënës. Dhe ndoshta që atëherë më mbeti ajo shprehi që më me ëndje të lexoj librat që "vështirë" kuptohen, ato ku imagjinatës së autorit duhet t’i shtosh edhe tënden. E mbase edhe të shkruaj ashtu që lexuesin ta kem bashkautor të veprës sime letrare.

Si ka vazhduar jeta me leximet? Ju ka ndihmuar kush për të ndërtuar bibliotekën e parë?

I takoj gjeneratës e cila nuk kishte mundësi të shkollohej në gjuhën shqipe, jam formuar si njeri në vitet kur bibliotekën time duhej ta mbushja me libra në gjuhët sllave, kur rrallë arrinin librat e botuar në Tiranë apo Prishtinë. Andaj në bibliotekën time ka një raft që e quaj "themel" i bibliotekës, e ku janë librat e parë në gjuhën shqipe që m’i sillte arsimtari i gjuhës amtare, mbase pse vërejti atë dëshirë të flaktë timen që të lexoja. Aty, në atë raft, zënë vendin e nderit disa libra që vlejnë më shumë se e tërë biblioteka dhe përpos përmbajtjes, brenda kopertinave bartin edhe rrëfimin se si i kisha sjellë në shtëpi të fshehura nën sqetull, sepse ishin botime të Tiranës. Aty është edhe libri i Izedin Jashar Kutrulisë dhe Mitrush Kutelit "Sulm e lot" i botuar në vitin 1944 në Tiranë, i shtypur në shtypshkronjën "Nikaj". Në faqet e këtyre librave nuk janë vetëm vargjet e autorëve, por edhe rrëfimi për kompletimin e bibliotekës sime, të cilën tani ngutshëm e ripërtërij me përkthimet e Tiranës e Prishtinës, që të bëhet e përdorshme edhe për fëmijët e mi.

Në bibliotekën time kompletohen edhe raftet me titujt në gjuhën angleze që i lexon djali im më i madh Semi. Ai është rafti që ndan peshën e kohëve të së shkuarës nga paqartësitë e ditëve që jetojmë. Diku në ato rafte përplot me libra, fshihet dëshira ime që të kem bibliotekë sa më të pasur, dhe t’i kem pranë vetes librat që dua t’i lexoj. Ato libra rrëfejnë edhe shëtitjet e mia nëpër vlerat letrare deri sa arrita të përcaktoj shijen time të lexuesit, deri sa arrita të bëj radhitjen e drejtë të titujve që duhet medoemos lexuar si dhe autorët e veprat që i kam lexuar më shumë se një herë, siç janë Prusti, Niçeja, Shopenhaueri etj.. Pra, këto rafte portretojnë lexuesin i cili lagjeve të letërsisë ka ecur pa kompas, por tani jeton me bindjen se nuk është i humbur, se nga ai pyll ka dalë me përvojën e kopshtarit të mirë.

Ju keni kundëragumente për ata që thonë se sot ka më shumë rëndësi informimi se sa formimi përmes orësh të rënda të leximit si "një herë e një kohë"? Në fund të fundit pse duhet të lexojmë?

Varet se çfarë domethënie i jepet informimit. Nëse informim i mjaftueshëm është të dish çka i ka thënë Berisha Ramës, atëherë në rregull, pajtohem se nuk duhen lexuar libra, por mjaftojnë interneti dhe mediat. Nëse informim është të kuptosh se jeta është diçka më shumë nga ajo që e shohim dhe përjetojmë, se të kuptosh e të shijosh drejt kalendarin tënd jetësor duhet të jesh i informuar edhe për atë si ka qenë "njëherë dhe një kohë", atëherë nuk është i mundur formimi i plotë individual pa këto informata. Këtë jetë njeriu mund ta jetojë edhe si shëtitës i ulur në një barkë nga u mahnitet bukurive që ofron horizonti dhe syprina e jetës. Por ka edhe zhytës që duan thellësitë, që e dinë se ka bukuri edhe nën sipërfaqen e "detit" – jetës.

