Back

KISHA KU DO VARROSET TOLERANCA NDËRETNIKE E NDËRRELIGJIOZE

Kim MEHMETI

Fshehurazi dhe pa e ditur njeri, në Kalanë dardane të Shkupit u ngrit konstruksioni bartës prej metali i një kishe ortodokse. Pas reagimit të shqiptarëve shkupjanë, u tha se punimet për ndërtimin e saj do të ndërpriten. Por, ditë më parë, në orët e mesnatës, pa i parë njeri, u sollën punëtorë nga manastiri që ta përfundonin ndërtimin e këtij objekti. Punën e tyre e ndërprenë shkupjanët shqiptarë, që ende nuk i kishte zënë gjumi, e të cilët, përpos që i dëbuan punëtorët që kishin filluar murimin e kësaj kishe, vazhduan me prishjen e konstruksionit të metaltë të saj. E tëra kjo shkaktoi reagime të ashpra dhe nuk ishin të paktë ata që shtruan pyetjen: Me urdhrin e kujt ndërtohet kjo kishë dhe mos vallë ajo do jetë objekti fetar ku përfundimisht do varrosen marrëdhëniet e brishta ndëretnike dhe ndërfetare në Maqedoni, e me çka Shkupi do shndërrohet në një Bejrut të Ballkanit. Kishte edhe të atillë që pyesnin veten se si është e mundur që shteti të ndërtojë objekte natën, që shteti të sillet si një hajdut që vjen e përvetëson pronën e huaj dhe ndërton objekt të jashtëligjshëm. Ata që shtronin këso lloj pyetjesh nuk kishin si mos ndërmendin një përgjigje cinike: Mbase çdo gjë është e mundur në shtet, për të cilin thuhet se është ndërtuar pa projekt dhe në pronë të huaj.
Dhe përderisa vazhdojnë debatet se kush ka të drejtë, ndërtuesit apo rrënuesit e kësaj kishe, askush nuk jep përgjigje se kush ka dhënë urdhrin që ajo të ndërtohet dhe kush i solli punëtorët në mes të natës që të përfundonin ndërtimin e saj. Ndërkohë, në Kalanë e Shkupit tubohen maqedonas etnikë që thonë se atë do e mbrojnë edhe me jetët e tyre, si dhe shqiptarët që pohojnë se do pengojnë me çdo kusht deshqiptarizimin e mëtejmë të Shkupit. Ata që heshtin janë përfaqësuesit e BDI-së shqiptare në qeverinë e Gruevskit, për të cilët thuhet se, duke mos pasur forcë t’i kundërvihen politikës antishqiptare të Gruevskit, e prunë punën deri aty që shqiptarët të vetorganizohen për t’u mbrojtur nga projektet përbuzëse të Gruevskit, siç ishte Enciklopedia dhe shumë projekte të ngjashme që shpalosin vasalizmin e BDI-së në qeveri, por njëkohësisht tregojnë arrogancën e Gruevskit. Dhe, përderisa partia shqiptare në pushtet hesht, shqiptarët e këtushëm gjithnjë e më zëshëm pyesin veten: Çfarë duhet të bëjë më tej Gruevski që Ali Ahmeti ta kuptojë atë që disa shqiptarë e përsërisin vite me radhë, se më e pandershme se të jesh vasal, është të mos jesh i vetëdijshëm për këtë, e me çka e merr në qafë popullin që përfaqëson, popullin që ka besuar se në mos më shumë, do e kursesh nga nevoja që të vetorganizohet për të mbrojtur vetveten.
Sa i përket ndërtim-rrënimit të kësaj kishe, paradoksale është se ndërtimin e saj e mbështet qeveria ku bën pjesë BDI-ja shqiptare, ndërkaq edhe rrënimit i paraprijnë figura të njohura të kësaj partie. Gjë që mund të ketë vetëm dy domethënie: se kjo parti bën lojë të dyfishtë dhe duke qenë pjesë e një qeverie ku askush nuk e pyet për asgjë, mundohet të marrë pikë politike duke e futur në konflikt popullin e vet. Pra, duke mos mundur t’i pengojë projektet e këtilla aty ku duhet – nëpër institucionet e shtetit – BDI-ja vepron si një organizatë joqeveritare, e cila e organizon popullin të protestojë kundër një politike antishqiptare të Gruevskit. Me çka edhe lind pyetja e logjikshme: Kush më shumë i dëmton shqiptarët e këtushëm, Gruevski me politikat e veta antishqiptare apo BDI-ja që shërben vetëm si mbulesë e këtyre projekteve përbuzëse të VMRO-DPMNE-së!?