Është e pamundur të gjithë të kenë prirje dhe nevojë për zhytje në thellësi, është e kuptueshme më i madh të jetë numri i atyre që duan të jenë të informuar, por jo edhe të formuar, sepse i "informuari" jeton më lehtë se i "formuari". I "informuari" kërkon përgjigje të gatshme, ndërsa i "formuari" i shtron vetvetes pyetje të lodhshme. Të "informuarit" ulen në "barkën" e jetës dhe shkojnë deri aty ku i çon lundërtari, ndërsa ata që duan informim të plotë, zhyten në thellësitë e jetës ku bëjnë pjesë edhe bibliotekat përplot me libra. E dihet: zhytja është për më të guximshmit, për ata që kanë mushkri më të forta që të mundësojnë të durosh gjatë pa frymë si dhe kundërmimet e pakëndshme të jetës.

Çfarë është të shkruarit? A keni një përkufizim për këtë?

Besoj se ka aq definime për atë se çka është krijimtaria letrare sa edhe krijues. Mbase shkrimi është iluzion për atë se, përpos shijues i botës në të cilën jeton, njeriu mund të bëhet edhe ndërtues i një bote paralele ku ai është sundues i plotfuqishëm. Shkrimi mund të jetë edhe nevojë që botën të mos e lexosh të atillë siç është, por siç e përshkruajmë ne. Me çka, iluzioneve të shumta që shoqërojnë jetën e njeriut, i shtohet edhe ai se çdo gjë është më ndryshe dhe se ne jemi vetëm fyelli nëpër të cilin dëgjohet shumëzëshmëria e Zotit. Mbase krijuesit janë vetëm fyejt që fishkëllejnë më zëshëm se të tjerët.

A do ishit dakord me atë që Jean Geneti thotë se ka nisur të shkruajë që në lindje. Pra, një shkrimtar shkruan për përvojën e tij, përvojë që nis qysh atëherë.

Ndoshta ai ka nisur të shkruajë ende duke qenë një nga vezoret e nënës së tij, apo vetëm një spermatozoid në herdhet e babait, por sa më takon mua, kam filluar të shkruaj atëherë kur m’u ngjall besimi se shkrimi është pjesë e jetës sime, diçka pa të cilën do mbetesha jo i plotë. Kuptohet, edhe afinitetet, dhuntitë e prirjet njerëzore, janë të ndërlidhura me atë fetusin e ngjizur në barkun e nënës, kanë të bëjnë me mbëmendjen qysh nga mosha jonë foshnjore, por arti nënkupton pjekuri, njohuri, mjeshtëri, përvojë e shumëçka tjetër që vjen në stinën e duhur të jetës.

Gjithsesi, nuk mund të piqet ajo që nuk ka qenë dikur aguridhe, por asnjë fryti nuk i është dhënë mundësia të kujtojë bukurinë dhe erëmimin e lules nga e cila është ngjizur. Jetën e fillon fëmija i cili ndjen ndryshe dhe botën e sheh krejt nga një kënd tjetër. Ajo është një përvojë të cilën e mbajnë mend qelizat e qenies sonë e jo truri, në kujtesë ajo përvojë është shënuar me alfabet dhe fjalorë krejt ndryshe nga ai të cilin e përsosim që nga mosha kur bëhemi të vetëdijshëm cili jemi dhe çka na rrethon. Kujtimi për qumështin e nënës është ndjellës, është lëngu që ndërton krijuesin, por jo edhe përvojë që bënë pjesë në brumin krijues.

Gjëja e parë që keni shkruar cila është?

Një vjershë për mësuesin që e përmenda në përgjigjen e parë, i cili më sillte çdo javë nga një libër, meqenëse ato të bibliotekës shkollore i kisha lexuar të gjitha. Dhe i cili habitej se si qysh në moshën 11-vjeçare aq shpejt arrita të lexoj "1001 net".

Shkruani çdo dite? Si ndiheni kur nuk shkruani? Bëheni nervoz?

Jo vetëm që nuk shkruaj çdo ditë, po ka periudha kur nuk shkruaj me muaj. Ka kohë ku më bëhet se krijuesi në mua më ka braktisë, mbase shkaku se e ndien se duhet të më lërë rehat të shijoj edhe lëngjet e tjera që sjell kjo jetë. Jo që nuk më bën nervoz arratisja e tij nga qenia ime, por edhe ndihem mirë pa të. E njoh mirë, e di se i ka dhënë vetes pushim dhe prapë do kthehet. Ka periudha kohore kur as unë nuk e njoh se cili është ai në mua që shkruan, siç ka kohë kur krijuesi në mua më bën të harroj bile edhe realitetin në të cilin jetoj.

Funksionon tek ju edhe vlera që sa më shumë shkruani aq më mirë ndiheni?

Shumësia e shkrimit nuk ndikon që të ndihem mirë, por vetëm ndjenja se kam shkruajtur atë që kam dashur.

A janë zemërimi, shqetësimi dhe frika emocionet që jua nxjerrin jashtë të shkruarit, emocione joanemike siç mund t’i cilësonte ndonjë shkrimtar?

Nuk iu takoj shkrimtarëve që i frymëzon shqetësimi, pikëllimi, frika… Mund të shkruaj vetëm kur jam i qetë, kur ndjehem i plotë, kur mund ta shijoj dhe ta ndiej jetën me të gjitha që sjell ajo me vete. Frika, pikëllimi, dhembja…më bëjnë mosbesues ndaj jetës si dhe ndaj krijimtarisë. Në çastet e tilla unë nuk merrem me shkrime, por e qetësoj vetveten, e nxjerr nga ato vorbulla që ia marrin të gjitha e nuk i sjellin asgjë të vlefshme si brumë krijues.

Po dashuria hyn tek emocionet joanemike për të shkruar?

Dashuria është krejt diçka tjetër. Ajo përmban në vete alfabetin e kuptimit të jetës, fjalorin që e bën më të kuptueshëm çastin që jetojmë, ajo është impuls, e jo rezultat i ndonjë koncepti. Impulset janë ato që ushqejnë iluzionin se kjo jetë është e bukur, ato ngrenë lartë flamurin e qenies sonë edhe shkaku se dikush na do aq sa jemi bërë shenjë në mburojën e jetës së tij.

Përse nuk po shkruani më në shtypin e përditshëm shqiptar?

Jam duke jetuar periudhën kur më duket se ka humbur vlerë fjala e thënë publikisht, kur muhabetet e rrugës janë barazuar me ato që botojnë mediat, kur më bëhet se na ka mbuluar mjegulla e debateve të kota, se mjafton të jesh i pamatur në vlerësime që të bëhesh kolumnist apo publicist i njohur… Thjesht, jo që nuk shkruaj, por kur e ndien se asgjë nuk ndryshon përpos gotës me ujë nëpër foltoret, se çdo gjë ka marrë formën e gënjeshtrës që qarkullon rreth nesh, ia shtron vetvetes pyetjen: Pse? Dhe gjithnjë e më vështirë e bind veten se ia vlen ta shpalosësh publikisht mendimin tënd rreth ndonjë ngjarjeje apo fenomeni shoqëror.

Çfarë keni tani në dorë?

Momentalisht shkrimtari në mua është në pushim dhe ende nuk më është lajmëruar se sa do t’i zgjasë pushimi. Tu them të drejtën as që jam i interesuar të më kthehet gjithaq shpejt.

Në ditën ndërkombëtare të librit çfarë mesazhi do t’i jepnit lexuesit?

Atyre që lexojnë, mesazhi u ka ardhur nga brendia e qenies dhe është e pakuptimtë t’ua përcjellësh atë që e dinë. Njësoj siç është e pakuptimtë t’u përcjellësh ndonjë mesazh atyre që nuk lexojnë, që nuk e dinë për çka bëhet fjalë.

Kim Mehmeti
https://kmehmeti.com