Përndryshe, nga Kalaja dardane e Shkupit shihet e tërë kryeqendra e Maqedonisë. Atë kala të ndërtuar nga Justiniani e kanë prishur shumë perandorë nga e kaluara. Është e vërtetë se aty janë ngritur kisha e xhami, por kurrë, në asnjë nga periudhat e së kaluarës së saj, aty nuk ka pasur objekt fetar sllav. Aq më pak kishë maqedonase, kishë me emrin e një populli që lindi e u ngjall pas Luftës së Dytë Botërore. Gjë që mbase do duhej ta dinin pushtetarët shqiptarë në qeverinë e Gruevskit, e që do i shtynte t’i pyesnin ndërtuesit e saj se, mos vallë kanë ndërmend që popullin e vet ta shpallin si pasardhës të dardanëve dhe ilirëve. Por që ta shtrosh këtë pyetje, paraprakisht duhet ta njohësh historinë e popullit tënd, duhet paraprakisht të bëhesh pushtetar dhe ta detyrosh tjetrin të të çmojë si të tillë, pra duhet tjetri ta ketë kuptuar se ka të bëjë me partnerë që në mos më shumë, e njeh dhe dinë si ta mbrojnë të kaluarën e të ardhmen e popullit që përfaqëson.
Nga Kalaja e Shkupit shihet edhe Ura e Gurit. Nga aty shihen edhe dhjetëra përmendoret e ngritura në qendër të këtij qyteti nga qeveria e Gruevskit, si dhe një mur ndërtesash nga ana e majtë e lumit Vardar, e që ngjajnë si një kufi ndarës mes Shkupit shqiptar nga pjesa e tij maqedonase. Nga Kalaja e Shkupit shihet qartë edhe vendi ku dikur ka qenë shtëpia e lindjes së Nënë Terezës, e ku Gruevski kishte në plan të ndërtonte një kishë ortodokse, çka gjithashtu i irritoi shqiptarët e këtushëm. Mbase duke mos mundur ta ndërtonte atë kishë që do shlyente themelet e shtëpisë së lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, tani merret me ndërtimin e kësaj në Kalanë e Shkupit, me çka këtë qytet përfundimisht do e rrethojë nga të gjitha anët me kryqe dhe kisha. Me çka do e bëjë t’i ngjajë një varrit ku do kalben marrëdhëniet e brishta ndëretnike e ndërreligjioze në Maqedoni.
Nga Kalaja e Shkupit shihen qartë “dy qytetet” që përbëjnë kryeqendrën e Maqedonisë, e ku nuk vlejnë standardet e njëjta të jetesës. Në pjesën jugore, apo maqedonase, nuk ndërtohen vetëm kisha e përmendore, por zgjerohen rrugët e lagjeve të ndriçuara, e në pjesën shqiptare çdo gjë vjen duke u ngushtuar. Në Maqedoni ngushtohet edhe durimi i shqiptarëve ndaj politikës antishqiptare të Gruevskit, por çka se ata ndihen ngushtë e më ngushtë, kur qeveritarët e BDI-së thonë se e kanë mirë në qeverinë e Gruevskit. Pra, çka se shqiptarët e këtushëm thonë se janë kaluar të gjithë kufijtë e durimit të tyre, kur Ali Ahmeti pohon se mirë i shkon muhabeti me Gruevskin dhe se ka partner të besueshëm që e mban fjalën e dhënë, si të ishte nip i Aleksandrit të Madh. Mbase përgjigjen e kësaj pyetje do e japin shqiptarët që vetorganizohen për t’i dhënë fund kësaj politike antishqiptare të Gruevskit dhe maqedonasit që thonë se me jetët e tyre do mbrojnë maqedonizimin e Shkupit, që gjithmonë ka qenë qendër e shqiptarisë, e asnjëherë kryeqytet i sllavëve.